Arrestohet autorja e romanit “Zëra nga Çernobili”, Krasniqi: Të reagojnë të gjithë shkrimtarët e botës

Në Bjellorusi është arrestuar autorja e romanit “Zëra nga Çernobili”, e cila është fituese e çmimit “Nobel” për Letërsi.

Lidhur me këtë ka reaguar shkrimtari Milazim Krasniqi, ai ka thënë se ky akt është barbarë dhe si i tillë duhet të dënohet nga të gjithë shkrimtarët e botës.

“Qeveria kriminale e Llukashenkos ka arrestuar shkrimtaren Svetllana Aleksijeviq, fituesen e Çmimit Nobel për Letërsi. Mjafton të thuhet autoren e romanit “Zëra nga Çernobili”, sepse ai roman është më kumbues se sa vetë Çmimi Nobel. Ky është një veprim kriminal, idiotik, i ndyrë i Llukashenkos. Shkrimtarja Svetllana Aleksijeviq e ka bërë botën të qajë me lot për tragjedinë e Çernobilit dhe e ka ngrit Bjellorusinë në piedestalin ku askush nuk e ka ngritur kurrë më parë. Vepra e saj nuk mund të sfidohet nga një idiot, që defilon me pushkë në dotë para kamerave, për ta frikësuar popullin e vet”, ka shkruar Krasniqi i cili tutje si shkrimtar dhe anëtar i PEN-it i fton të gjithë shkrimtarët e botës që të reagojnë ndaj këtij akti barbar të Llukashenkos duke u shprehur i bindur se letërsia e Svetllana Aleksijeviqit do të fitojë mbi krimin e atij monstrumi. / KultPlus.com

Milazim Krasniqi: Për herë të parë pajtohem me Albin Kurtin, nuk e kisha menduar kurrë

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar në Facebook se për herë të parë po pajtohet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, ndonëse nuk kishte besuar se do të pajtohej me të për ndonjë gjë.

Krasniqi ka mbështetur Kurtin, në deklaratën e këtij të fundit lidhur me arsimin e dobët dhe mungesën e leximit në Kosovë.

Postimi i plotë:

Prandaj thonë: “Kurrë mos thuej kurrë!” Kam menduar se kurrë nuk mund të pajtohem me Albin Kurtin për ndonjë gjë, por ja që pajtohem me të, lidhur me arsimin e dobët, mungesën e leximit dhe dijen si vlerë. Ani kur ia pashë në dorë librin e Konstandin Kavafisit, u ngashëreva, sepse ai është njëri nga poetët që i pëlqej shumë. Veçmas poezia e tij “Duke pritur barbarët” është antologjike.

Po përmirësohemi të gjithë, po shihet. Në fakt, vetëm ata që kanë fuqi të përmirësohen, mund të bëhen fitimtarë. Ndërsa kushdo që përsëritë gabimet e veta, edhe nga fituesi shndërrohet në humbës. Arsimi i mirë dhe dija e mirëfilltë kështu na mësojnë. / KultPlus.com

Arratisja e Sabri Popajt

Poezi e shkruar nga Milazim Krasniqi.

Në mal kam dalë fillikat, me dhenë,
I shoh si kullosin në hesap të vet,
Me mirë kuvendoj këtu me një qen
Se sa me njerëz të tromaksur në fshat e qytet.

Me orë të tëra vëzhgoj shqiponjat
Që fluturojnë si të bënin një lojë.
Harkimet e tyre më duken si shkronjat
Që të zbulojnë një sekret e të lënë pa gojë.

Ne themi që jemi bij shqipesh antike
Të stuhioreve** që ngrihen me vërtik,
Por ngahera nuk jemi specie heroike
Përgjasojmë më shumë me zvarranikë.

Shqiponjat kanë shikim të mprehtë
Dhe flatra të forta si gur mulliri.
Ndërsa lëvizja jonë është e mefshtë
E dymendur, si një lutje monotone fakiri.

Shqiponjat guxojnë edhe të arratisen
E kthehen prapë, aty ku e kanë folenë.
Ndërsa ne kur ta bëjmë njëherë braktisjen
Fillojmë ta urrejmë me shpirt atdhe’n.

Nuk e di ç’do të bëja pa fluturimin e tyre
Dhe pa arratisjen time këtu.
Do të bëhesha si zhguall prej mënxyre
Dhe me mua do të talleshit edhe më shumë ju.

Kur shoh këtu shqiponjat duke u ngritur
Më duket se shoh bijtë e mi duke më ardhur,
Të rilindur dhe tejkohe të përtëritur,
Nga udhëtimi i gjatë nëpër qiej të zbardhur.

Më duket se më afrohen e më thonë:
Baba, ne erdhëm të të shohim dhe një herë,
Pasi atë ditë të lamë në komë,
Të rënë përmbys mbi atë përrua të mjerë.

Nuk arritëm të ta jepnim lamtumirën, baba,
Se plumbat nagoditën si një vetëtimë.
Dita u ngrys e shpejt ra nata hata,
Një natë që bebëzat na i mbushi harrim.

Nuk po vdisnim ne, por ty po të linim
Të rënë përmbys në atë shkurre të tharë,
Që do të vinte liria tashmë ne e dinim
Por pa ne do të ishte si një shqiponjë e vrarë.

Në një kësi çasti bijtë e mi më humbasin
Në varganin e reve të bardha si borë,
Megjithëse më duket vazhdojnë të më thërrasin
Mua që ngrij me këtë shkop në dorë.

Ata kthehen sërish sipër reve, në qiej,
Atje ku nuk arrin shikimi e as mendja ime,
Por nuk e di si ua ndjek fluturimin, si i ndjej
Pranë, si të ishin të futur në gunën time.

Prandaj ma don shpirti në këtë bjeshkë të rri
Në furtunë, në cikmë, në shi e në dëborë,
Të pres djemtë që vijnë e kthehen përsëri
Duke ma mbushur zbrazëtirën në kraharor.

Nuk kam pse kthehem në rrafsh e në qytet
Atje ku po e shkrryeni mizorisht lirinë.
Po e pres shpëtimin këtu krejt i qetë,
Ta zdesh si një gunë të ndotur tejmërzinë.

Ju të çliruarit atje poshtë, vazhdoni
Gjaknxehtë t’ia nxirrni sytë njëri tjetrit,
Por, lirinë që e shkërryeni a e meritoni
Ajo u erdhi nga gjaku i Agonit dhe Shëndetit

Liria që fitohet nga gjaku i djemve riosh
Dhe nga vuajtjet e grave fatmjera,
Liri nuk është, o burra sarhoshë,
Ajo është një sprovë për kohët e tjera.

Ju vazhdojeni luftën që nuk e bëtë,
Unë po u shikoj me neveri nga kjo majë.
Lirinë e gjakut të djemve të mi, si e zhbëtë,
Po ku do ta fshehni kokën pas zhbërjes së saj?.

Pa atdhe e pa liri ne e kemi provuar jetën,
Që nuk na vlente as sa një samar gomari,
Por ne mësuam që moti ta fshehim të vërteten
E të gënjenim se ka trimëri shqiptari.

E provuam edhe kësaj here veten
Dhe ramë përposh, ramë në humnerë.
Guximi e burrëria si kripa në ujë na u tretën
Dhe e pamë veten të mjerë e të stërmjerë.

I pamë si na i vranë para syve fëmijët tanë
I pamë dhe si na i dhunuan gratë e motrat.
I pamë si na grinë e si na vranë,
Si na i dogjën edhe varret edhe votrat.

I patë të gjithë ju, siç i pashë edhe unë
Me zemër të ngrirë, me sy të erërsuar.
As unë nuk bëra ndonjë trimëri,ndonjë punë
Megjithëse bëra një varrimtë padëgjuar.

Ato ditë/ net që më ngërdhesheshin si shtriga
E zbraznin tërbimin e huaj mbi jetët tona,
Unë nuk dija gjë për Sofokliun nga antika,
Nuk e kisha idenë kush kish qenë Antigona.

Atij lloj varrimi nga e para duhej t’ia filloja
Pasi që kujtesën na e kishte fshirë barbaria,
Nga e para do të duhej vetë ta përjetoja
Atë gjëmë që e kish provuar veç njëherë historia.

Më vonë, shumë më vonë, e mora vesh
Që Antigona e theu një dekret,
Ajo kishte varrosur veç një vëlla të lënë në shesh
E jo si unë, që varrosa gjashtëdhjetë.

Ajo e kishte një kufomë, vëllanë, e kishte lehtë,
Ndërsa unë nga t’ia filloja më parë,
Nga im vëlla Nazmiu, a nga bijtë e mi të shtrenjtë,
A nga kufoma fëmijësh të tjerë, që dergjeshin në bar.

Ishte e zorshme të krijoja një radhë me mend
Sepse kisha harruar edhe të numëroja.
Prekja gishtërinjtë, po nuk i ndieja në vend,
Fërkoja sytë me thonj, por asgjë nuk shikoja.

Nuk e dija as kush isha dhe pse isha aty kot
Sabri Popaj po thua, nuk e di a jam, a je i sigurt?
More, mos jam ëndërr unë e nuk po zgjohem dot?!
E po si mund të zgjohet një njeri i gurtë?

Po pastaj e rrokja qartë me mend
Se isha unë, Sabri Popaj dhe se isha i zgjuar,
Dhe se duhej të formoja patjetër një rend
Nga kufoma e djalit të vogël, që e mbaja në duar.

Kush po më ndihte ta dija se kush isha tevona
Dhe se çfarë duhej të bëja vërtet?
Nuk e besoj se ishte ajo motra fatzezë, Antigona,
E dalë nga miti dhe e rikthyer në jetë.

Nuk ishte ajo dhe nuk kishte si të ishte
Sepse atë e paskëshin pasë vrarë sipas ligjit.
Zëri që më fliste, në të vërtetë zëri im ishte,
I dalë nga thellësia e panjohur e shpirtit.

Duke ndjekur atë zë që më dilte i mnerët
e nisa varrimin prej Shendetit e Agonit,
Pastaj vëllain e nipat dhe me radhë të tjerët
Secilin me një lutje sipas zakonit.

Ditën strukesha nëpër shtëpitë-rrënoja,
Mblidhja batanije për t’i përdorë si qefin,
Emrat e të vdekurve nëpër shishe i shënoja
E nën krahë secilit të varrosur ia lija si një kujtim.

Ta dinte toka e zezë cili ishte banori i saj i ri
Dhe ne ta dinim kush kishte qenë ai për të gjallë,
Me shpresën e mjegullt që kur të vinte e shtrenja liri,
T’i rivarrosnim me nderim e t’i ritakonim me mall.

Natë pas nate e varr pas varri, të gjithë i varrosa
Të gjithë, në atë varrezë pa asnjë epitaf.
Krejt në fund edhe pallton time e groposa,
Të kishte edhe shpirti im një kenotaf.

Sepse aty e kam varrosur edhe veten për së gjalli
Dhe jam arratisur e nuk kthehem më.
Edhe në më pjektë mërzia, edhe në më djegtë malli
As kthehem prapa, as lëshoj një zë.

Jam bërë gur nga dhembja dhe jam shkrumbuar
Nga dhembja që nuk e përshkroi as Sofokliu,
Jam blegtor me gunë, me shkop në duar
I rilindur, i përtëritur, unë jam vetë Sabriu.

Dhembjen dhe frikën unë i mposhta vetë
Me durimin që se nga vinte e më bënte trim.
Ndërsa lirinë time tashmë e ruaj përjetë
I arratisur nga liria juaj, të cilën e ndotët me krim.


(Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, më 25 mars 1999, forcat serbe ia kanë ekzekutuar para syve të tij të dy djemtë që i ka pasur, të moshës së mitur. Në atë masakër, atij ia kanë vrarë edhe vëllain,Nazmiun, dy djem të vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, kund dyqind metra larg, ku ishte fshehur,që të mos e pësonte edhe vetë. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllain dhe nipat e tij, si edhe tëjgjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Poashtu mblidhte shishedhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre. Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës, kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj ka një kope dhensh, me të cilat e kalon një kohë, si blegtor në malet e Sharrit.)

Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova (FOTO)

Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova (FOTO)

Milazim Krasniqi ka sjellë librin e tij të fundit “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, ku sipas botuesit të këtij libri “Kosova Pen Center”, për të gjitha këto pyetje dhe qindra të tjera po kaq kurreshtjendjellëse, përgjigjet e vërteta, të dorës së parë, i gjeni në librin e Milazim Krasniqit, shkruan KultPlus.

Në promovimin e këtij libri tashmë janë sjellë pikat në të cilat mund ti interesojnë lexuesit si:

Çfarë fëmijërie pati Ibrahim Rugova?
Kush e keqtrajtonte sistematikisht?
Pse e ëma ia kishte bërë djepit një zgjatim dhe e kishte mbajtur dy vjet në djep?
Kush dhe pse ia ndaloi botimin e poezive, kur ishte nxënës i fillores?
Çka e kishte porositur Ibrahimin mësuesi malazez?
Cilin person nga familja e gjerë e kishte model Ibrahim Rugova?
Çka mendonte Rugova për babain e vet të zhdukur?
Çfarë mesazhi tronditës i erdhi për babain në vitin 1988 nga Velenja e Sllovenisë?
Çfarë shprehish kishte sjellë Rugova nga Parisi?
Cfarë mendimi kishte Rugova për intelektualët e vjetër shqiptarë të Kosovës?
Cilët kolegë ia vidhnin idetë Ibrahim Rugovës dhe botonin tekste me to?
Çfarë mendimi kishte për Sali Berishën e për Alia Izetbegoviqin?
Si e menaxhoi Rugova debatin për ndryshimet kushtetuese të vitit 1988?
Si u soll Rugova në bisedat e shkrimtarëve në Beograd?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj Fadil Hoxhës? Pse e vizitoi në vitin 1989?
Kush e kishte njoftuar Rugovën në vitin 1990 në Uashington se do të bëhej kryetar i Kosovës dhe për ç’farë arsyeje?

Pse mendonte Rugova se “ata të malit” po i merrnin në qafë njerëzit?
Cili është mendimi i saktë i Rugovës për Pjetër Bogdanin?
Çka mendonte Rugova për fenë islame?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj enverizmit?
Pse u organizuan zgjedhjet parlamenare e presidentiale të vitit 1998 dhe kush kend e mashtroi me to?
Kur dhe pse filloi ta humbte durimin Rugova?
A e takoi Rugova Zoran Gjingjiqin në vigjile të kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës?
Si u autorizua intervista e Rugovës me Renate Flotaun për der Shpigel?
Cilat janë sekretet e Kongresit të fundit të shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjevgjeli?
Si u soll Rugova në takimin e parë me ambasadorin Zimerman, për çka i mbajti ligjëratë?
Cilat qenë prapaskenat e themelimit të LDK-së?
Cili ishte qëndrimi i Rugovës gjatë ditëve sa ishte peng i Millosheviqit?
Cilat zhvillime patën ndikim për lirimin e Rugovës?
Çka u bisedua në Shkup mes Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas lirimit të tij nga Millosheviqi?
Si u soll Rugova pas luftës me miqtë dhe me bashkëpunëtorët e vet të afërt?
Kush e kritikonte për gjallje, ndërsa e mbron Rugovën e vdekur dhe pse?
Cili është Rugova i mitizuar dhe cili ëshë Rugova i vërtetë?
Krejt në fund bëhet e ditur se ky libër mund të gjindet në Librarinë Artini./KultPlus.com