Në kinema “Republika” në Shkodër u shfaq premiera e dokumentarit “Zyliha Miloti – aktorja e 1000 roleve”, kushtuar një prej artisteve më të talentuara të humorit dhe një prej figurave më të dashura për publikun shkodran e atë mbarëkombëtar.
Dokumentari, i sjellë me mjeshtëri nga regjisori Arian Çuliqi dhe skenaristja e realizuesja Klodiana Shpendi, u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili e mbushi sallën plot, në këtë ngjarje të veçantë kulturore.
“Ju keni qenë dhe jeni frymëzimi jonë, shpirti jonë, zemra jonë. Dua të falënderoj regjisorin Arian Çuliqi. Një regjisor i mrekullueshëm i 30 e ca filmave humoristikë, i disa shfaqjeve të suksesshme të Estradës së Shkodrës. Sonte kemi të ftuar dhe artistë që kanë ardhur nga larg”, tha Zyliha Miloti.
Aktorja Zyliha Miloti numëron mbi 65 vite përkushtim ndaj artit skenik dhe ekranit, gjë që për regjisorin Çuliqi e bënte më sfiduese punën për figurën e saj.
“Unë e di mirë ç’do të thotë të shpalosësh për një orë gjithë karrierën e 65 viteve të një aktoreje si Zyliha Miloti, që janë aktorë që vijnë një herë në 100 vjet. E rëndësishme është që në këtë dokumentar, për të cilin jemi bazuar në marrëdhëniet e Zylit me kolegët dhe marrëdhëniet e saj me publikun, ndihej një mirësi e saj gjatë punës me ne. Është e palodhur, e jashtëzakonshme”, tha regjisori Arian Çuliqi.
Gjithashtu edhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjetet sociale disa momente nga premiera e dokumentarit, ndërsa shkruan se “u prit me duartrokitje të zjarrta nga spektatorët në nderim të një figure kaq shumëdimensionale si nana Zyli jonë e dashur, së cilës i urojmë shëndet e jetë të gjatë e të vazhdojmë ta shohim në role të tjera!”./atsh/ KultPlus.com
