Ambasadorja sllovene Benedejčič: Librat që arrijnë t’i rezistojnë testit të kohës, janë librat që vlenë të lexohen

Xhemile Hysenaj

Ditën e djeshme, në hapësirën e Librarisë ”Dukagjini” është mbajtur organizimi, tashmë i njohur për publikun, ”Lets’s meet our ambassadors through books”, e cila përa audiencës erdhi me të vetmin qëllim, atë të librit dhe debatit mbi po këtë temë. E ftuar në ngjarjen e djeshme, ishte Shkëlqësia e saj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, znj. Minca Benedejčič, shkruan KultPlus.

Ambasadorja sllovene, para të pranishëmve tregoi se e priti ftesën me kënaqësinë më të madhe dhe se vlerëson shumë kauzën e Shtëpisë Botuese dhe Librarisë Dukagjini për promovimin e librit dhe leximit e se po ashtu ndjehej tejet e lumtur që ishte pjesë e attij bashkëbisedimi. Ajo, fillimisht tregoi për librin e parë që mbante mend ta ketë lexuar, si dhe për faktin se dashuria e saj për librin kishte lindur qysh moti, kur prindërit e saj lexonin për të kur kjo e fundit ishte shumë e re.

”Më pëlqen të lexoj më shumë klasikët, pasi mendoj se librat që arrijnë t’i rezistojnë testit të kohës, janë librat që vlenë të lexohen. Unë rrallë bëjë rekomandime të librave, pasi mendoj se duhet njohur njeriu shumë mirë, për ta bërë rekomandimin e duhur”’, theksoi Ambasadorja znj. Minca Benedejčič.

Mirëpo, ajo tregoi se një nga autorët që më së shumti kishte ndikuar në formimin e Ambasadores ishte edhe Miguel de Cervantes. Ndonëse ajo kishte studiuar “Novelas Ejemplares”, meqë studimet e saj lidhen me letërsinë spanjolle dhe franceze, për ne, zgjodhi që të fliste për kryeveprën “Don Kishoti”. Libri i tretë i përzgjedhur nga Ambasadorja ishte “Kandidi ose Optimizmi” nga Voltaire, që ka gëzuar edhe sukses të madh, por edhe skandal njëkohësisht, për shkak të përmbajtjes. Ambasadorja foli për rëndësinë e këtij libri në letërsi dhe influencën që ka pasur.

Kurse, në fund, Ambasadores iu shtruan pyetje edhe nga audienca, në lidhjeme librat dhe leximin, duke dhënë mesazhin se leximi dhe librat kanë rëndësi tejet të madhe dhe promovimi i tyre është shumë i rëndësishëm.

Ndërkaq, Elion Kollçaku, nga Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ e që është edhe prezantues i këtij debati, ka treguar për KultPlus se qëllimi i këtyre ngjarjeve që tashmë janë bërë të përjavshme, është që të promovohen librat dhe leximi përmes figurave më të larta të diplomacisë, siç janë ambasadorët në Republikën e Kosovës.

”Ishte kënaqësi që Shkëlqësia e saj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, znj. Minca Benedejčič, pranoi ftesën tonë dhe foli për librat e saj të preferuar. Ajo pranoi pa asnjë hezitim ftesën tonë. Ne përveçse po promovojmë librat dhe leximin, u kemi dhënë hapësirë edhe audiencës që të bashkëbisedoj me ambasadorët, e që është edhe një mundësi e rrallë sepse ambasadorët jemi mësuar t’i shohim nëpër ngjarje të tjera politike por rrallë herë takimet e tyre janë të lidhura me librin”, ka theksaur tutje Kollçaku për KultPlus.

Ndër të tjera, Kollçaku ka deklaruar për KultPlus se ka pranuar kritika tejet të mira nga publiku për këto takime, dhe se pritet që të ketë edhe të tjera, por që ky i fundit ka theskuar se emri i ambasadorit të radhës do të bëhet publike në ditët në vazhdim. / KultPlus.com