Margariti: Të angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti garantoi kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve të sekuestruar sot nga Policia e Shtetit, të cilat nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore.

“Falë bashkëpunimit të frytshëm ndërinstitucional u bë e mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.

Ajo theksoi se “Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve të saj të specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe inventarizimit të objekteve të sekuestruara, fotografimin dhe regjistrimin e tyre”.

“Teksa është ende herët për të konkluduar në përkatësinë dhe origjinën e objekteve, duke përgëzuar Policinë e Shtetit në finalizimin e këtij aksioni, Ministria e Kulturës garanton kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve”, shtoi Margariti.

Margariti theksoi se “qeveria shqiptare është angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me institucionet e specializuara ndërkombëtare, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. / KultPlus.com

Çeku në takim me komunitetin artistik në Gjilan në serinë e diskutimeve të hapura për kulturë

Ministria e Kulturës do të mbajë serinë e radhës të diskutimeve të hapura mbi kulturën, përmes bashkëbisedimit në mes të Ministrit Hajrulla Çeku dhe komuniteteve artistike, përcjell KultPlus.

Në kuadër të reformave politike për kulturë takimet me komunitetin artisitk po zgjerohen edhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës.

Diskutimi i radhës do të mbahet në qytetin e Gjilanit, me datën 04.03.2022 në orën 13:00, në Teatrin e Komunës së Gjilanit.

Këto takime kanë për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe fuqizimin e rolit të komuniteteve dhe zhvillimin e politikave. /KultPlus.com

“Një udhëtim në Japoni”, ekspozitë fotografie në Galerinë e Artit

Galeria e Artit në Tiranë, hapësira më e re dedikuar artit dhe artistëve në kryeqytet, mikpriti një ekspozitë fotografie realizuar nga fotografë profesionistë japonezë dhe studentë shqiptarë që studiojnë në Japoni.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki vizituan ekspozitën e çelur me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“‘Një udhëtim në Japoni’ me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, që shpresojmë të ngrihet në të tjera nivele bashkëpunimi”, tha Margariti.

Ministrja Margariti dhe ambasadori Mitsuyuki diskutuan po ashtu edhe për projektet e ardhshme për promovimin e artit dhe kulturës të të dy vendeve./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës për triumfin e ‘Vera Andrron Detin’:Edhe një sukses për kinematografinë e vendit tonë

Filmi kosovar ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës ka fituar çminin për Debutimin Ndërkombëtar në ‘Ingmar Bergmab Competition’, përcjell KultPlus.

Për suksesin e këtij filmi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka uruar gjithë ekipin përmes një postimi në “Facebook”.

“Vera Andrron Detin” nga regjisorja Kaltrina Krasniqi triumfon në Göteborg Film Festival. Edhe një sukses për kinematografinë e vendit tonë. Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës ka fituar çminin për Debutimin Ndërkombëtar në ‘Ingmar Bergmab Competition’. Shumë urime për regjisoren Kaltrina Krasniqi dhe gjithë ekipin e filmit”, shkruhet në postimin e MKRS-së.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./KultPlus.com

Shtyhet shpallja e projekteve fitues që mbështeten nga Ministria e Kulturës

Shtyhet afati për shpalljen e projekteve fitues që përfitojnë mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës.

Lajmin e ka bërë ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se fituesit do shpallen më 10 shkurt 2022.

“Për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe numrit të madh të aplikimeve, kërkojmë mirëkuptimin tuaj në shtyrjen e afatit të shpalljes së projekteve fituese që përfitojnë nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Fituesit do të shpallen në datën 10 shkurt 2022”, tha Margariti. / KultPlus.com

MKRS hap ftesë publike për përkrahje financiare për blerjen e librave për vitin 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur ftesë publike për përkrahje financiare për blerjen e librave për vitin 2022, përcjell KultPlus.

Projektet me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohen me zarf të mbyllur në dy kopje, deri me datën, 28.02.2022 nē orën 16:00.

Për detajet tjera dhe për aplikim bashkangjitur klikoni KËTU./ KultPlus.com

MKRS hap ftesë publike për përkrahje financiare për botimin e librave për vitin 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ftesë publike për përkrahje financiare për botimin e librave për vitin 2022, përcjell Kultplus.

Njoftimi i plotë:

Ftesë publike për përkrahje financiare për botimin e librave për vitin 2022!

Përkrahja financiare u jepet botuesve për veprat e pabotuara të të gjitha gjinive letrare, përfshirë:

Veprat nga krijimtaria letrare e Kosovës,

Përkthime të veprave kulmore të letërsisë së huaj,

Kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.

Projektet me dokumentacionin e kërkuar dorëzohen me zarf të mbyllur në dy kopje, nga data 26/01/2022 deri më 28/02/2022 në ora 16:00./ KultPlus.com

Një muaj paraburgim për zyrtarin e MKRS-së që u kap duke marrë ryshfet nga dy biznese

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili u kap në flagrancë duke marrë ryshfet nga dy biznese.

Sipas Gjykatës, ai po dyshohet për “marrje të ryshfetit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit L.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit L.G. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./ KultPlus.com

Çeku: Salla koncertale do të mbetet te objekti “Gërmia”, për Teatrin e Operas dhe Baletit pritet ndarja e lokacionit

Ardianë Pajaziti

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte Hajrulla Çeku ka listuar sukseset e këtij viti që po lëmë pas, duke e vlerësuar si një kthesë për fushën e kulturës dhe sportit, pikërisht me rritjen e buxhetit që është bërë në këto dy fusha. Çeku ka folë edhe për Sallën Koncertale, objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, propozimin e KultPlus për themelimin e Festivalit të Muzikës në kuadër të RTK-së, e ka vlerësuar si ide të mirë, sikurse që ka folë edhe për kishën ortodokse brenda Kampusit të UP-së.

KultPlus: Jemi në fund të vitit, dhe brenda kësaj periudhe sa edhe po e udhëhiqni Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, e keni vlerësuar si vit që është bërë shumë për fushat të cilat edhe janë brenda kësaj ministrie, në fakt, cila është e arritura më e madhe që e konsideroni edhe si kthesë për kulturën kosovare?

Hajrulla Çeku: Dy shtyllat kryesore të angazhimit tonë në kulturë janë: institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiar, konkurset për drejtuesit, renovimet dhe sigurimi i hapësirave shtesë, janë disa nga veprimet për t’i adresuar nevojat e institucioneve publike të kulturës. Në anën tjetër, mbështetja e përgjithshme për artistë dhe organizata kulturore për vitin 2021 është 3.8 milionë Euro, një rritje prej 60 përqind, krahasuar me vitin e kaluar.

KultPlus: Edhe këtë vit, filmi dhe sporti janë dy fushat më të arrira, ku edhe Kosova është përfaqësuar dhe po vazhdon të përfaqësohet në mënyrën më të mirë, a do të krijoni një fond edhe më të madh për këto dy fusha?

Hajrulla Çeku: Fondi shtetëror për filmin është dyfishuar për 2022, ndërsa buxheti do të rritet edhe viteve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të miratohet ligji i ri për kinematografinë për të krijuar kushte nxitëse për zhvillimin e industrisë së filmit. Buxheti për sportin është rritur gjatë vitit 2021. Mbështetja e përgjithshme për federatat e sportit, klubet sportive dhe sportistët është 6.35 milionë Euro, 57 përqind më tepër se në 2020 dhe 51 përqind më tepër se në 2019.

KultPlus: Serbia vazhdon të krijojë filma për luftën e Kosovës, duke e shtrembëruar të vërtetën, të cilët kanë realizuar filma edhe për Kosharen, Reçakun, duke mos përjashtuar edhe shumë filma dokumentarë po për luftën e Kosovës, a do të duhej të kishim një thirrje të veçantë, për filma me tematikë të caktuar, në mënyrë që të realizohen sa më shumë filma për luftën e Kosovës?

Hajrulla Çeku: Filmat për luftën e Kosovës janë prodhuar dhe do të prodhohen në vazhdimësi. Gjatë vitit 2022 do mbështesim krijimtarinë audio-vizuele për të promovuar të vërtetën mbi luftën dhe shtetin e Kosovës nëpër botë.

KultPlus: Kur jemi te kjo thirrje, duke pas parasysh edhe bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, a do të duhej që një thirrje e tillë të ishte e përbashkët?

Hajrulla Çeku: Veprimtaria filmike ndjek metodën e bashkëprodhimit. Filmi “Zgjoi” është një shembull ilustrues, pasi edhe Shqipëria është njëra nga bashkëprodhueset. Besoj që viteve në vijim do të kemi bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë në fushën e prodhimtarisë filmike.

KultPlus: Prej pasluftës e këndej, çdo ministër ka premtuar ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, por që ende ky objekt mbetet vetëm premtim për zgjedhje. Në ndërkohë, para objektit, ju themeluat institucionin e operës, sa mendon se kemi kapacitet kuadrosh për funksionalizimin e një institucioni të tillë?

Hajrulla Çeku: Institucioni i Operës së Kosovës është themeluar, ka mbajtur koncertin inaugurues, ka miratuar aktet e brendshme, ka strukturën drejtuese dhe është në përgatitje të programit të rregullt vjetor për vitin 2022. Ne jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, dhe në momentin e ndarjes së lokacionit do të shpallet edhe konkursi për projektim, për te vazhduar pastaj me hapat e nevojshëm për ndërtimin e Teatrit të Operës.

KulPlus: E sa i përket objektit të Operës dhe Baletit, sa herë keni folur për këtë objekt, por edhe institucionit nuk iu keni referuar si Opera dhe Baleti i Kosovës “Ibrahim Rugova”, por vetëm Opera dhe Baleti i Kosovës, a ka ndonjë ndryshim në emërtim, pasi që më herët, këtij objekti i janë referuar me emrin e Ibrahim Rugovës?

Hajrulla Çeku: Fokusi im janë puna dhe realizimi i zotimeve. Institucioni është funksionalizuar, në radhë është ndërtesa.

KultPlus: E sa i përket Sallës Koncertale, do të mbetet objekti Gërmia, apo pritet të ketë ndonjë ndryshim?

Hajrulla Çeku: Procesin e ndërtimit të sallës koncertale në objektin e Gërmisë nuk mund ta kthejmë në pikën zero, pasi janë zhvilluar disa faza të procedurës. Viti 2022 duhet të na gjejë me dinamizim të punëve drejt synimit të përbashkët për sallë koncertale.

KultPlus: Ndërkohë, së fundi keni diskutuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën edhe për objektin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, mund të na shpjegoni se ku dhe si do të realizohet ky objekt?

Hajrulla Çeku: Në fillim të vitit të ardhshëm do të ngritet një këshill profesional për konceptimin dhe themelimin e institucionit. Bashkë me Komunën e Prishtinës do ta identifikojmë hapësirën më të përshtatshme ku do të vendoset Muzeu i Artit Bashkëkohor. Bienalja nomade Manifesta do të jetë platforma profesionale e dialogut gjithëpërfshirës për themelimin e institucionit.

KultPlus: Kur jemi te objektet, mund të flasim për objektin e Kishës Ortodokse brenda kampusit, mund të jetë si alternativë për ndonjë projekt kulturor?

Hajrulla Çeku: Për strukturën në fjalë që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ekziston një proces i hapur gjyqësor. Pa përfunduar procesi gjyqësor nuk mund të ndërmarrim ndonjë veprim.

KultPlus: Kur jemi te themelimi i institucioneve, objekteve dhe iniciativave të ndryshme kulturore, Kosovës edhe më tej i mungon festivali i këngës, e që do të duhej të funksiononte brenda RTK-së. E dimë që ende nuk jemi anëtarë të EBU-së, që Kosova të përfaqësohet në Eurovizion, por a nuk do të duhej që Kosova të krijonte një traditë me këtë festival edhe para se të fillonte përfaqësimin?

Hajrulla Çeku: Mendoj që është ide e mirë. Duhet të flasim me RTK-në.

KultPlus: Ndërkohë, kemi një përfaqësim super dinjitoz në nivel ndërkombëtar, kur kemi parasysh suksesin e Dua Lipës, Rita Orës, Erza Muqollit, “Gjon’s Tears” dhe shumë artistëve të tjerë, kur kemi gjithë këta artistë të famshëm, a do të duhej të mendonim më seriozisht për një projekt që mund ti bashkonte këta artistë?

Hajrulla Çeku: Edhe kjo mendoj që është ide shumë e mirë.

KultPlus: Dhe për fund, cili është plani kryesor i vitit 2022, qe është edhe prioritet i MKRS-së, por edhe i Qeverisë së Kosovës, sa i përket fushës së kulturës?

Hajrulla Çeku: Viti 2022 është i reformës në sferën e kulturës. Do ta ndërtojmë bazën e nevojshme për funksionim efikas të institucioneve publike të kulturës dhe partneritet strategjik e fuqizim të skenës së pavarur kulturore. Do t’i dinamizojmë procedurat për Sallën Koncertale, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar./ KultPlus.com

Çeku takohet me komunitetin artistik, diskutojnë reformën në ardhje të politikës kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku është takuar me komunitetin artistik në Kosovë për të diskutuar për reformën në ardhje të politikës kulturore, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Çeku thotë se nga janari do të vijojnë të takohen me komunitetet e librit, trashëgimisë kulturore, vallëzimit, skenës alternative të muzikës, arkitekturës, dizajnit, modës, artizanatet dhe grupeve të tjera në gjithë vendin.  

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij.

Diskutimet me komunitetin artistik për reformën në ardhje të politikës kulturore

Javëve të fundit kemi dinamizuar diskutimet e hapura me komunitetin artistik. Në ciklin e takimeve të rregullta kemi bashkëbiseduar me komunitetet e arteve pamore, kinematografisë, muzikës klasike, ansambleve folklorike dhe teatrit. Nga janari e tutje vijojmë me librin, trashëgiminë kulturore, vallëzimin, skenën alternative të muzikës, arkitekturën, dizajnin, modën, artizanatet dhe grupet e tjera në gjithë vendin.

Synimi ynë i përbashkët është reformimi i sektorit të kulturës. Kemi nevojë për institucione publike të kulturës që kanë pavarësi financiare, qeverisje të qëndrueshme, program cilësor, prezantim ndërkombëtar dhe audiencë të zhvilluar. Poaq i rëndësishëm është edhe rregullimi i bashkëpunimit strategjik të shtetit me skenën e pavarur kulturore, zgjidhja e statusit të artistit të pavarur dhe nxitja e krijimtarisë artistike në gjithë territorin e shtetit.

Shpreh mirënjohjen time për secilin e secilën për pjesëmarrje dhe kontribut. I inkurajoj të tjerët të na bashkohen në diskutimet e radhës. Çdo mendim, kritikë e propozim ka vlerë të madhe në hartimin e dokumenteve të reformës. Koncept dokumenti për kulturën do ta trasojë rrugën tonë drejt ndryshimeve të shumëkërkuara në sferën e kulturës. Bashkëbisedimi me komunitetin artistik është element qenësor i këtij procesi. Duhet ta ndërtojmë bashkë atë që më pastaj do ta zbatojmë bashkë./KultPlus.com

MKRS: Sukses i jashtëzakonshëm për filmin që rrëfen historinë e Fahrije Hotit dhe grave të Krushës

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli sot listën e ngushtë në 10 kategori për edicionin e 94-të të Academy Awards, transmeton KultPlus.

Është shpallur lista e ngushtë për kategoritë: Dokumentar i metrazhit të gjatë, Dokumentar i shkurtër, Film ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, grim dhe stil flokësh, muzikë (rezultati origjinal), muzikë (këngë origjinale), film i shkurtër i animuar, Film i shkurtër Live Action, efekte zanore dhe vizuale.

Në listën e ngushtë për nominimet për Ocsars është edhe filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli ‘Zgjoi’.

Në një reagim në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cilëson si një sukses të jashtëzakoshëm për filmin që rrëfen historinë e Fahrije Hotit dhe grave të Krushës.

“’Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz Oscars në kategorinë e filmave të huaj.
Një sukses i jashtëzakonshëm për filmin që rrëfen historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës.
Krenari.
Shume urime!
”-thuhet në njoftim./KultPlus.com

Bashkëpunim ndër-institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka organizuar sot një tryezë me temën bashkëpunimi ndër-institucional në fushën e trashëgimisë kulturore.

E ndarë në tri panele diskutimi, në konferencë kanë diskutuar drejtuesit e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe profesionistë të kësaj fushe.

Në hapje morën pjesë Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Zanita Halimi – Kryetare e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Kreshnik Bajraktari – zv. Udhëheqës Ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, përfaqësues të institucioneve tjera nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të institucioneve të trashëgimisë, studiues nga Universiteti i Prishtinës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, dhe nga organizatat e tjera të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, ministri Çeku vlerësoi se organizimi i diskutimeve të tilla paraqet një mundësi të mirë që të diskutohen përgjegjësitë, të adresohen sfidat dhe të krijohet një vizion i përbashkët drejt mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Ai gjithashtu tregoi disa nga programet që tashmë kanë filluar nga Ministria e Kulturës, siç janë sistemi i integruar i menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe planifikimit hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe fondacionin Chwb, gjithashtu plotësimi i ligjit sekondar përkatës në bashkëpunim me KKTK.

Ndërsa Ardian Gola, kryetar i Komisionit parlamentar ka thënë se trashëgimia mbetet ndër pasuritë më të çmueshme të Kosovës që fillon me mbrojtje ligjore dhe është me interes bashkëpunimi ndërinstitucional për të ruajtur identitetin dhe historinë e Kosovës.

Në emër të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, kryetare e Bordit, është shprehur se si rezultat i zhvillimit të shpejtë në vend është shumë e nevojshme që të punohet së bashku në projekte konkrete, që kjo fushë të zhvillohet dhe të ruhet./KultPlus.com

MKRS do të dorëzojë këtë jave propozimet për mbrojtje të aseteve të trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se e kanë filluar plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës, i cili sipas tij, do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore. Çeku ka thënë se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Ministri i Kulturës ka folur në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ku këta të fundit kanë thënë se gjendja e monumenteve nuk është e mirë andaj sipas tyre nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional.

Çeku: Gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë kulturore

“Në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore kemi filluar me plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës i cili do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtare. Gjithashtu pas një angazhimi intensiv të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe në koordinim të ngushtë me KKTK-në gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, ka thënë ministri Çeku.

Çeku ka thënë se në muajt e fundit kanë filluar disa programe që sipas tij do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Këtu ai ka përmendur programin e sistemit të integruar të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka thënë se përmes këtij programi do të sigurohet përfshirja e të gjitha të dhënave të kategorive të trashëgimisë kulturore në një platformë të përbashkët e të integruar.

E kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka thënë se ky komision do të mbështesë të gjitha masat shtetërore që ruajnë identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës.

Gola: Komisioni parlamentar për arsim dhe kulturë jep mbështetje maksimale për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së Kosovës

“Sigurisht që na presin sfida nga më të larmishmet kështu që zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i trashëgimisë që tashmë kanë filluar të adresohen me programin qeverisës dhe mbi të gjitha edhe atë legjislativ, kështu që në emër të komisionit parlamentar për arsim dhe kulturë jap mbështetjen maksimale për mbarëvajtjen e masave shtetërore për të ruajtur identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës. Roli, përgjegjësia e punës dhe koordinimi i të gjitha hallkave institucionale është i një rëndësie të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e Bordit të KKTK-së, Zanita Halimi ka thënë se trashëgimia kulturore në Kosovë duhet të mbrohet.

Halimi: Trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik

“Kjo tryezë duhet të shihet si platformë dialogu për të reflektuar në atë çfarë është arritur deri tani si një komunitet i lidhur me vlerat dhe qëllimin e përbashkët dhe atë që duhet të ndërmerret ende. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se trashëgimia kulturore është burim i çmuar në shumë mënyra, trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik, për atraksion turistik, është faktor identiteti, prandaj ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë atë, jo vetëm për rolin e rëndësishëm në rritjen ekonomike në punësim, por veçanërisht sepse është përgjegjësi e jona ndaj brezave të ardhshëm”, ka thënë Halimi./KultPlus.com

MKRS dhe UN-Habitat lidhin marrëveshje për trashëgiminë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UN-Habitat në Kosovë kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen për integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

MKRS ka bërë të ditur lajmin përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare, ku edhe ka thënë se në kuadër të kësaj marrëveshje për tri vitet e ardhshme, parashihet zbatimi i zhvillimit të programit të konservimit të integruar, përmes qasjes gjithëpërfshirëse.

Ky bashkëpunim realizohet nëpërmjet programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë.

Bashkëpunimi i MKRS dhe UN Habitat Kosova, do të bëhet në veçanti për mbrojtjen, zhvillimin, menaxhimin dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe qendrave historike mund të sigurohet nëse arrihet një bilanc ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit të kontrolluar.

Ky program parasheh zhvillimin i projekteve nga fusha e konservimit të integruar, ku përfshihen zhvillimi i udhëzuesit për bazat e konservimit të integruar, studimet e fizibilitietit për zonat e mbrojtura dhe qendra historike, dhe hartimi i planeve të konservimit dhe zhvillimit për zonat e mbrojtura dhe qendrat historike të Kosovës.

Për ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çeku përfshirja e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor, është hap i detyrueshëm në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje efektive, menaxhim dhe zhvillim i kontrolluar i trashëgimisë kulturore në relacion me zhvillimet në nivel të planifikimit hapësinor.

“Ky proces kompleks kërkon angazhim dhe koordinim maksimal nga të gjitha institucionet dhe akterët që veprojnë në këtë fushë”, ka thënë Çeku gjatë këtij takimi.

Ndërkaq, shefi i UN-Habitat në Kosovë, Omar Siddique ka pohuar se Strategjitë Hapësinore të fuqizuara nga kultura, kontribuojnë në modelet e qeverisjes lokale që kanë në qendër njerëzit me qasje nga poshtë-lartë, përmes planifikimit me pjesëmarrje. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja e Suedisë Karin Hernmarck dhe drejtori i Departamentit të Planifikimit Hapësinor Servet Spahiu. /KultPlus.com

Çeku i uron suksese Ferrit: Republika jonë sërish do të pushtojë majat e artit botëror

Jakup Ferri do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias 2022, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar këtë lajm, derisa Ministri Hajrulla Çeku e priti në takim dhe i ofroi mbështetje të plotë.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Çeku përsëri përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, i ka uruar suksese Ferrit.

“Përgëzime për Jakupin, mbarësi në këtë detyrë të rëndësishme. Republika jonë sërish do të pushtojë majat e artit botëror”, ka shkruar ai mes tjerash.

Jakup Ferri është përzgjedhur në mesin e 12 artistëve që aplikuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

Ministri Çeku: Programi i Ringjalljes Ekonomike i MKRS-së me 5.25 milionë euro

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se shifra totale e programit  të Ringjalljes Ekonomike të kësaj ministrie është 5.25 milionë euro me përfitues direkt dhe dhjetëra mijëra përfitues fundorë përmes projekteve artistike, sportive e rinore, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:

Programi i Ringjalljes Ekonomike i Ministrisë së Kulturës me 5.25 milionë Euro, 999 përfitues direkt dhe dhjetëra mijëra përfitues fundorë përmes projekteve artistike, sportive e rinore.

Një angazhim i madh për të nxitur krijimtarinë artistike dhe aktivitetin sportiv, në rend të parë për të çliruruar dhe zhvilluar potencialet e të rejave dhe të rinjve të vendit tonë./KultPlus.com

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështet artistët vendorë me blerjen e veprave të artit

Janë shpallur përfituesit e përzgjedhur nga moduli i blerjes së veprave të artit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ky modul do të jetë i përvitshëm dhe ka për qëllim ruajtjen, mbështetjen dhe promovimin e krijimtarisë vendore bashkëkohore dhe pasurimin e fondit aktual shtetëror të artit.

Të gjitha këto vepra do të inventarizohen, mbrohen dhe të bëhen pjesë e koleksioneve të Galerisë, Bibliotekës Kombëtare dhe muzeve të Kosovës. Ndërsa do të shpërndahen dhe ekspozohen në Institucionet e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

Procesi i përzgjedhjes së blerjes së veprave të artit është bërë përmes dy fazave të vlerësimit ndërsa anëtarët e komisionit kanë qenë: Zake Prelvukaj, Arta Agani, Vesa Sahatçiu, Sislej Xhafa, Eleni Laperi dhe Dita Starova Qerimi.

Listën e përfituesve mund ta gjeni KËTU

Ministri Çeku: Kemi mbështetur artet pamore me mbi 410 mijë euro për shtatë muaj e gjysmë

Të mërkurën në Kino Armata në Prishtinë është mbajtur takimi i dytë i ministrit, Hajrullah Çeku me komunitetin e arteve pamore në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë.

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin artistët, të cilët ministri Çeku i informoi rreth punës që që është bërë në fushën e arteve pamore për këto 7 muaj e gjysmë dhe për idetë për të ardhmen. Ai i ka njoftuar të pranishmit për mbështetjen që u është dhënë arteve pamore gjatë kësaj periudhe.

“Në total nga të dhënat që i kemi tani, mbështetja për artet pamore gjatë kësaj periudhe rreth 8-mujorëshe është mbi 410 mijë euro. Në krahasim me vitin e kaluar kur ka qenë rreth 162 mijë euro, është një rritje e konsiderueshme, por gjithmonë me idenë që vitet në vijim do të kemi një rritje edhe më të madhe.” – deklaroi ministri Çeku, shkruan KultPlus.

“Kemi inicuar garantimin e Statutit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, bëhet fjalë për çështje të organizimit të brendshëm kryesitsht të Galerisë, proces ky që përfundon në fund të këtij viti me hartimin e statutit të ri”- ka thënë ministri Çeku duke shtuar se është iniciuar gjithashtu procesi i reformimit ligjor duke filluar me një koncept-dokument për ligjin për kulturën.

Pas fjalimit të ministrit Çeku iu dha fjala edhe artistëve që të shprehin kërkesat e dhe propozimet e tyre.

Piktori dhe dizajneri grafik, Fehmi Hoxha ka kërkuar nga ministri caktimin e një hapësire për vëndosjen e atelieve të artistëve pamorë. “Ne si, artistë të artit pamor kemi arritur ta prezantojmë në mënyrë dinjtioze shtetin e Kosovës, në shtetet e huaja, prandaj na duhet hapsësira dhe më shumë financim i qëndrueshëm”- shtoi ai..

Ndërkaq, ministri Çeku nisi përgjigjen e tij me lajmin se para dy ditësh ka qenë i pranishëm në hapjen e galerisë së re ‘Galeria e 17, si një nismë për rritjen e numrit të hapësirave për artistët e artit pamor.

“ Rritja e numrit të  galerive është një indikacion i mirë jo vetëm i cilësisë së produktit artistik por edhe një gjallëri nw komunitet. Si ministri kemi një rol lehtësues, janë edhe disa galeri të tjera nëpër komuna që kanë telashe me ekzistu dhe me punu, ne mund t’i akomodojmë edhe brenda skenave të financimit dhe do të provojmë t’i akomodojmë ato.

Kurse Refki Gollopeni, organizator i manifestimit “Festari”, i cili ka pasur sivjet 20 vjetorin e realizimit, vuri theksin tek prezantimi i kulturës dhe artit tonë në arenën ndërkombëtare që të caktohen vende në qendrat e mëdha botërore si hapësira ku do të ekspozoheshin veprat e artistëve të Kosovës.

“Është  shumë me rëndësi që këto organizme kulturore siç është ‘Festari’ ose kolonia artistike ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë profesorë të akademisë të Parisit, Londrës, Agjentina, Koresë së Jugut, Indisë etj. Ne kemi një fond të pikturave që përmban diku rreth 500 piktura e që është i nivelit të jashtëzakonshëm. Një pjesë të pikturave i kemi ekspozuar në hapësirt komunale, një pjesë tjetër në hapësirën e muzeut, por një pjesë të madhe e kemi që rrinë në hapësirat e depos sepse nuk kemi ku t’i ekspozojmë”

Më pas, Ministri Çeku për t’iu përgjigjur kësaj pyetje shpjegoi hapat që kanë ndërmarrë për diplomaci kulturore.

“ E para është emërimi i atasheve kulturore, ne kemi nevojë me dërgu njerëz nëpër ambasadat tona që mirren ekskluzivosht me kulturën dhe prezantimin e kulturës, 2. Janë qendrat kulturore në të cilat kemi diskutimet edhe me qeverinë e Shqipërisë që të mund të jenë të përbashkëta dhe e treat është fondi i mobilitetit” – shtoi ministri Çeku.

Pjesëmarrës të tjerë në këtë diskutim ishin edhe prof. dr. Shyqri Nimani, Zake Prelvukaj,Veton Gusia, Eshfer Qahili, Mentor Avdyli, Haki Xhakli, Adriana Kutllovci, Eshref Qahili, Qëndrim Llugiqi, Rina Gosalci, Naim Spahiu, Vatra Abrashi, Bardhë Nuza,  Dren Maliqi, Naska Gorani, Nita Qahili, Rina Begolli, Klodeta Krasniqi, Bislim Bislimi e Jehona Shyti./KultPlus.com

Margariti: Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, kushte të denja për të bërë art

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar është një premtim madhor, i mbajtur ndaj artistëve, por edhe publikut që meritojnë kushte të denja njëlloj si në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe hapësira bashkëkohore për të bërë art.

“Është një skemë që duhet të pulsojë, jo vetëm nga kujtimet e veprave shqiptare, por edhe nga prania e artistëve e regjisorëve të huaj që do të vijnë”, tha Margariti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2022.

Ministrja Margariti tha se janë 30 objekte të dëmtuara nga tërmeti që jo vetëm po ringrihen, por edhe rijetëzohen. Sipas saj, kjo edhe falë mbështetjes prej 40 milionë eurosh të EU4Culture.

“Kultura vjen me buxhetin më të madh që kjo ministri ka patur ndonjëherë dhe me numrin më të madh të projekteve. Buxheti është mishërimi i një vizioni për të vazhduar me rikthimin e dinjitetit të jetës artistike e kulturore, duke u përqendruar te rimëkëmbja e infrastrukturës dhe duke sjellë mundësi të reja ndaj kulturës dhe të të bërit art”, tha Margariti.

Sipas saj, buxheti 2022 është mbi 4.1 miliardë lekë.

“Buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”, tha Margariti.

Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Margariti tha se janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %. Ministrja theksoi se, në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.

Ajo informoi se ka nisur puna për krijimin e Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave.

“Për të gjithë ata gjumëprishur e fjalë shumë për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave, ju them me krenari se si pjesë e programit EU4Culture do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë dhe do të shndërrohet në një qendër multikulturore. Në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekë, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë. Programi art e zeje do të hyjë në të gjitha shkollat. Ne, me të njëjtën ambicie si atë të TKOB, do të riparojmë Galerinë e Arteve që do të kthehet në një muze dinjitoz, Muzeun e Arteve të Bukura”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se do të zbulohet edhe Mozaiku i Tiranës, një hapësirë mes disa rrugicash ku arkeologët u rikthyen pas më shumë se 40 vitesh dhe rishkruan edhe një herë historinë e gjenezës së këtij qyteti. / KultPlus.com

Margariti: Krijimi i fondacionit “Muzeu Hebraik Shqiptar”, hap historik

Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e fondacionit të menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë.

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i bordit të AADF, Michael Granoff.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi krijimin e këtij fondacioni një hap historik në mendësinë e re të menaxhimit të muzeve.

“Është një hap i rëndësishëm për të arritur diçka që nuk është bërë më parë në Shqipëri. Nëse ka diçka që Fondacioni është i angazhuar, që edhe ministria duhet të jetë e angazhuar, është që të arrijnë gjëra që nuk janë bërë më parë dhe të ruajmë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”, tha Margariti.

Fondacioni i menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë është një institucion që synon tërheqjen e financimeve për ruajtjen e historisë shqiptare gjatë viteve të errëta të Holokaustit.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbështetur edhe ngritjen Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor të shekullit të 21, që do të tregojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shpresë. / KultPlus.com

Kthimi në identitet i urës së Vokopolës në Berat

Ura e Vokopolës, monument kulture i kategorisë së parë në Berat, është kthyer në identitet pas punimeve restauruese.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ‘Berat’ bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i  muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj.”.

Projekti për restaurimin e urës së Vokopolës u hartua dhe u financua nga DRTK Berat dhe Ministria e Kulturës.

Kjo urë, e cila lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët. Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim, i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. / KultPlus.com

MKRS hap konkurs për dizajnimin e logos së Operës së Kosovës: Fituesi shpërblehet me 2,500 euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shpall konkurs publik për dizajnimin e Logos së institucionit Opera e Kosovës, përcjellë KultPlus.

“Të drejtë konkurimi kanë të gjithë artistët nga Kosova, rajoni dhe bota dhe ideja më e mirë e përzgjedhur do të shpërblehet me 2,500 euro”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MKRS.

Vlerësimin e këtyre propozimeve do ta bëjë një komision i themeluar nga MKRS, derisa në website janë vendosur edhe kriteret e duhura./KultPlus.com

Mbahet koncerti ‘Trashëgimia Shpirtërore Rome’

Është mbajtur koncerti me këngë dhe valle të vjetra autoktone “Trashëgimia Shpirtërore Rome”, organizuar në kuadër të ditës ndërkombëtare të gjuhës rome.

Me mbështetje të MKRS, ansambli më i vjetër rom në Ballkan “Durmish Aslano” është rikthyer në skenë pas 10 vitesh.

Këngët e vjetra, të shoqëruara nga muzika autoktone që konsiderohen trashëgimi për më  shumë se 200 vite, me një program shumë cilësor u prezantuan para qytetarëve në këtë koncert që u mbajt në Prizren.

Në këtë ngjarje morën pjesë, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Kryetari Prizrenit, Mytaher Haskuka, Deputeti Erxhan Galushi, zëvendësministri i MKRS, Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit Onur Canhasi./KultPlus.com

Kosova me 4 medalje në Kampionatin Ballkanik të karatesë

Ekipi i përfaqësueses së Kosovës gjithashtu përfaqësues të Federatës së Karatesë në Kosovë të mërkurën u pritën në takim nga ministri i MKRS, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.

Duke i uruar për suksesin që kanë treguar në një garë me kaq shumë konkurrencë ku ishin pjesëmarrës, ministri Çeku i siguroi ata që mbështetja institucionale nuk do të ju mungoj ndërsa i përgëzoj për punën që po e bëjnë me kaq shumë përkushtim.

Karateistët kosovar pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanit të karatesë që u mbajt në Poreq, Kroaci, arritën të marrin 4 medalje. Një medalje të argjendtë e mori Elhami Shabanin dhe tri të bronzta, Fortesa Orana, Herolind Nishevci, si dhe në ekipore, konkurrenca e meshkujve./KultPlus.com