Në kuadër të “Muajit të Librit” përkujtohet Mid’hat Frashëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Mid’hat Frashërin, në kuadër të “Muajit të Librit” me disa fjalë të mençura të thëna prej tij; “Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar.Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota”.

“Me këto fjalë të mençura të një prej mendjeve më të ndritura të kulturës shqiptare, Mid’hat Frashërit, ju uroj një muaj të mbarë”, tha Margariti.

Mid’hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Janinë më 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar. Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”. Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik. Nga viti 1897-1928 botoi me ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”. Në vitin 1909 botoi revistën “Diturija” në Selanik, në Konstancë dhe në Tiranë. Këto revista trajtuan çështje me rëndësi historike, gjuhësore, folkloristike dhe të traditave të popullit shqiptar.

Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike. Në Kongresin e Manastirit (1908) u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912.

U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës së Princ Vidit, u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe Punëve Botore. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore qëndroi në vende të ndryshme të Evropës.

Në vitin 1918 u emërua ministër i qeverisë së Turhan pashë Përmetit dhe anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë.

Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke. Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949. / KultPlus.com

Përkujtohet aktori i shkëlqyer, Agim Qirjaqi

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin Agim Qirjaqi, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi”, tha Margariti.

Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fitoi çmimin e parë në Festivalin e 2-të Filmit, më 1977.

Më pas punoi si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980).

Gjatë kësaj kohe vazhdoi të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu filloi të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdoi edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpretoi rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.

Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.

Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. / KultPlus.com

Llazi Sërbo, aktori që qëndroi jashtë kornizave deri në fund

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot aktorin e njohur Llazi Sërbo, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Kujtojmë sot aktorin elegant, Llazi Sërbo, që qëndroi jashtë kornizave deri në fund”, tha Margariti.

Aktori dhe regjisori Sërbo lindi në qytetin e Korçës më 9 mars 1945 ku edhe mori arsimin bazë. Më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës dhe diplomohet me nota të larta falë talentit të rrallë dhe punës së palodhur.

Pasi përfundoj studimet për aktor, Serbo emërohet pranë trupës profesioniste të teatrit të Korçës ku dhe punoi dhe ushtroi profesionet e aktorit dhe regjisorit për rreth 40 vjet. Në teatrin A. Z. Çajupi të Korçës, Serbo debutoi me dramën “Njolla të Murrme” nga Minush Jeros në 1969, një vepër që u dënua rëndë nga Pleniumi i IV i Komitetit Qendror çka ngjalli një terror në rrethin e artistëve. Ai interpretoi sërish në një tjetër vepër të Jeros “Të pamposhturit” dhe “Mosha e bardhë” e D. Agollit të dyja të kritikuara rëndë dhe të ndaluara nga regjimi komunist dhe për këtë arsye aktorit iu desh të tërhiqej nga skena për disa vite.

Rikthimi i tij më pas qe një sukses i madh i cili vazhdoi. Disa nga interpretimet më të spikatura të Serbos janë “Nusja dhe shtetrrethimi” 1978, “Shembja e idhujve” 1977, “I treti” 1978, “Gracka” 1983, “Kush vdes në këmbë” 1984, “Dasma e shtyrë” 1984, “Tre njerëz me guna” 1985, “Asgjë nuk harrohet” 1985 dhe shumë role të tjera si në skenë ashtu edhe në kinematografi.

Në vitin 1991 Llazi Sërbo vlerësohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në 2009 “Qytetar nderi i Korçës”.

Llazi Sërbo për një kohë të gjatë vuante nga depresioni kronik dhe kjo sëmundje u bë shkak që kreu vetëvrasjen më 12 shtator 2010 në moshën 65-vjeçare. Pranë trupit të tij u gjet edhe shkrimi “Dua të vdes si Bekim Fehmiu”, të cilin e kishte shkruar para aktit të vetëvrasjes. / KultPlus.com

Margariti: Të angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti garantoi kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve të sekuestruar sot nga Policia e Shtetit, të cilat nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore.

“Falë bashkëpunimit të frytshëm ndërinstitucional u bë e mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet t’i përkasin trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.

Ajo theksoi se “Ministria e Kulturës, nëpërmjet institucioneve të saj të specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe inventarizimit të objekteve të sekuestruara, fotografimin dhe regjistrimin e tyre”.

“Teksa është ende herët për të konkluduar në përkatësinë dhe origjinën e objekteve, duke përgëzuar Policinë e Shtetit në finalizimin e këtij aksioni, Ministria e Kulturës garanton kompetencë dhe seriozitet në identifikimin e objekteve”, shtoi Margariti.

Margariti theksoi se “qeveria shqiptare është angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me institucionet e specializuara ndërkombëtare, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. / KultPlus.com

Bienalja e Venecias, Margariti: Lumturi Blloshmi, artiste që fliste përmes artit

U zhvillua dje në teatrin “ArTurbina”, takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj mbi veprën e Lumturi Blloshmit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margriti e cila thekson se, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal.

“Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, theksoi ministrja.

“Ishte frymëzues takimi i mbrëmshëm mes kuratores së pavijonit shqiptar të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes: Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno”, tha Margariti.

“Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë komuniste dhe dëshirës për liri”, u shpreh Margariti.

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. /atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet aktori i njohur Bujar Lako

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot Bujar Lakon, një prej aktorëve më të mirë të skenës dhe të kinemasë shqiptare.“Kujtojmë sot me mirënjohje dhe brengën që na la aq shpejt, aktorin e mrekullueshëm Bujar Lako”, tha Margariti.

Bujar Lako lindi në Tiranë më 23 maj të vitit 1946 dhe ndërroi jetë më 26 dhjetor 2016.

Ai ishte një ndër aktorët më të vlerësuar në Shqipëri për aftësitë e tij në aktrim, i cilësuar si një aktor shumëdimensional. Ai vlerësohej prej kolegëve të tij dhe prej kritikës si një aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte.

Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role nga të cilat veçohen ato në veprat “Vdekja e një Komisioneri” A. Miller, “Ariu”, “A. P. Çehov”, “Vizita e Inspektorit”, “Xh. Pristli” etj., ndërsa në kinematografi, aty ku edhe publiku e vlerësoi edhe më shumë veçohen filmat “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni”, ”Udha e Shkronjave”, si dhe në një nga produksionet më të vlerësuar edhe në Festivalin e Venecias, atë me titull “Muajt e Mjaltit”.

Bujar Lako gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kajro, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.

Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe dekorata “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. / KultPlus.com

Margariti dhe Borrell vizitojnë kantierin e restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar

Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar është një nga kantieret më të rëndësishme, të ngritur falë Programit të Rindërtimit dhe Rijetësimit të “EU4Culture”.

Ky kantier u vizitua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadori e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ministrja Margariti theksoi se, shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart.

“Me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca vizituam sot një nga kantieret më të rëndësishme, atë të restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, ngritur falë Programit të rindërtimit dhe rijetësimit EU4Culture. Shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart”, u shpreh Margariti./ KultPlus.com

Përkujtohet artisti Lukë Kaçaj, zëri i së cilit nuk mund të shuhet

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi artistin Lukë Kaçaj, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.

“Homazh figurës së artistit Lukë Kaçaj, të cilit diktatura ia theu karrierën dhe ëndrrat në mes, por nuk mundi t’i shuajë zërin dhe dashurinë për skenën”, tha Margariti.

Lukë Kaçaj lindi më 19 korrik 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol Shkodër. Që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore. Aty njohu edhe At Gj. Fishtën, At A. Harapin etj.

Luk Kaçaj ra në sy dhe u dërgua të studionte në konservatorin “Çajkovski”, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose “Albanskij Shaljapin”.

Pas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist.

Në vitet 1950-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Tchaikowsky”, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime.

Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.

Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare.

Lukë Kaçaj vdiq më 7 shtator 2001 në Laç. Pas vdekjes është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com

“Një udhëtim në Japoni”, ekspozitë fotografie në Galerinë e Artit

Galeria e Artit në Tiranë, hapësira më e re dedikuar artit dhe artistëve në kryeqytet, mikpriti një ekspozitë fotografie realizuar nga fotografë profesionistë japonezë dhe studentë shqiptarë që studiojnë në Japoni.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki vizituan ekspozitën e çelur me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“‘Një udhëtim në Japoni’ me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, që shpresojmë të ngrihet në të tjera nivele bashkëpunimi”, tha Margariti.

Ministrja Margariti dhe ambasadori Mitsuyuki diskutuan po ashtu edhe për projektet e ardhshme për promovimin e artit dhe kulturës të të dy vendeve./ KultPlus.com

Ministrja Margariti thirrje të rinjve: Ruajeni trashëgiminë tonë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti apeloi sot të rinjtë e Lezhës, por dhe të gjithë Shqipërisë, të respektojnë dhe ruajnë trashëgiminë kulturore, nisur nga ngjarja e ditës së djeshme kur biletaria e Kalasë së Lezhës u dhunua me gurë, të shkulur nga muret e Kalasë.

“Dje, në një të diel kur familjarët zgjedhin të shkojnë me fëmijët e tyre në parqe e monumente kulture, u përballëm me një lajm indinjues. Një dëmtim i rëndë i trashëgimisë sonë kulturore, një akt vandal, pas të cilit fshihet një arsye banale: një video në rrjetet sociale”, u shpreh Margariti.

Duke falënderuar punonjësit e Parkut Arkeologjik të Lezhës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Shkodër, që raportuan ngjarjen, si dhe Policinë e Shtetit për përgjigjen e menjëhershme në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti, Margariti u bëri thirrje jo vetëm të rinjve të Lezhës, por gjithë Shqipërisë, të respektojnë dhe ruajnë trashëgiminë tonë kulturore, këtë pasuri që na kanë lënë në breza.

“Le t’i përdorim hapësirat dhe mundësitë që na jep teknologjia për të promovuar trashëgiminë dhe jo për ta rrënuar atë”, tha Margariti. / KultPlus.com

Përkujtohet Edison Gjergo, piktori që arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, piktorin Edison Gjergo.

“Homazh piktorit Edison Gjergo, që u dënua sepse doli jashtë kornizave të realizmit socialist”, u shpreh Margariti.

Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e realizmit socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste. Në tablotë e tij, vihen re gjithmonë e më shumë tendencat ekspresioniste dhe kubiste, larg shablloneve të ngurta akademike dhe skematizmit që mbizotëronte në këtë periudhë në artin figurativ shqiptar.

Piktori Gjergo zgjodhi tematikën e tablove të tij, brenda rregullave të realizmit socialist. “Era” e një jete politike sociale më liberale që u ndje në fillimin e viteve ’70 edhe në kulturën shqiptare bëri që mjaft piktorë sidomos ata të rinj, të realizonin punimet e tyre në forma artistike “novatore” për kohën.

Ai mori pjesë në disa nga ekspozitat kryesore: në 1966 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative me punimin “Heroina Zonja Çurre”; në 23 nëntor 1970 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, piktorëve dhe skulptorëve të rinj “Rinia në punë dhe në jetë” ku mori  pjesë me një punim: “Kënga e aksioneve”; në 1971 në ekspozitën kombëtare “Pranvera” me dy punime: “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971); në 1972 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative e Rinisë me punimin:”Portret malësoreje” dhe në nëntor 1974 në ekspozitën kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 30-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me punimin: “Tekstilistët”.

Edisoni u arrestua më 13 janar 1975 dhe u dënua me 8 vjet burg me akuzën e agjitacionit e propagandës. Dënimin Edisoni e vuajti në burgun e Spaçit. Pas lirimit nga burgu më 15 nëntor 1982 nuk ishte e thënë që ta linin të qetë. Atij iu dha një tjetër dënim më 1989, i cili nuk ndodhi, pasi më 1989 Edison Gjergo u nda nga jeta./ KultPlus.com

Përkujtohet Genc Leka, poeti i pushkatuar për poezi

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli sot në vëmendje, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, poetin Genc Leka.

“Kujtojmë sot Genc Lekën, poetin nga Bërzheshta që u pushkatua për poezi!”, u shpreh Margariti.
Leka lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzheshtë të Librazhdit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Mes viteve 1959-1962 studjoi në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit. Nga viti 1962 e gjer më 1966, kur dhe u pushua nga puna, punoi si mësues në zonat e thella të Librazhdit.

Në vitet 1967-1968 kreu shërbimin ushtarak në një brigadë pune në Sopot të Librazhdit dhe në Cërrik. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, punoi në fermë dhe në ndërmarrjen pyjore, ku bënte vetëm punë krahu.
U arrestua më 31 gusht 1976 dhe pas njëmbëdhjetë muaj torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim dhe agjitacion e propagandë”, dhe më 13 qershor 1977 u dënua me vdekje, pushkatim.
U ekzekutua bashkë me të kushëririn, Vilson Blloshmin më 17 korrik të vitit 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”.

Më 1994, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Martir i Demokracisë”. Një vit më vonë, emri i tij iu vu një prej shkollave 9-vjeçare të Librazhdit. Po këtë vit iu dha dekorata “Mësues i Popullit”. Në vitin 2009, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u botua vepra e tij e plotë. Më 2010, Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit./ KultPlus.com

Përkujtohet poeti Trifon Xhagjika, i cili u pushkatua në dhjetor të vitit 1963

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot poetin dhe gazetarin Trifon Xhagjika, i cili u pushkatua në dhjetor të vitit 1963.

“Kujtojmë sot të riun që luftoi për fjalën e lirë, poetin dhe gazetarin Trifon Xhagjika”, tha Margariti.

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij erdhi në Tiranë në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë.

Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj.

Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur.

Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Edi Luarasi, aktorja e guximshme që sfidoi kohën

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktoren e njohur Edi Luarasi, e cila u nda nga jeta në 3 dhjetor të 2021.

“Do ta kujtojmë gjithnjë me dashuri Edi Luarasin, këtë aktore të guximshme, që sfidoi kohën e vet”, tha Magariti.

Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940 dhe ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.

U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.

Ajo u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, si dhe me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com

Shtyhet shpallja e projekteve fitues që mbështeten nga Ministria e Kulturës

Shtyhet afati për shpalljen e projekteve fitues që përfitojnë mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës.

Lajmin e ka bërë ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se fituesit do shpallen më 10 shkurt 2022.

“Për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe numrit të madh të aplikimeve, kërkojmë mirëkuptimin tuaj në shtyrjen e afatit të shpalljes së projekteve fituese që përfitojnë nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Fituesit do të shpallen në datën 10 shkurt 2022”, tha Margariti. / KultPlus.com