Mohamed Azizi, një shitës librash 72-vjeçar nga Rabati i Marokut, dhe një nga shitësit e librave më të fotografuar në botë.
Në një vend ku 26% e popullsisë ende nuk di shkrim e lexim, përkushtimi i Azizit për të shitur libra është një akt dashurie, për qytetin e tij, për letërsinë, për fuqinë e dijes dhe formimin e vetes edhe në një moshë aq të shtyer.
Jetim që në moshën gjashtëvjeçare, Aziz ka pasur një fëmijëri të vështirë. Ai nuk mundi të përfundonte shkollën e mesme sepse tekstet ishin shumë të shtrenjta. Por në moshën 15-vjeçare, ai nisi rrugëtimin si shitës librash, duke filluar me vetëm nëntë libra dhe një qilim të thjeshtë nën një pemë në vitin 1963.
Sot, libraria e tij është e mbushur me mijëra libra dhe ai kalon ditët i zhytur në tregime. Lexon nga gjashtë deri në tetë orë në ditë, duke ndalur vetëm për të ngrënë, për t’u falur, për të pirë duhan dhe për të ndihmuar klientët. Kur nuk është në dyqan, ai endet rrugëve duke kërkuar libra të rinj për koleksionin e tij.
Për Azizin, librat janë hakmarrja e tij ndaj varfërisë dhe vështirësive të fëmijërisë. Ai thotë me krenari:
“Kam lexuar mbi 4,000 libra në arabisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht, pra kam jetuar më shumë se 4,000 jetë. Të gjithë duhet të kenë këtë mundësi! Mjafton të kem dy jastëkë dhe një libër për ta shijuar ditën.”
Ideja e Mohamed Aziz mbi librat, shenjon edhe idenë kyçe të vetë letërsisë, atë që jeta imiton artin, idenë e të jetuarit më shumë se një jetë, më shumë se një realitet.
Pas më shumë se 43 vitesh në të njëjtin vend, ai mbetet shitësi i librave më jetëgjatë i Rabatit duke e pasuruar edhe vendin me një bazë kulturalisht të fortë të letërsisë.
Kur u pyet pse i lë librat pa mbikëqyrje jashtë, ai thjesht u përgjigj:
“Ata që nuk dinë të lexojnë, nuk vjedhin libra, dhe ata që dinë nuk janë hajdutë.”/ KultPlus.com