Mu thaftë dora Prishtinë

Poezi nga Hida Halimi

Ti pas meje n’Atlantikun 99

Të kundroj, tek krisi gishtërinjtë,
N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie,
Ç’prej se të lashë Prishtinë.
Ku jam e ç’kohë bën, për mua s’luan gjë.
Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate, që Zoti e di
a vetë gërrhatën në të,
e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.
Të shoh ty:
Pas terrasës me drandofil të ngrirë,
Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku shahen për një çamçakëz,
Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…

Dhe krejt vetëm unë e ti

Ku e thyen qafën miqët e mirë,
Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush për
“Bukurinë e zezë” poetët që i vramë,
Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan
dreqi e rroftë! Kemi frikë.
Ne s’i duam profetët mëkatarë,
Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer
Kujt akordi s’i pengon.
Borë marsi, prilli e maji 9,9 n’këtë pranverë
Dhe fëmijë që hahen si gjelat
Për ndihma humanitare
Pampers, tamël druni dhe… pak dashuri.

Prap ti Prishtinë

Mesditë është dhe rrugët janë shterrë,
Çfarë telefoni idiot!
Askush s’përgjigjet n’te.
Memecëri e ndytë, në gjithë këtë qytet.
Ç’u bë ai det njerëzish?!
T’ëmën e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon,
kush s’e di një barsoletë të mirë!
Sa për një mahi t’idhët, në këtë pikë t’qetësisë,
Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9
Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash
Me folklor të Shumadisë.

Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim.
I dashur mu duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me gisht…
U çart edhe poeti i mbrëmë në këtë qytet!
Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi tjera punë,
I kalojmë ditët në ceremoni varrimi
Mbi arkivole prekim shikim
Dokrra shpirti im, llafe.
Kush tha se gazi u shua?
Përse u çnjerëzua një poet!
Jo, aspak
Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:
Aty kur blejmë supë me kiste,
Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtënë serbë…
Si the?!
Sa pare i ka fytyra pa leqe, nderi e…
Prano.
S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.

Shih çfarë të bëra Prishtinë
M’u thaftë dora e Mira ime,
S’ta shkrova një fjalë të mirë,
Përherë një dorë ethesh më dridhë
Gjithë kjo borë në gji!
M’u marrtë goja, s’ta thash asnjë varg,
Për erën bli në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz
Që pështyjnë tri here Orët e Liga n’gji,
Sa shqip!
Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,
Gjithë këta poet të këqij!
Por, s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.
Më plaçin sytë.
S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për me të marrë me të mirë.
Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në ty.
Ç’e do këngën time verdh si lakra!?
Për këta fëmijë nervoz, që grithen, ngrehen për flokësh
Kur zihen për politikë
Apo për këta etër, që aktrojnë qetësi
Dehen me coca-cola
Teren në tym duhani Ballkanik
Me ambalazh “Marlboro”.
E di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën,
Por, zë besë Kosovë
Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Buzëqeshi i mbrami poet. Vetë miku im.
Tash të shprishin bombat Kosovë,
E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,
E lëkundin dallgët Atlantikun.

Cognace, Francë, korrik ‘99. / KultPlus.com