Tërmeti mbyll dy muze të rëndësishëm në Korçë

Mbyllin përkohësisht dyert dhe ndërpresin aktivitetin dy prej muzeve kryesore në qytetin e Korçës.

Ata janë muzeu kombëtar I arsimit, I njohur ndryshe si muzeu I Mësonjtores së parë Shqipe dhe muzeu arkeologjik.

Shkaku që këto dy qëndra muzeale mbyllen për një afat të pa caktuar, lidhet me pasojat e tërmetit të 1 qershorit që goditi rajonin juglindor.

Gjergji Koki, drejtor I Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare,  e pohoi faktin se këto dy muze janë mbyllur për shkaqe sigurie pas rënies së tërmetit. Ai sqaroi se nga ana e specialistëve të Ministrisë të Kulturës do vlerësohet gjendja dhe masat që duhen ndërmarë për këto objekte.

Ka të dhëna se valët e tërmetit shkaktuan dëme të lehta në objektet ku funksionojnë muzeu I arsimit dhe ai arkeologjik.

Vetë ndërtesat e amortizuara, sidomos ajo e Mësonjtores së parë Shqipe, nuk I përballuan pa dëme goditjet e tërmetit.

Mbyllja e dy qëndrave muzeale në Korçë, është vendosur edhe si masë mbrojtëse për sigurinë e jetës së vizitorëve  pavarësisht se lëkundjet sizmike duken të kaluara në rajonin juglindor.

Ende nuk dihet se kur këto qëndra muzeale do të rifillojnë aktivitetin, ndërsa muzeu kombëtar I arsimit është edhe në projekt restaurimi për gjendjen e amortizuar të ndërtesës.

Shtëpia e Ismail Kadaresë kthehet në muze, Veliaj: Do të jetë epiqendër për turistët

Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes. Por, ky përvjetor vjen ndryshe për njeriun e madh të letrave shqipe, shtëpia e të cilit shumë shpejt do të jetë një muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, kanë nisur pa humbur kohë punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në Rrugën e Dibrës, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë.

“Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli. Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë. E falënderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës, teksa bashkia po eksploron se si do të marrë një rol aktiv edhe në muzetë e qytetit, dhe mbi të gjitha t’i uroj atij jetë të gjatë, shëndet dhe gëzuar ditëlindjen”, tha Veliaj.

Arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë.

“Ky është një vend për të festuar letërsinë dhe një mënyrë për të parë brenda botës së shkrimtarit Ismail Kadare, për të kuptuar kohën kur ai punonte në Shqipëri. Puna për ngritjen e kësaj hapësire është e bazuar tek ndihma e madhe që ka dhënë ai dhe Helena, por edhe nga gërmimet e thelluara për dokumentet dhe jetën e tij. Njerëzit mund të vijnë këtu e të mësojnë me shumë rreth tij, të studiojnë me shumë rreth tij, e në të njëjtën kohë të bëjnë studime të thelluara mbi mënyrën se si jetohej në Tiranë në atë kohë dhe në ato kushte. Mendoj se kjo do të jetë e rëndësishme për gjeneratën e re, për fëmijët, por gjithashtu për Shqipërinë dhe të huajt që vizitojnë Shqipërinë”, tha Elisabetta Terragni./Tiranapost.al/ KultPlus.com

Shpella në Tajlandë do të kthehet në muze

Kompleksi i shpellave në Tajlandën veriore, ku 12 djemtë dhe trajneri i tyre i futbollit mbetën të bllokuar për më shumë se dy javë, do të shndërrohet në një muze.

Zyrtarët e skuadrave të shpëtimit thanë se muzeu do të tregojë se si u zhvilluan operacionet, duke shtuar se ai do të jetë një atraksion i madh për Tajlandën.

Fëmijët e shpëtuar janë në spital dhe po e marrin veten shpejt. Pamje video janë shfaqur që i tregojnë ata në formë të mirë edhe pse do të qëndrojnë në karantinë edhe për një javë. Marinsat tajlandezë po ashtu kanë publikuar pamje dramatike të vetë operacionit, që tregojnë se si zhytësit ekspertë kishin nxjerrë pjesëtarët e ekipit të futbollit Wild Boar, në sipërfaqe.

Shpella Tham Luang, është një nga sistemet më të mëdha në Tajlandë. Ajo është e vendosur nën malet përreth qytetit të vogël Mae Sai, në provincën veriore Chiang Rai në kufirin me Mianmarin.

Zona është kryesisht e pazhvilluar, me kapacitete të kufizuara për turistët. Nuk është e qartë nëse muzeu do të jetë operacional brenda këtij viti, edhe për faktin se Tajlanda është e ekspozuar ndaj përmbytjeve gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në tetor.

Ishte pikërisht fillimi i papritur i sezonit të shirave që bllokoi djemtë nën tokë ndërsa ata po eksploronin shpellën.

Të paktën dy kompani, po kërkojnë ndërkohë të bëjnë një film për të treguar historinë e shpëtimit. Edhe para se 13 të bllokuarit të nxirreshin, studio amerikane Pure Flic, që bën filma frymëzues me tema kristiane, njoftoi se producentët e saj ishin në terren duke folur me punonjësit e skuadrave të shpëtimit, për një film të mundshëm.

Por, sipas studios me bazë në Los Angeles, Ivanhoe Pictures, ajo është zgjedhur zyrtarisht nga qeveria tajlandeze dhe marina për të bërë një film./ KultPlus.com

Shtëpia – shkollë e Herticëve kthehet në Muze

Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, ka njoftuar se Shtëpia e Herticëve – Shtëpia Shkollë në periudhën e sistemit paralel të shkollimit e cila gjendet në Kodrën e Trimave, do të kthehet në Muze, shkruan KultPlus.

Shtëpia e Herticëve në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë. Këtë shtëpi, në të cilën janë shkolluar rreth 10 gjenerata të gjimnazit që sot njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, në kohën e sistemit paralel në Kosovë.

Ndërsa ky muze sipas Rugovës, do të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla.

“Shtëpia e Hërticëve do të kthehet në muze qysh edhe e meriton. Periudha e sistemit paralel të shkollimit ka rëndësi shumë të madhe për popullin e Kosovës dhe si e tillë duhet të kujtohet dhe shpjegohet si duhet për vetë neve që mos ta harrojmë, por të tregohet edhe për gjeneratat e reja që fatmirësisht nuk e kanë pëtjetuar atë.
Gjithsesi ky muze duhet të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla. E këtu duhet veçuar familjen Aliu që e ka ruajtur këtë ndërtesë dhe po vë ate në dispozicion të Komunës për muze.
Faleminderit edhe Emanit për ndihmën që po e jep në këtë iniciativë, së bashku me shumë studiues e qytetarë që s’po e lënë idenë e arsimit paralel të zbehet në harresë”, ka shkruar Rugova./ KultPlus.com

Jahti luksoz i Titos shndërrohet në muze

Jahti i Josip Broz Titos, i njohur si “Galeb”, në të cilin dikur qëndronin yjet e Hollywoodit dhe liderët botërorë, do të shndërrohet në muze në ujë, transmeton AP.

Autoritetet lokale do të riparojnë jahtin në kuadër të projektit në vlerë prej 5.4 milionë eurosh.

Jahti do të marrë një pamje të re dhe ajo pritet të rregullohet gjatë vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Një relikë e Nënës Terezë po ekspozohet në Irlandë (FOTO)

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Një relikë, kujtim nga Nëna Terezë, po e shëtitë botën në një turne për tu ekspozuar në lokacione të ndryshme.

Bëhet fjalë për një pëlhurë/mbulesë burynxhuk e shënuar me gjak të bamirëses dhe e vendosur në kryq, e cila këtë vikend u ekspozuar në Irlandë, shkruan KultPlus.

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Nënë Tereza ka lindur më 1910 në Shkup ndërsa vitin e kaluar u shenjtërua në Romë nga vetë Papa. / KultPlus.com