Ikona “Shën Maria me Krishtin” i shtohet muzeut “Onufri”

Pas një ndërhyrjeje tre mujore në laboratorin e Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri përfundoi restaurimi i ikonës “Shën Maria me Krishtin” e tipit Udhëheqëse.

Ikona me dimensione 88 x 60,5 x 5 cm, me autor anonim, mendohet t’i përkasë shekullit të XVII për nga stili dhe trajtimi artistike.

Sipas Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” kjo ikonë paraqiste shumë problematika, si: plasaritje dhe çarje të suportit të drurit, abrasion të pelikulës piktorike, dëmtime masive dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme, dyll, bojra vaji, parafinë, bloz si dhe oksidim të vernikut.

“Të gjitha këto rrezikonin degradimin e veprës duke mos bërë të mundur për më tepër leximin e qartë dhe të plotë të skenës ikonografike të realizuar me mjeshtëri dhe elegance nga autori. Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke parandaluar degradimin e saj dhe duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës”, thekson Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”.

Kjo ikonë i ofrohet tashme e restauruar publikut të Muzeut Onufri duke pasuruar koleksionin e tij ikonografik. / KultPlus.com

Muzetë e Beratit mirëpritën vizitorët nga Kosova

Sezoni turistik i verës ka përfunduar, por në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat (Muzeu Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik) fluksi i vizitorëve vazhdon të jetë i lartë dhe përherë në rritje duke e krahasuar me vitin e kaluar.

Muzetë e Beratit sot u vizituan nga disa miq special, një grup vizitorësh nga Suhareka e Kosovës të cilët prekën nga afër bukurinë dhe historinë e këtyre vendeve që mbartin në vete koleksione objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

Numri i vizitorëve dhe të ardhurat e realizuara në lekë në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat vazhdojnë të jetë në rritje krahasuar me një vit më parë.Gjatë periudhës janar- nëntor 2018 Qendra Kombëtare e Muzeve Berat ka pasur 58448 vizitorë, 17843 vizitorë më shumë se periudha janar-nëntor 2017.

Qendra Kombëtare e Muzeve me rritjen e numrit të vizitueshmërisë ka realizuar për periudhën janar- nëntor 2018, 9.394.300 lekë të ardhura nga shitja e biletave nga këto 2.463.020 lekë më shumë së periudha janar- nëntor 2017. Vizituesahmëria e këtyre atraksionet turistike tregon se vizitorët gjatë këtyre muajve po tërhiqen nga monumentet e kulturës dhe trashëgimisë tonë. /A.T.SH/ KultPlus.com