Ibrahim Madhi, një ndër figurat më të rëndësishme të muzikës dhe artit të interpretimit

Ibrahim Madhi lindi më 25 nëntor të vitit 1945. Është një ndër figurat më të rëndësishme të muzikës dhe artit të interpretimit Shqiptar. I njohur për formimin dhe muzikalitetin e tij madhështor, muzikanti i shquar ka dhënë një kontribut të çmuar në formatimin e shkollës kombtare të interpretimit muzikor.

Violinisti i shquar u lind në Tiranë më 1945. Pasi mbaron ciklin e plotë të studimeve në Liceun Artistik “J.Misja” Tiranë në 1963, diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në 1968 me rezultate te shkëlqyera. Në vazhdim (1973) ai i kompleton studimet e tij violinistike me një specializim pasuniversitar pranë konservatorit “San Pietro a Maiella” në Napoli (Itali).

Fillimet e aktivitetit të tij pedagogjik i përkasin vitit 1962, më parë si mësues i klasës së violinës në Liceun Artistik “J. Misja” dhe më pas, në 1965, prane I.L.Arteve. Për më shumë se 40-vjet karrierë pedagogjike, ai ka pregatitur breza të tërë violinistësh e muzikantësh të spikatur.

Që në moshë të re dallohet për prirje të veçanta solistike, por kur në vitin 1962, violinisti 16-vjeçar interpretoi plot siguri e autoritet koncertin e Mendelssohn-it, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar nën drejtimin e dirigjentit Mustafa Krantja, skena do të ishte sfida më e madhe e tij.

Në vijim shumë vepra të tjera kapitale të repertorit violinistik do të merrnin jetë nga talenti i mjeshtrit Madhi, në bashkëpunimet e tij me të gjitha orkestrat kryesore shqiptare (Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar, Orkestra Simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit, Orkestra Simfonike e I.L.Arteve, Ansambli i Shtetit, Orkestra e Harqeve të I.L.Arteve etj) si dhe me pianistët e shquar M.Kristidhi, A.Tartari etj.

Për meritat dhe kontributin e tij të veçantë, ai gëzoi titullin më të lartë të artit në Shqipëri: “Artist i Popullit”.

Emri i tij lidhet jo vetëm me të qenurit një solist brilant, por në të njëjtën kohë edhe një drejtues i përkryer i grupeve të muzikës së dhomës dhe orkestrsës së harqeve. Brohoritja për shkollën Shqiptare të interpretimit violinistik, nuk mund të kuptohet pa emrin e Ibrahim Madhit si një ndër figurat qëndrore të kësaj shkolle.

Është ndarë nga jeta më 4 shkurt 2014./KultPlus.com

Muzikanti që nuk shikon, 18-vjeçari kompozon këngë në Gjirokastër (VIDEO)

Andon Çepe është nxënës në shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër.

Djali nga Kalasa e Delvinës e ka të qartë që fëmijë çfarë do të thotë të përballesh me vështirësi. Megjithëse me shikim të limituar ai nisi të shkruante tekste këngësh me ndihmën e familjes kur ishte 13 vjeç dhe i këndonte vetë ato. Klarineta erdhi në jetën e tij si një pasion për kompozimin. Doni siç e thërrasin shokët dhe siç e njohin në botën e artit këndon, kompozon, shkruan dhe frymëzon të tjerët. Puna e tij është shumëfish më e madhe krahasuar me nxënësit e tjerë sepse i duhet të memorizojë çdo gjë.

“Që në fillim që kam nisur muzikën qoftë si këngëtar qoftë si klarinetist që po punoj tani, qëllimi maksimal është të kap skena të larta, thjesht majën. Sigurisht që duhet shumë punë. Mbaj mend pjesën plus që më ndihmon edhe profesori me çdo mënyrë të mundshme kështu që nuk na pengon në asnjë lloj aspekti kjo pjesë për mbarëvajtjen e studimit. Të heqësh dorë nuk ekziston fare në zgjedhjet që bëj”, tha Andon Çepe.

Pak muaj më parë Doni u zhvendos nga liceu “Jordan Misja” në shkollën artistike të Gjirokastrës ku menjëherë u rrethua nga miq të rinj. Edhe Armandi mësuesi i tij i klarinetës beson se talenti dhe këmbëngulja e Donit do të shpërblehet.

 “Andoni është i veçantë në mënyrën sesi ai studion, në përkushtimin që ai ka dhe është një njeri me shumë vullnet. Kjo ishte një gjë që mua më ka habitur vërtetë dhe ma ka rritur edhe mua dëshirën për të gjetur dhe për të kërkuar mënyra më efektive për këtë nxënës. Unë mendoj se aty ku ka dashuri për artin asgjë nuk është e vështirë”, tha mësuesi.

Andon Çepe vetëm 18 vjeç di shumë gjëra për jetën. Ai është rrëzuar dhe ringritur, ka provuar, riprovuar dhe ja ka dalë dhe e ëndërron veten në majat e skenës./tch/ KultPlus.com