Pas Sarandës, kroçera ‘National Geographic Orion’ ankorohet në Durrës

Në portin detar të Durrësit mbërriti kroçera eksploruese “National Geographic Orion”, pas qëndrimit dyditor në portet shqiptare.

Anija, e gjatë 102 metra dhe e gjerë 14 metra, me 50 dhoma dhe një ekuipazh prej 70 marinarësh, do të vijojë më pas lundrimin drejt Kroacisë.

Kjo është vizita e parë që “National Geographic Orion” realizon në Shqipëri, duke sjellë në bord 108 turistë amerikanë të interesuar për turizmin e aventurës dhe ekspeditave.

Durrësi është porti i dytë, pas Sarandës, ku ankoron kjo kroçerë. Turistët do të kryejnë një tur 8-ditor në vende të ndryshme të Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë.

Pas ndalesës në Durrës, udhëtimi i tyre do të vazhdojë drejt Divjakës, ku do të vizitojnë lagunën e Karavastasë dhe pelikanin kaçurrel, ndërsa qyteti i radhës që do eksplorojnë është Kruja.

Gjatë qëndrimit në Durrës, në bord të anijes u zhvilluan shkëmbime kortezie mes kapitenit të anijes, Alex Dudov, dhe kapitenit të Portit të Durrësit, Taulant Allkja.

Ky i fundit theksoi se “National Geographic Orion” do të vizitojë portet shqiptare edhe pesë herë të tjera gjatë këtij viti dhe është planifikuar të rikthehet edhe vitin tjetër. Ai e përshkroi anijen si një simbol të turizmit të aventurës dhe ekspeditave, që po sjell në Shqipëri vizitorë të shumtë nga SHBA.

Kapiteni Alex Dudov u shpreh se shpreson të kthehet shpesh në këtë vend të veçantë të Adriatikut dhe Jonit. Ai nënvizoi se në itinerarin e saj janë përfshirë edhe vende si Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia, ndërsa synimi i tij është të tregojë “Shqipërinë reale” për turistët, duke inkurajuar kështu rritjen e numrit të vizitorëve në vend.

Një nga veçantitë e “National Geographic Orion” është pajisja me mjete zhytjeje dhe mjete të vogla transporti, të cilat u ofrohen turistëve kuriozë për të eksploruar vende dhe relikte nënujore gjatë udhëtimeve të tyre.

Pas qëndrimit dy ditor në portet shqiptare, anija do të vazhdojë lundrimin e saj drejt Kroacisë, duke mbajtur në agjendë edhe shumë vizita të tjera në portet e Mesdheut./atsh/ KultPlus.com