Besa Çejku-Buçinca, prezantuesja ikonë e RTK-së që lajmëroi bombardimet e NATO-s

Prezantuesja e njohur Besa Çejku-Buçinca sot ka dhënë lajmet për herë të fundit në Radio Televizionin e Kosovës.

Ajo do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë njerëzve pasi ishte e para që dha lajmin për bombardimet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Çejku-Buçinca, gjithashtu ka qenë pjesë e Radio Televizionit të Prishtinës.

Lajmin se sot Çejku-Buçinca do të japë lajmet për herë të fundit në RTK, e ka dhënë drejtori, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj, duke e quajtur ikonë Buçincën, ka njoftuar se sonte, ajo do të jetë para shikuesve bashkë me prezantuesin e njohur, Mustafa Muçaj.

“Pas pak në Lajmet Qendrore. Mustafa Muçaj dhe Besa Çejku Buçinca. Edicioni lamtumirës i ikonës së RTP-së dhe RTK-së, Besa Çejku Buçinca.”. / KultPlus.com

NATO dhe BE dënojnë ashpër valën “e tmerrshme” të sulmeve të Rusisë në Ukrainë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe aleatët evropianë, kanë kritikuar valën “e tmerrshme” të sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë lënë të vdekur shtatë civilë dhe kanë plagosur mbi 60 të tjerë, më 10 tetor.

Moska, në anën tjetër, i ka konsideruar sulmet si hakmarrje për veprimet “terroriste” të Kievit, duke përfshirë aty edhe sulmin në fundjavë, në urën e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Kievi dhe disa qytete tjera ukrainase janë shënjestruar në orët e para të 10 tetorit nga disa valë të sulmeve me raketa.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se katër rajone – Lviv, Poltava, Sumi dhe Ternopil – kanë mbetur pa rrymë pas sulmeve, dhe se me probleme të ngjashme mund të përballen edhe qyteza tjera.

Shpërthimet shkundin kryeqytetin e Ukrainës

Disa shpërthime goditën lagjen Shevçenskivski në qendër të Kievit, më 10 tetor. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se raketat goditën “infrastrukturën kritike” të qytetit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia i ka planifikuar me qëllim sulmet në mëngjesin e 10 tetorit për të shkaktuar sa më shumë viktima civile, dhe se ka sulmuar infrastrukturën shtetërore për energji, përmes dronëve të prodhuar nga Irani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 10 tetor se sulmet kanë qenë shenjë e hakmarrjes ndaj veprimeve të Kievit.

Sipas tij, ushtria ruse ka përdorur më 10 tetor “armë precize” nga ajri, deti dhe toka, për të shënjestruar objektet kyçe të energjisë dhe ushtrisë.

Mirëpo si pasojë e sulmeve në Kiev, dhe qytetet tjera të mëdha ukrainase, janë goditur ndërtesa banimi dhe objekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Kam folur me ministrin e jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe kam dënuar sulmet e tmerrshme në infrastrukturën civile të Ukrainës”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë popullin e guximshëm ukrainas për të luftuar kundër agresionit të Kremlinit, aq sa të ketë nevojë”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është “e shokuar” nga sulmet e Rusisë.

“Rusia ia ka dëshmuar edhe një herë botës se çfarë përfaqëson: terror dhe brutalitet”, ka thënë von der Leyen.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it: Kosova në NATO do t’i  kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon dhe Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç`rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.

Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë. Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.

Presidentja Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.

Sipas Presidentes Osmani, ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse 

“Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën. Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare  janë sërish nën sulm”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues. Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel global. / KultPlus.com

Kurti e thotë çartazi: Nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Kosova po merr pjesë në seminarin e 102-të Rose-Roth në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë.

“Liberalizimi varet nga gjithsecili vend i BE-së që ti jap fund skepticizmit sepse nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin e vizave. Ne nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër sepse nuk kemi”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Kosova është vendi më pro-evropian, pro NATO-s dhe më demokratik në Ballkanin e 6-të Perëndimor.

“BE-ja ka treguar se është në favor liberalizimit të vizave për Kosovën, por në vijimësi përsëritet skepticizmi i disa prej vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi plotësuar 95 kritere, kemi përmirësuar imazhin e Kosovën në shkallë shumë të madhe, jemi ngritur për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transaprency International, policia ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit ka arrestuar mbi 2 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivitetit theksoi më tej se mirëpret që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në BE.

“Konsolidimi i brendshëm dhe zgjerimi i BE-së, duhet të zhvillohet krahë për krahë. Mirëpres integrimin e 6 së Ballkanit Perëndimor, kushdo që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja duhet të jetë e kultivuar nga brenda por jo në krye në vetëm, ne kemi nevojë për ndihmë dhe do të vazhdojmë ti kultivojmë vlerat evropiane”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë përgatitjet së bashku me partnerët e NATO-s që Kosova në të ardhmen të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti. /KultPlus.com

Aktori William Baldwin: Dikur thuhej ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’, tani unë them ‘Faleminderit Zot dhe Kosova’ ngaqë tani ne jemi në një rrëmujë

Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë tashmë ka ardhur edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.

Mbrëmë është mbajtur konferenca për media për ardhjen në Kosovë të aktorëve të njohur, William Baldwin dhe Maria Grazia Cucinotta.

Me këtë rast, aktori i njohur amerikan, William Baldwin i cili tashmë është në sheshxhirim për katër ditë, deklaroi për KultPlus se Kosova gjithmonë ka qenë në vëmendjen e tij edhe para se ai të bëhej aktor.

“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri sa kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka kujtuar edhe kohën kur disa kosovarë pas luftës kanë falënderuar Zotin dhe SHBA-të. Ndërsa, ai tani thotë se është koha që Kosova të bëjë të njëjtën pasi që sipas tij, SHBA tani ndodhet në një rrëmujë.

“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani unë them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, thotë Baldwin.

Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendorë siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, etj. / KultPlus.com

Tabloidi britanik: Baza detare e NATO-s në Shqipëri është paralajmërim për Vladimir Putin

“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

 “Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”, kështu e nis shkrimin e saj tabloidi britanik “Ekspres”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

Shqipëria po i dërgon një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin, përpara një takimi të NATO-s për bazën e re detare në vend. Lajmi vjen pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ulet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.  Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi që do të publikojë lajmin më 1 korrik. Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. Financimi do të sigurohet nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53% të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen , shumë më pak se shifra minimale e sugjeruar prej 2%.

Duke folur për planin, Rama tha: “Do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.

Në maj, Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit. E vendosur në jug të Vlorës, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën. Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.

NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant. Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë. Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Pas gati 50 vitesh komunizëm, Shqipëria doli dhe u kthye nga perëndimi, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe me shpresën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së unionit për mjaft kohë.

Sipas  Globalfirepower.com , Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 personel rezervë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Asetet aktuale detare të Shqipërisë përbëhen nga 19 mjete lundruese, të cilat të gjitha përbëhen nga anije patrullimi me detyrë të përgjithshme./ KultPlus.com

Peleshi: Samiti i Madridit, moment i ri historik për NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se Samiti i Madridit është një moment i ri historik për NATO-n.

Peleshi, i cili është pjesë e delegacionit shqiptar në NATO, që kryesohet nga kryeministri Edi Rama u shpreh se në këtë Samit u morën vendime mjaft të rëndësishme për kursin që Aleanca do të mbajë në një situatë delikate sigurie.

“Vëmendje të veçantë në këtë samit iu kushtua Ballkanit Perëndimor, si një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Koncepti i ri strategjik i NATO-s forcon  më shumë sigurinë dhe mbrojtjen në Evropë”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale./ KultPlus.com

Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite, paralajmëron shefi i NATO-s

Perëndimi duhet të përgatitet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në një luftë që mund të zgjat me vite, ka paralajmëruar shefi i NATO-s, transmeton KultPlus.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se kostot e luftës janë të larta, por çmimi për ta lënë Moskën të arrijë qëllimet e saj ushtarake është edhe më i madh.

Komentet e tij erdhën pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson paralajmëroi gjithashtu nevojën për t’u përgatitur për një konflikt afatgjatë.

Stoltenberg dhe Johnson thanë se dërgimi i më shumë armëve do ta bënte më të mundshme një fitore për Ukrainën.

“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës,” tha shefi i NATO-s në një intervistë me gazetën gjermane Bild.

“Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.”

Shefi i aleancës ushtarake perëndimore tha se furnizimi i Ukrainës me më shumë armë moderne do të rriste shanset e saj për të qenë në gjendje të çlironte rajonin lindor të vendit Donbas, shumica e të cilit aktualisht është nën kontrollin rus.

Gjatë muajve të fundit forcat ruse dhe ukrainase kanë luftuar për kontrollin e territorit në lindje të vendit – me Moskën që ka bërë përparime të ngadalta javët e fundit. /KultPlus.com

Finlanda refuzon anëtarësimin në NATO pa Suedinë

Finlanda nuk do të vazhdojë procesin për anëtarësimin në NATO pa Suedinë, kështu ka thënë presidenti finlandez Sauli Niinistöm në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas medieve vendase Helsinki nuk do t’i bashkohet Aleancës nëse problemet e Stokholmit me Turqinë çojnë në shtyrjen e anëtarësimit të Suedisë.

Në një konferencë për shtyp, Niinistö theksoi se propozimi i Turqisë në lidhje me aplikimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO ishte një surprizë totale.

“Kur vizitova për herë të fundit Suedinë, e thashë shumë qartë. Në Suedi është thënë se “puna e Finlandës është e jona”. Në të njëjtën mënyrë, kauza e Suedisë është e jona. Kjo do të thotë që ne shkojmë më tej krah për krah”, ka thënë kryeministri finlandez.

Presidenti i Turqisë Erdogan ka deklaruara  se nuk e sheh ngrohtë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë ne NATO, pasi sipas tij ato janë kthyer në baza të sigurta për anëtarët e PKK-së, të cilën Turqia e ka shpallur organizatë terroriste prej shumë vitesh. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: 23 vjet më parë u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar për 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb.

Rama ka shpërndarë dy fotografi të NATO-s dhe ka shkruar se me hyrjen e trupave të këtij misioni është hapur një epokë e re për shqiptarët e Kosovës.

“Si sot 23 vjet më parë, me hyrjen forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore: NATO-n e shohim si një garanci për siguri e paqe të qëndrueshme në rajon dhe përtej

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të  Samitit për Demokraci të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi, ka mbajtur sot një fjalim të fokusuar në ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani ka theksuar se lufta barbare dhe e paprovokuar e Rusisë kundrejt Ukrainës po e ripërcakton jo vetëm të ardhmen e Evropës.

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Prandaj, sipas Presidentes Osmani, BE-ja duhet të jetë e qartë, azhure dhe e guximshme.
“Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci  sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se vlerat e BE-së janë të mishëruara në ADN-në e shoqërisë kosovare dhe se “rruga e integrimit evropian shërben si udhërrëfyes për zhvillimin tonë institucional dhe qeverisjen e përditshme”.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se zvarritja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të krijojë terren të përshtatshëm në mënyrë që aktorët malinj ta rrisin ndikimin e tyre në rajon.

“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani lufta e para dy dekadave në Kosovë i ka bërë kosovarët ta kuptojnë më së miri luftën që po zhvillohet sot në Ukrainë.

“Kosova menjëherë dhe në tërësi i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet demokratike. Gjithashtu kemi hapur dyert për refugjatët dhe gazetarët, mu sikurse shumë nga ju bëtë për popullin tim në fund të viteve të 90-ta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë dhe të japim edhe më shumë po që se është nevoja”, tha Presidentja Osmani.

“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka përmbyllur fjalimin e saj, Presidentja Osmani.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëkryeministrja, njëherësh ministrre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare. / KultPlus.com

Kurti: Jemi duke i bërë përgatitjet për të aplikuar në BE e NATO

Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka marrë pjesë edhekryeministri Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit, Kurti ka shtuar se tash imazhi i Kosovës ka një përmbajtje më të re si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se Kosova ka shënuar progres të shumtë nëpër fusha të ndryshme, duke përmendur edhe rritjen ekonomike.

“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Kosova veçse ka aplikuar për t’u bashkuar në Këshillin e Evropës, pas përjashtimit të Rusisë. /KultPlus.com

Kurti: Nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së

Për njëmbëdhjetë vjet Iowa luajti rol kyç në ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në të bërit e Kosovës kontribuese të sigurisë në botë, duke e përfshirë FSK-në në misionet e ruajtjes së paqes.

Në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë me të njëjtin ritëm.

Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për shërbimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë.

Ai theksoi angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë për ngritjen profesionale të FSK-së.
Synimi ynë është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë, tha kryeministri Kurti.

Ai nënvizoi nevojën për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për FSK-në.

Lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, pas agresionit dhe invazionit të Rusisë në Ukrainë, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe siguri në rajon dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.

Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku. /KultPlus.com

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri Madeleine Albright, i përkasin të njëjtës fjali

Bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish presidenten, Atifete Jahjaga, i pranishëm në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të ShBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit, ishte dhe kryeministri Albin Kurti, përcjell KultPlus.

Kurti ka shpërndarë disa fotografi nga kjo ceremoni në rrjetin social Facebook, ku krahas tyre shkroi se Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët.

I dhamë lamtumirën e fundit një gruaje që ka kontribuar më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira.

Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.

Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine“, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Senatori amerikan: Është më urgjent se kurrë anëtarësimi i Kosovës në NATO

Senatori amerikan, Chris Murphy ka thënë se tani është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, senatori Murphy tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e tona të përbashkëta për të vazhduar proceset e Kosovës për t’u bashkua si NATO-s ashtu edhe BE-së. Natyrisht se më shumë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit në NATO dhe tani është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova që janë në perfieri të një Rusie të vënë në kënd, që këto shtete të kenë mbrojtje”, ka thënë ai.

Më tutje, senatori Murphy tha se i vjen mirë që Kosova ka pasur përparim në zhvillimin ekonomik dhe në luftimin e korrupsionit.

“Kjo është vizita ime e tretë në Prishtinë dhe më vjen kaq mirë që po dëgjojë për zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm në Kosovë dhe që jeni të fokusuar në luftimin e korrupsionit dhe përparimin që e keni arritur. E kemi filluar vizitën tonë në kampin “Bondsteel” dhe siç e dini ShBA-të vazhdojnë që të kenë një përkushtim të madh për sigurinë në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe vdekjen e sekretares amerikane të Shtetit, Madeliene Albrigt, e ku tha se familja er saj e çmon memorialin e ngritur në Prishtinë për ta përkujtuar rolin e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Na vjen keq dhe natyrisht jemi të pikëlluar për humbjen e sekretares së Shtetit, znj. Albright dhe që familja e saj me të vërtet e çmon memorialin që e keni ngritur këtu në Prishtinë për të përkujtuar rolin që ajo dhe SHBA-të e kanë luajtur për të ndalur gjenocidin në Kosovë”, deklaroi senatori amerikan. / KultPlus.com

Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për 73 vjetorin e themelimit të Alenancës Euro-Atlantike, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Osmani ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s.

“Sot, 73 vjet më parë, anëtarët themelues të NATO-s u bashkuan me një vizion të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sovranitetin. Aleanca na erdhi në shpëtim dy dekada më parë dhe vazhdon të jetë një kontribues i rëndësishëm për paqen në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s!”, shkruan ajo.

Pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Ukrainë, Kosova është angazhuar maksimalisht që të anëtarësohet në familjen e NATO-s. /KultPlus.com

73 vite nga themelimi i NATO-s

NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.

Gjuhët e përdorura nga NATO janë anglishtja dhe frëngjishtja, dhe roli kryesor i kësaj aleance është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake. Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.

Palët mund të ftojnë për akordim në këtë Traktat me akordim anonim çdo shtet Evropian në pozitë të çojë më tutje principet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Çdo shtet i ftuar mund të bëhet Palë e këtij Traktati duke depozituar dokumentacionet e pranimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të njoftojë çdonjërën nga palët për depozitimin e çdo dokumentacion të tillë pranimi.

Aktualisht NATO ka 30 shtete anëtare (nga të cilat 21 janë anëtarë të Bashkimit Evropian). Anëtarja e 30-të e NATO-s zyrtarisht është Maqedonia e Veriut. / KultPlus.com

Emocionet e 23 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 23-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com

Rrëfimi i kolonelit holandez që mori pjesë në bombardimet e 24 marsit 1999 (VIDEO)

Koloneli Peter Tankink, pilot i Forcave Ajrore Mbretërore Holandeze, në natën e 24 marsit 1999, fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, kishte marrë urdhër që të fluturonte me avionët e parë bombardues mbi qiellin e Kosovës.

Si pilot i trajnuar mirë në avionin e tij F-16, detyra e tij ishte që, së bashku me tre avionë të tjerë gjuajtës, t’iu ofronte mbrojtje ajrore dyzet avionëve të tjerë bombardues, për të goditur caqet e para mbi Kosovë.

Papritmas, tre MiG-29 serbë ngrihen në ajër.

Ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, në rrjetin e tij social Facebook pati publikuar rrëfimin e veçantë të këtij piloti hero holandez, se si kishte luftuar mbi qiellin e Kosovës, për lirinë e Kosovës.

Kjo video është realizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Holandës. / KultPlus.com

Presidenti kroat propozoi në samitin e NATO-s që Kosova të pranohet

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Milanoviq këtë e ka thënë në deklaratat e tij pas samitit, raporton “Index.hr”.

“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq.

Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

I pyetur nga gazetarët nëse është thënë ndonjë gjë më e detajuar për Bosnjë-Hercegovinën, Milanoviq, duke marrë parasysh presionin rus ndaj këtij shteti, ka thënë: “Çfarë Serbia, nuk është nën presion rus? Nëse e do atë presion, atëherë le të jetë mbi ta. E Bosnjë-Hercegovina duhet që të rregullojë veten nga brenda pasi nuk ka zë unanim në këtë çështje”, tha Milanoviq.

Milanoviq tha se Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë.

“Serbia nuk është një shtet i krahut lindor, në fakt është në Evropën Qendror e. Ka zgjedhjet brenda pak ditëve dhe kam përshtypjen se ka qenë në krizë identiteti për një kohë të gjatë. Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë”, tha ai./ KultPlus.com

Falë NATO-s, Kosova ‘rilindi’ më 24 Mars

Më 24 mars, pra 23 vjet më parë, me ndihmën e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton u arrit marrëveshja për fillimin e bombardimeve mbi caqet serbe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kthesë e madhe për historinë e kombit shqiptar shënon 24 marsi, me ç’rast jetët e tyre u ‘ri-lindën’ përsëri. Bombardimet e NATO-së ndaj Serbisë treguan dhe vulosën miqësinë e aleatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

78 ditë qëndrimi në shtëpi, më shumë vështirësi dhe çdo ditë duke u shqetësuar se dikush mund t’u trokas në derë dhe të marrë ndonjë anëtar të familjes – kjo ishte frika më e madhe që përjetoi i gjithë populli shqiptar para 23 viteve.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet, forcat policore e ushtarake serbe vranë mijëra civilë, në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. /KultPlus.com

FOTO: Florion Goga (REUTERS)

Më 24 mars mbahet seancë, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Të enjten, më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare, njofton Kuvendi.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.

“Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin dërguar mediave, transmeton Express.

“Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare”, përfundon njoftimi. /Express/ KultPlus.com