Nazim Gruda zgjidhet zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës

Akademiku shqiptar Nazim Guda u zgjodh zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës.

Zgjedhja e tij në këtë detyrë u bë në takimin XII të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Akademive Europiane për Shkencën e Aplikuar në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), ku u mbajt dhe simpoziumi shkencor shoqërues në datat 10-11 tetor 2024 në Bukuresht, Rumani.

Në certifikatën e firmosur nga kryetari i UEAA, prof.dr. Joan Jelev, cilësohet se akad. Gruda do të qëndrojë në këtë pozicion drejtues për dy vjet.

Gruda është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai është një nga specialistët dhe shkencëtarët më të shquar në fushën e hortikulturës në Shqipëri dhe në Europë.

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përgëzoi akad. Grudën për suksesin e arritur.

I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akad. Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.

Akad. Gruda është autor i mbi 300 punimeve shkencore, prej të cilave 100 në Scopus dhe renditet si kërkues me punime me një indeks citimi shumë të lartë.

Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Europës./atsh/KultPlus.com

Akademiku Nazim Gruda hap simpoziumin ndërkombëtar në Athinë

Këto ditë po mbahet në Athinë simpoziumi ndërkombëtar për kultivimin në mjedise të mbrojtura, rrjetat dhe mbulesat e tjera për vendet me klimë të moderuar.

Në simpoziumin për mjediset e mbrojtura marrin pjesë personalitete të njohura të shkencës, mes tyre dhe akademik Nazim Gruda, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nazim Gruda është i njohur për kontributin e tij në hortikulturën e qëndrueshme dhe përmirësimin e cilësisë së perimeve.

Ishte ai që çeli ditën e parë të simpoziumit si folësi kryesor. Gruda prezantoi kërkimin shkencor “Nga serra në tryezë: Ndikimi i kushteve para vjeljes në cilësinë e perimeve në mjedise të mbrojtura”. Prezantimi i akad. Grudës ofron strategjitë më të fundit dhe zgjidhjet praktike për të përmirësuar cilësinë e perimeve në mjedise të mbrojtura.

Simpoziumi do të vijojë punimet me diskutime shkencore deri më 26 shtator 2024. Kjo veprimtari organizohet nga Universiteti Bujqësor i Athinës në Greqi dhe Shoqata Ndërkombëtare e Hortikulturës me qendër në Bruksel./atsh/KultPlus.com

Akademik Nazim Gruda merr certifikatën e ‘Best Scientific Abstract Prize’

Bashkimi i Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe organizoi sot takimin online të Komitetit Drejtues, gjatë të cilit u shpërndanë edhe certifikatat e konkursit me abstraktet/përmbledhjet më të mira shkencore të vitit të shkuar, pas vlerësimit nga një juri ndërkombëtare.

Vendin e dytë e fitoi përmbledhja me titull: “Effect of biofertilizers on leaf yield, nitrate amount, mineral content and antioxidants of basil (Ocimum basilicum L.) in a floating culture” me bashkautor akademikun Nazim Gruda. Akademia e Shkencave të Shqipërisë përgëzoi përzemërsisht autorët e këtij punimi për këtë arritje, duke u uruar suksese të mëtejshme.

Prof. Gruda, një nga akademikët tanë më të shquar, është mbajtës i çmimit “Dr.-Heinrich-Baur”, të Universitetit Teknik të Mynihut në Gjermani dhe “Shkencëtar i shquar” i Akademisë së Shkencave Kineze.

Në Universitetin e Floridës, SHBA, ishte “Courtesy Associate Professor” dhe atë të Virginia Polytechnic Institute and State University si “Research Scholar”, për të përmendur vetëm disa arritje e nderime të tij jashtë vendit. Ai është anëtar, anëtar korrespondent ose nderi i tre akademive evropiane.

Si përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në UEAA, ai shërben si urë lidhëse e akademive evropiane me atë shqiptare e anasjelltas./atsh/ KultPlus.com

Akademiku Nazim Gruda mes fituesve të “Best Scientific Abstract Prize”

Bashkimi i Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA) shpalli fituesit e çmimit “Best Scientific Abstract Prize 2022”, njëri prej të cilëve është akad. Nazim Gruda.

Në konkursin për përmbledhjet më të mira shkencore, akad. Gruda është fitues i vendit të dytë, ndërsa të nominuar ishin edhe akad. Ilia Mikerezi dhe prof. Anila Hoda.

Konkursi u hap në janar 2022. Akademitë anëtare të UEAA-s u ftuan nga komiteti drejtues që të dërgonin abstraktet e punimeve më të mira, jo më shumë se një abstrakt në muaj për çdo akademi. Këto përmbledhje u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare.

Çmimin e parë e fitoi një grup autorësh nga Britania e Madhe me përmbledhjen me titull: “Farm of the Future – Decarbonising Farm Vehicles and Future Fuels”.

Çmimin e tretë e fitoi një grup autorësh nga Italia me përmbledhjen “Essential amino acids: master regulators of nutrition and environmental footprint?”

Në vend të dytë u rendit përmbledhja me titull: “Effect of biofertilizers on leaf yield, nitrate amount, mineral content and antioxidants of basil (Ocimum basilicum L.) in a floating culture”.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë përgëzon përzemërsisht autoren e parë dhe grupin e punës prof. dr. Yildiz Dasgan, nga Turqia, po kështu akademikun e saj Nazim Grudën për këtë arritje, duke i uruar suksese të mëtejshme.

Shqipëria mori pjesë ne këtë konkurs me tri përmbledhje. Përveç çmimit të dytë, u nominua edhe një punim nga prof. Anila Hoda dhe akademiku Ilia Mikerezi. Të gjitha këto aktivitete dëshmojnë rolin aktiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nazim Gruda është përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në UEAA dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj. /atsh / KultPlus.com

Akademiku Nazim Gruda zgjidhet në Komitetin e Bashkimit të Akademive Europiane

Akademiku Nazim Gruda është zgjedhur në Komitetin Drejtues të Bashkimit të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës.

Certifikata për zgjedhjen e akademikut Grudës në Komitetin Drejtues të Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA), si vrojtues, është firmosur nga presidentja e Bashkimit të Akademive Europiane, bashkë me raportin nga asambleja e përgjithshme, ku përmendet zgjedhja e përfaqësuesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Me statusin e vëzhguesit janë edhe akademitë e Spanjës, Portugalisë dhe Britanisë së Madhe.

Si presidente e UEAA-s u zgjodh akademikja Elena Horska nga Sllovakia dhe si zëvendëspresident akademikja Ioan Jelev nga Rumania.

Me këtë rast akademiku Gruda ka paraqitur propozimet për bashkëpunime për vitin 2023.

UEAA u themelua në vitin 1999 në Itali, ndërsa asambleja e parë u mblodh një vit më vonë. Bashkësia e objektivave dhe nevojës për shkëmbim e koordinim të UEAA janë në një linjë me strategjinë europiane për të ardhmen e kërkimit në Evropë (ERA), të tilla si rrjetëzimi i kapaciteteve ekzistuese, bashkërendimi e bashkëpunimi, kërkimi ndërdisiplinor, kërkimi në mbështetje të politikëbërjes së komunitetit në fushat ku ka pasiguri dhe rreziqe.

Si rezultat i përfaqësimit të akademikut Gruda edhe Akademia e Kosovës u bë para disa kohësh anëtare e UEAA./atsh/ KultPlus.com