Anibar mban panelin ‘Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit’

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar, është mbajtur paneli “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit”, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që animatorët nga Kosova dhe Ballkani kanë për të çuar projektet e tyre të animuara përtej kufijve lokalë.

Ky program u zhvillua si pjesë e iniciativës Ask the Pro, duke ofruar një hapësirë bashkëbisedimi
dhe shkëmbimi idesh për krijues të rinj dhe profesionistë të fushës, të cilët patën mundësinë të
dëgjojnë nga zëra të rëndësishëm të industrisë globale.

Diskutimi, i cili u hap me pyetjen: “Çfarë e pret të ardhmen e animacionit?”, u moderua nga
Aneta Ozorek, Drejtoreshë Artistike e Festivalit Kaboom në Holandë, ndërsa pjesë e panelit
ishin:

● Corinne Destombes, Shefe e Zhvillimit në studion franceze Folimage
● Britt Raes, regjisore dhe ilustratore nga Belgjika
● Olivier Catherin, etnolog dhe përkrahës i animacionit në Francë
● Aaron Wood, bashkëthemelues i “Slurpy Studios” në Londër
● Lucia Dubravay Trautenberger, menaxhere kulturore dhe gazetare

Sipas Olivier Catherin, financimi i animacionit në nivel evropian nuk paraqet ndonjë problem të
madh, megjithëse sfidat ekzistojnë. Ndërkaq, Corinne Destombes theksoi ndryshimet e fundit në
treg: “Para një viti do të thoja se kompanitë e mëdha e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ato
të vogla. Sot ka më shumë fleksibilitet, por sigurimi i financimit mbetet ende një sfidë.”

Nga perspektiva sllovake, Lucia Dubravay Trautenberger foli mbi realitetin sfidues të vendeve
më të vogla, duke theksuar se “po mësojmë si të shesim filma, e fillojmë që nga fillimi. Ka
shumë institucione arsimore, dhe megjithëse është shumë e vështirë, duhet të mendojmë
strategjikisht për të rritur rrjetet tona.”

Sipas regjisores belge Britt Raes, vështirësitë ekonomike përplasen me pasionin krijues, dhe
fatkeqësisht “çmimet rriten, ndërsa fondet jo.”

Në fund, Aaron Wood i nxiti të gjithë të mendojnë përtej kufijve, duke i ftuar të shohin të
ardhmen si një hapësirë ku mund të bashkëpunojnë të gjithë dhe të tejkalojnë lokalizmin në
industrinë e animacionit.

Për krijuesit e rinj nga Kosova, panelistët theksuan nevojën për edukim mbi industrinë. “Një nga
problemet më të mëdha është se shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e kuptojnë të gjithë
ekosistemin, si funksionon financimi, si të navigosh në festivale, si të prezantosh projektet në
mënyrë efektive.”

Seanca përfundoi me një bashkëbisedim të hapur ndërmjet panelistëve dhe animatorëve të rinj
kosovarë, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe kërkuan këshilla konkrete./ KultPlus.com