Ndryshimi i klimës do të shkaktojë pandemitë e ardhshme

Merrni tregun e Vuhanit në Kinë, një shkaktar i mundshëm i pandemisë së Covid-19, dhe shtrijeni atë në një nivel planetar: Ndryshimi i klimës po e transformon Tokën në një pellg të madh patogjenësh në ajër të hapur, gati për të kërcyer nga njëra kafshë në tjetrën.

Rritja e temperaturave, po detyron gjithnjë e më shumë specie të migrojnë në zonat tashmë të pushtuara nga njeriu, duke favorizuar kontaktet me kafshët e tjera dhe shkëmbimin reciprok të mijëra viruseve. Pandemia e ardhshme, do të lindë pikërisht nga këto kontakte, thotë një artikull i botuar së fundmi në revistën “Nature”, që shqyrton marrëdhëniet midis ngrohjes globale dhe të gjithë viruseve që kolonizojnë gjitarët.

Sipas shkencëtarëve në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, kafshët e afta për të strehuar rezerva të rëndësishme virale, dhe po ashtu për të rrugëtuar në distanca të mëdha –siç janë lakuriqët e natës – për të gjetur habitatin e tyre në klima më pak të nxehta, do të ndeshen për herë të parë me gjitarë të tjerë.

Prandaj, patogjenët e aftë të shkaktojnë një pandemi, si Ebola ose koronaviruset , do të kenë mundësinë të kolonizojnë zona të reja dhe të shumohen tek bujtësit e rinj, që mund të veprojnë si një trampolinë për tek njerëzit.

Destinacionet e reja të kafshëve, do të përkojnë gjithnjë e më shumë me zonat me një densitet të lartë të popullsisë njerëzore, duke u bërë vatrat e reja të nxehta për një përhapje të mundshme të pandemisë. Ky proces është tashmë duke u zhvilluar tashmë në një botë që ka arritur një temperaturë +1.2 ° C më të lartë se nga epoka para-industriale, dhe kur njeriu e ka tejkaluar konsumin e habitateve dhe burimeve.

Por studimi shkon një hap më tej, dhe sugjeron se kriza klimatike do të bëhet faktori kryesor i rrezikut për shfaqjen e pandemive të reja, madje më shumë se sa shpyllëzimi , trafikimi i kafshëve ekzotike apo përhapja intensive e blegtorisë dhe bujqësisë.

“Ne shqetësohemi për tregjet, sepse kontakti me kafshë që nuk janë të shëndetshme, dhe kombinimet e panatyrshme, krijon mundësinë e shfaqjes graduale të sëmundjeve të reja. Ashtu si SARS që kaloi nga lakuriqët e natës tek vjedulla, dhe nga vjedulla tek njerëzit.

Por tregjet nuk janë më vende kaq të veçanta. Pasi me ndryshimin e klimës, ky proces do të bëhet realitet për çdo vend natyror, thotë Kolin Karlson, autori kryesor i studimit.

Përveç shkaktimit të pandemisë së ardhshme, shkëmbimi i viruseve mund të kërcënojë shëndetin e kafshëve, si dhe të rrezikojë ruajtjen e specieve të përfshira. Prandaj, do të jetë inevojshëm kombinimi i studimeve mbi migrimin e kafshëve për shkak të ngrohjes globale,me një mbikëqyrje në kohë të rreziqeve epidemiologjike të lidhura me të.

“Kur një lakuriq nate brazilian udhëton deri në rajonin e Apalasheve në SHBA, ne duhet të shqetësohemi se cilët virusë janë duke e shoqëruar atë. Vetëm duke u përpjekur të identifikojmë në kohë reale këto kapërcime midis specieve, do të jemi në gjendje të parandalojmë që ky proces të përkthehet në përhapje të tjera apo pandemi të tjera”, thekson Karlson. / Focus – Bota.al / KultPlus.com