102 vite më parë lindi intelektualja Nermin Vlora, stërmbesa e Ismail Qemalit

Nermin Falaski Vlora, lindi më  18 prill 1921 në Tiranë, ka qenë shkrimtare, intelektuale dhe studiuese shqiptare, stërmbesë e Ismail Qemal bej Vlorës, shkruan KultPlus.com.

Nermin Vlora, qysh në shkollën e mesme kishte filluar të merrej me shkrime e përkthime nga gjuha frënge e italiane për radion e Tiranës.

Më pas me largimin e saj në Itali, ajo filloi  të studionte shkencat juridike.  Njohja e disa gjuhëve të huaja, e ndihmoi në gjurmimet e saja njëzet vjeçare mbi çështjen etruske ku bëri deshifrime-përkthime të kësaj gjuhe nëpërmjet të idiomave të gjuhës shqipe. Ajo pohonte gjuha etruske mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.

Ndër veprat më të njohura të saj janë: Zotëruesi i kohës, Nga gjysëmhëna tek hëna, Momente kolumbiane, Enesërmja e Kohës; Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët; Etruskishtja gjuhë e gjallë etj.

Nermin Vlora Fallaschi ndërroi jetë në vitin 2004 duke lënë pas vehtes një pasuri, një monument të gjallë shkrimesh me një vlerë të jashtëzakonshme.

Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe studjuese erudite, numëron mbi 35 vëllime poetike, romane, studime, etj.

Ndërkaq me rëndësi për kulturën shqiptare është studimi i saj: “Lashtësia e gjuhës shqipe –sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”./ KultPlus.com