Ekspozita ‘Nga lufta në liri’ hapet në Bibliotekën Kombëtare në nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita dokumentare me titullin “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”.

Kjo ekspozitë, e organizuar nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet katër institucioneve kyçe: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe kryeministri në detyrë z. Albin Kurti dhe kryesuesi i seancave të Kuvendit të Kosovës, z. Avni Dehari.

Përmes materialeve të rralla dhe me vlerë të veçantë historike — libra, dokumente, kujtime personale, artikuj të medieve të kohës, fotografi dhe artefakte — ekspozita na ndihmon të ndërtojmë një pasqyrë më të thellë dhe më të plotë të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.

Me fjalë përshëndetëse në hapje u drejtuan: znj. Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, z. Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe z. Mehmed Xhemajli, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar, që përmbledh pamje nga lufta, raportime të medieve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me zhvillimet dhe krimet e luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë ofron një mundësi të çmuar për reflektim dhe ndërgjegjësim historik, duke mos qenë vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe vlerësim të sakrificës për liri.