Rama: Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ngjarje historike për vendin

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, konsiderohet si një ngjarje historike për vendin.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në rrjetet sociale se “Shqipëria ka kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane”.

Samiti është i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024.

Ai konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.

Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu në Samit do të bëhet vlerësimi i progresit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së.

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Po ashtu, udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.

Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit.

Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit./ KultPlus.com

Kurti publikon marrëveshjen e nënshkruar në SHBA: Ngjarje historike për Kosovën

Pas marrëveshjes që Kosova e nënshkroi me SHBA-në në Washington, Kryeministri Albin Kurti sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku edhe ka bërë publike këtë marrëveshje 236 milionë dollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përcjellë KultPlus.

Këtë marrëveshje, Kurti e konsideron një bashkëpunim historik.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Washington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.

Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.

Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje. / KultPlus.com