Filmi shqiptar i regjisorit Gentian Koçi me distributor ndërkombëtar

Variety, një nga revistat më të njohura amerikane, e përqendruar në aktivitetin artistik e kulturor, ka shkruar së fundmi për filmin e regjisorit shqiptar Gentin Koçi, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

Filmi po bën bujë ende pa pasur premierën e tij botërore e cila do të ndodhë së shpejti në Festivalin Ndërkombëtar të Tallinn-it. Sipas Variety, filmi i Gentian Koçit do të ketë distributor kompaninë M-Appeal, kompania e shitjeve me seli në Berlin.

Lajmi konfirmohet nga vetë kompania M-Appeal e cila në faqen e saj online shkruan se “janë të lumtur me blerjen e re”.

Maren Kroymann, drejtoresha menaxhuese e M-Appeal, ka deklaruar se në M-Appeal dëshirojnë filma që na bëjnë të kuptojmë më mirë botën nga këndvështrime të ndryshme.

“Kjo dramë e drejtuar nga narrativa sjell publikun në universin intim të binjakëve që nuk dëgjojnë, Agimi dhe Gëzimi. Është një film pothuajse pa dialog të folur, por që shpreh fuqishëm se komunikimi dhe dashuria nuk kanë nevojë për fjalë”, është shprehur Kroymann.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është kandidatura zyrtare e Shqipërisë për çmimet Oscars. Regjisori e përshkruan filmin si një dramë ekzistenciale. Filmi rrëfen lidhjen e fuqishme të 2 vëllezërve binjakë, të shurdhët, të cilët mësojnë se bashkë me dëgjimin do të humbasin edhe shikimin.

Aktorët kanë studiuar 6 muaj për të mësuar gjuhën e shenjave. / KultPlus.com