“Një histori e vërtetë”, filmi shqiptar triumfon në Festivalin e Genova-s

Një film shqiptar, dorë e disa kineastëve të rinj po korr sukses në disa konkurse ndërkombëtare. I fundit, këtë javë që u mbyll ishte shpallja në festivalin e filmit në Genova si “Best International”.

Filmi “një histori e vërtetë” e regjisorit të ri Viron Roboçi, një kineast delvinjot, është një pikturë tragjike por reale e vuajtjes nën diktaturë.

Filmi me metrazh të shkurtër ka në thelb mesazhin kundër dhunës e harresës kolektive si sëmundje popullore.

Historia e filmit tregon një ngjarje të vitit 1950. Tre anëtarë të një familjeje shpallen fajtorë dhe dënohen për vrasjen e vajzës së tyre pasi ajo u divorcua. Çdo gjë fillon me zhdukjen e vajzës, shkruan Te Sheshi. Katër vjet më vonë, autoritetet iniciuan një hetim që përfundoi me shpalljen e të gjithë anëtarët e familjes si “fajtor për vrasje.”

Është një vepër tejekëput metaforike që luan fuqishëm me gjuhën e vërtetë të kinematografisë dhe që drejtor të fotografisë ka një mjeshtër të madh si Nino Sebastiano Celeste, italiani që ka punuar me Felinin dhe emrat e mëdhenj të neorealizmit.

“Një histori e vërtetë” së shpejti do të paraqitet edhe në festivalin e Nju Jorkut, ku është përzgjedhur si një nga veprat më pikante. Dhe më e bukura është se ky film nuk ka marrë asnjë mbështetje nga projektet e Ministrisë së Kulturës apo Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Është përgatitur totalisht me paratë e kineastit të ri, i cili ka studiuar regjinë në Trieste.

Suksesi i “Një Histori e vërtetë”, ka nxjerr në pah pikërisht deformimin dhe krizën e kulturës në vend ku fondet dhe mbështetja asnjëherë nuk bëhet mbi vlerat.

Duhet përmendur se pjesëtar i jurisë në festivalin e Genova-s, “Video Festival Imperia” ishte i madhi Remo Girone, që për shqiptarët njihet si Tano Caridi tek “Oktapodi”./ KultPlus.com