‘Let’s meet our ambassadors through books’, njohja e figurave të rëndësishme diplomatike në Kosovë përmes librave

 Flonja Haxhaj

Në ambientet e Shtëpisë Botuese ‘Dukagjini’, është mbajtur takimi që do të jetë i përmuajshëm, ‘Let’s meet our ambassadors through books’, e që ka për qëllim njohjen e këtyre figurave të rëndësishme politike, jashtë misionit të tyre diplomatik dhe ajo për të cilën ata janë paraqitur në media, shkruan KultPlus.

Mysafiri i parë i ‘Let’s meet our ambassadors through books’ është ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili ka shpalosur rëndësinë e librave në formimin e karakterit dhe jetës së tij.

Ai me fillim të këtij debati tregon se është rritur në një vend në Anglinë Verilindore, ku qysh në moshën 13-vjeçare ishte bërë bibliotekar kryesor.

“Kur unë isha në shkollë në Anglinë Verilindore, në vitin e tretë kam qenë bibliotekar kryesor, që i bie kam qenë bibliotekar diku rreth moshës 13-vjeçare. Librat dhe të lexuarit kanë role të ndryshme në jetën tonë, kjo është arsyeja pse unë mendoj se të lexuarit është kaq  i rëndësishëm. Nëse ju i pëlqeni librat, çka ndodhë, është se ju përfundoni duke e pasur një lidhje shumë të fortë me to. Ju lexoni për arysye të ndryshme, kjo është ajo që ju bën juve të lexoni” – thotë ambasadori Abbot duke shtuar se ndonëse ka mënyra të ndryshme të të lexuarit, ai më së shumti i preferon librat e printuar.

‘Nëse vini në rezidencën time dhe shikoni në raftet e librave, ju do të gjeni shumë libra për historitë ushtarake, historinë e Romës, Greqisë antike, luftës civile në Amerikë, në anën tjetër do të gjeni libra rreth shpresës, natyrës, gjendjes së qenies njerëzore, do të gjeni poashtu edhe libra rreth menaxhimit dhe lidershipi, të cilat i kam nga babai im”- thotë  Abbot duke folur rreth zhanreve të librave që ai lexon.

Një ndër librat për të cilat ambasadori Abbot ka vendosur të flasë është libri ‘The Hobbit’ nga autori JRR Tolkien.

“Unë isha 9-vjeçar, kur në shkollë çdo të hënë, mësuesja na e linte nga një libër për të lexuar, një ndër ta ishte libri ‘The Hobbit’, të cilin e lexoja çdo verë. Vendi im atë kohë kishe shumë probleme, shumë fabrika po mbylleshin, kështu që nuk ishte vendi më i lumtur për të jetuar, e të lexuarit e këtij libri ishte një mënyrë për t’u larguar nga kjo gjendje. Ky ishte një libër aventuresk, ku fliste për disa krijesa që ishin duke pasur një jetë të ngjajshme me atë që secili nga ne po e jetonte.” -thotë Abbot duke shtuar tutje se të lexuarit nuk duhet të ndahet në mosha.

Abbot ka përzgjedhur të flasë edhe për novelat e Maigret, e për të cilat ai thotë se është e pamundur të zgjedhë se cila është e preferuara e tij. Ai cilëson detajet që e karakterizojnë këtë autor.

Gjithashtu, ambasdori ka folur për preferencat aktuale që ai ka në lexim. “Preferencat aktuale janë më shumë për tregimet që kanë të bëjnë me ‘pse’ dhe jo se ‘si’, nuk jam adhurues i atyre tregimeve se si ka ndodhur ngjarja por se pse ka ndodhur ngjarja”- thotë Abbot, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, Elion Kollçaku, nga Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ e që është edhe prezantues i këtij debati, flet për KultPlus për këtë ngjarje e cila do të vazhdojë edhe për muajt në vazhdim.

“‘Let’s meet our ambassadors through books’ është një iniciativë e Shtëpisë Botuese ‘Dukagjini’ ku për çdo muaj do të jetë një ambasador i vendeve të huaja pjesëmarrës në librarinë ‘Dukagjini ‘, ku do të flasë për gjithë librat që ka lexuar, do të ndajë përvojën e tij mbi librat dhe leximin do të shpërndajë mesazhe për leximin tek të gjithë pjesëmarrësit në këto evente.”- thotë Kollçaku.

Ai tutje tregon se pse pikërisht janë përzgjedhur ambasadorët për të qenë pjesëmarrës në këto ngjarje e jo figura të tjera shtetërore.

“Eventi është bërë i tillë me ambasadorët e vendeve të huaja, për shkak se janë kasta më e lartë diplomatike dhe që kanë ndikim shumë të madh në Republikën e Kosovës dhe janë pikërisht ata si infulensues që ndikojnë direkt në rritjen e lexueshmërisë, në rritjen e ndikimit të librit dhe prandaj vendosëm që të jenë pikërisht këta persona që do të jenë pjesëmarrës në këto evente të përmuajshme”- shton Kollçaku për KultPlus.

Ai ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim do të mësohet edhe emri i ambasadorit që do të jetë pjesëmarrës në takimin e radhës në Shtëpinë Botuese ‘Dukagjini’./KultPlus.com