Ekspozita e Gazmend Lekës “Noe” apo kaosi i shndërruar në rregull nga heronjtë

Ditëve të vështira të pandemisë nuk mund t’i mungonin edhe përjetimet krijuese të piktorit të njohur dhe të dashur për publikun, Gazmend Leka, ekspozita e të cilit “NOE” u çel disa ditë më parë në mjediset e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve.

Ndoshta tema që trajtojnë punimet, ndoshta edhe atmosfera që nxit kërkimin për të bukurën dhe shpresën kanë sjellë publik të shumtë pranë ekspozitës, ashtu si shprehet vetë piktori “ndoshta më shumë nga ekspozitat e mëparshme”.

Shpeshherë në momente vështirësie njeriu kërkon ngushëllim dhe të përbashkëtat e jetës dhe ai i gjen këto elemente tek arti.

“Ajo çka kam ndërtuar unë në këtë ekspozitë janë pikturat, s’kam bërë filozofinë e shpëtimit të njeriut. Unë kam bërë thjesht një pikturë që ose të emocionon ose jo, por ajo që është kryevepra është se ndonjëherë njerëzit janë shumë sensibël për pësimet që i ndodhin atij në vetën e parë. Si popull neve shpeshherë jemi përmbytur. Vepra e artit nuk duhet të jetë një më një me realitetin por kur ti e di se si ta prekësh nervin e publikut atëherë them se vepra shkon në vendin e duhur. Ka një sukses që duhet ta meritoj sepse është një punë që artisti e bën për një kohë të gjatë”, u shpreh piktori Leka.

Kjo ekspozitë ishte pjesë e një triologjie pasi më parë janë hapur dy ekspozita të emërtuara “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”. Përmbyllja e këtij cikli triologjik u titullua “Noe” sipas artistit sepse ai ka centruar një personazh, atë që shpëton veten dhe më pas edhe kafshët.

“Sigurisht, qëllimisht e emërtova ekspozitën me emrin ‘NOE’ sepse mund ta quaja edhe përmbytja apo me një tjetër emër. Por, njerëzit dinë të bëjnë shoqërizimin me emrin ‘NOE’ dhe përmbytjen e madhe. NOE është një personazh biblik por bota njeh shumë NOE të tjerë. Ka momente kaosi i cili ka nevojë që të kthehet më pas në një rregull, dhe këtë e kthejnë më pas në një rregull ata që më pas emërtohen heronj”, u shpreh Leka.

Përsa i përket kryefjalës së ekspozitës, marrëdhënies së logjikës me instiktin, pra njeriu në marrëdhënie me kafshën dhe sidomos me ato dybrirëshe, artisti e shpjegon kështu:

“Kafshët dybrirëshe në përgjithësi konsiderohen si kafshët opozitare. Ku totali është ndarë në dysh. Sytë tanë që në vegjëli janë mësuar më brirët që nga përkrenarja e Skëndërbeut, brirët e artë”

Për një artist piktor është e rëndësishme që të ketë sa më tepër audiencë por edhe që veprat e tij të shiten. Piktori Leka është shumë i qetë për këtë pjesë sepse admiruesit e tij janë të shumtë dhe mezi presin që ai të hapë ekspozitën e radhës.

“Nga pikëpamja materiale, unë gjithçka e kam të shitur nga ekspozita. Jam shumë i kënaqur sepse energjia ime është përcjellë pa pengesë dhe ky është vërtet maksimumi për mua. Publiku ka nevojë të konsumojë art ashtu sikurse ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ku u bë edhe një revolucion shumë i madh në art. Tashmë jam mësuar që sapo mbyll një ekspozitë unë përgatitem për ekspozitën tjetër, kam filluar të bëj disa vizatime nudo por edhe piktura”, u shpreh Leka.

“Unë zakonisht krijimet i pagëzoj me disa emra në mënyrë për të vazhduar për të më ndihmuar. Kësaj radhe dua të bëj një ekspozitë me titullin ‘Kaloi një grua’ ose ‘Gruaja e panjohur’”, përfundoi piktori Gazmend Leka për ATSH-në /atsh/j.p/ KultPlus.com