Në konferencën e Romës, Nora Visoka-Weller kërkon kthimin e artefakteve të mbajtura peng nga Serbia

Nora Visoka-Weller, eksperte në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kërkon bashkëpunim nga Komanda e Karabinerëve italianë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në kthimin e artefakteve nga Serbia në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Më 1-2 korrik 2025, Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti Ndërkombëtar i Trashëgimisë kanë organizuar një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi Parandalimin e Trafikimit të Paligjshëm të Trashëgimisë Kulturore.

Eventi u hap nga Presidenti i Rajonit të Lacios, Francesco Rocca, dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Edmondo Cirielli.

Fjala kryesore u mbajt nga Dr. Nora Visoka-Weller, eksperte kosovare për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore me bazë në Universitetin e Kembrixhit, e cila diskutoi heqjen e objekteve të çmuara nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë vitit 1998, nga Ushtria Serbe. Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës në Romë, znj. Nita Shala dhe z. Lorik Cana, filantrop dhe ish-lojtar profesionist i futbollit.

Kjo ishte një mundësi për të diskutuar rëndësinë e kthimit të thesareve të Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet morale që i detyrohen popullit të Kosovës, në prani të akterëve të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dr. Visoka-Weller, është pedagoge në Universitetin e Kembrixhit, dhe është zë i fuqishëm në skenën diplomatike ndërkombëtare rreth politikave mbi mbrojtjen e trashegimisë kulturore të Kosovës.