Kulinaria konsiderohet si një pjesë e pandashme e turizmit dhe me shumë potencial në zhvillimin e këtij sektori që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik, po punojnë për hartimin e një liste me produkte tradicionale shqiptare, të cilat kanë potencialin për t’u regjistruar si skema cilësie, që do të shtojnë vlerë në zhvillimin e turizmit.
Sipas ekspertëve të fushës, turizmi dhe zhvillimi i tij, falë dhe politikave për diversifikimin e ofertave turistike, ka rritur interesin e turistëve të huaj, të zgjedhin vendin tonë për të pushuar.
Konkretisht ekspertët po punojnë në regjistrimin si skema cilësie të recetave të vjetra, ku bëjnë pjesë shumë produkte vendase.
Sipas tyre, në gjysmën e territorit janë screenuar dhe ka mbi 50 produkte që sot kanë potencialin për tu regjistruar si skema cilësie siç i ka Italia.
Ata vlerësojnë se vendi ynë ka qindra produkte që meritojnë të regjistrohen.
MBZHR vitet e fundit po mbështet ngritjen e agroturizmeve si shembujt që po kthehen në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës dhe i kanë kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike. /atsh/ KultPlus.com
