UNESCO: 207 objekte kulturore ukrainase të dëmtuara nga lufta

Duke përdorur imazhet satelitore para dhe pas, OKB-ja ka dokumentuar dëmtimin ose shkatërrimin e plotë të 207 vendeve kulturore në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Të dhënat po mblidhen në një platformë online të krijuar posaçërisht, e cila fillimisht do të jetë e aksesueshme vetëm për ekspertët, por së shpejti do të hapet edhe për publikun, njoftoi dje Krista Pikkat nga agjencia arsimore dhe kulturore e OKB-së (UNESCO),në Gjenevë.

Shtatë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Ukrainë deri më tani nuk janë dëmtuar si rezultat i pushtimit të plotë të Rusisë tetë muaj më parë, tha ajo.

Vende të tjera, si teatri i dramës në Mariupol, nuk kanë pasur të njëjtin fat. Qindra civilë kërkuan strehim atje menjëherë pas fillimit të luftës në mars. Më 16 mars, bombat ruse shkatërruan pjesën më të madhe të ndërtesës. Imazhet e vlerësuara nga UNESCO janë të 9 marsit dhe 12 majit.

Nga 207 vendndodhje, 88 janë objekte fetare, 15 janë muze, 76 janë ndërtesa me interes historik ose artistik, 18 janë monumente dhe 10 janë biblioteka.

UNESCO po punon me Qendrën Satelitore të Kombeve të Bashkuara me bazë në Gjenevë (UNOSAT) për vlerësimet e fotografive.

Kur UNESCO merr informacion rreth dëmtimit, UNOSAT blen imazhe satelitore nga shitësit komercialë të marra sa më afër që të jetë e mundur, para dhe pas sulmit.

Sipas UNOSAT, imazhe të tilla kushtojnë midis 250 euro (251 dollarë) dhe më shumë se 1000 euro, në varësi të mënyrës se si janë marrë. Ekspertët përpunojnë imazhet satelitore për të treguar shkatërrimin e saktë./atsh / KultPlus.com