Mbahet edicioni i 27 -të i festivalit Oda Dibrane, qindra artistë mbushin rrugët

Për tre ditë me radhë u zhvillua edicioni i 27 -të i festivalit Oda Dibrane, ku 18 grupe me rreth 450 artistë mbushën rrugët e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe.

Oda Dibrane është festivali folklorik më i madh që zhvillohet në trevat Shqiptare. Në këtë festival marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat Shqip folëse dhe nga shtete të ndryshme.

Ky festival është i veçantë pasi mbahet në dy shtete. Në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe të Maqedonisë.

Festivali Oda Dibrane mbledh dhe promovon vlerat folklorike, këngën dhe vallen popullore, ritin dhe alegorinë, vallen humoristike të trevave nga vijnë. Gjeografia e grupeve pjesëmarrëse është nga të gjitha trevat shqip folëse.

Oda Dibrane në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare, ku bëheshin kuvende,ceremoni në raste gëzimesh e fatkeqësish, ku shpalosej mençuria dhe urtësia e këtij populli.

Oda ka shërbyer ndërkohë edhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga apo niste gjëma, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik. Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të rëndë. Jo më kot thuhej se: kur të shkosh në “Odën e Dibrës” duhet të marrësh me vete “një metër, një kandar dhe një thikë me dy presa”.

Prof.dr. Isak Shehu dekan i fakultetit të muzikës në Tiranë thotë se janë kriteret strikte që Oda Dibrane ka vendosur nga fillimi që e kanë mbajtur , por edhe grupet e përzgjedhur me kujdes kanë bërë që publiku ta mbështesë maksimalisht.

Ky festival që nga krijimi ka menduar të risjellë në kohë folklorin e bukur, ritin, alegorinë, këngën alegorike të trevave apo zonave nga vijnë artistët , dhe këtë qëllim e ka arritur më së miri, duke i qëndruar peshës së kohës, ai sot është në vitin e 27 .

Profesori i muzikës në Universitetin e Tetovës Jeton Pustina, anëtar i Jurisë, tregon se si u rrit Oda Dibrane dhe sot numëron 27 vite. Ai ka luajtur në edicionin e parë si kitarist, më pas ka qenë pjesëmarrës si drejtues i ansamblit të Tetovës , dhe sot si kryetar Jurie.

Në fund në natën e tretë juria ndau disa mirënjohje për artistë , grupe apo këngë të ndryshme.

Çmimin e parë e fitoi grupi folklorik “Përparim Tomçini” i Ansamblit Dibra , çmimin e dytë e fitoi Ansamblibli Jahi Hasani nga Gostivari , ndërsa çmimin e tretë e fitoi ansambli Krahu i Shqiponjës i pallatit të kulturës Vlorë dhe grupi folklorik Gjergj Arianiti Mallakastër, i cili u vlerësua edhe për kostumografinë.

Drejtori i festivalit Veli Vraniçi flet për vlerat që mban gjallë këtë festival si dhe tregon tregon sa vështirë është të mbash një festival të tillë të këtyre përmasave./Top Channel/ KultPlus.com

Mbyllet edicioni i 26-të i Festivalit folklorik mbarëkombëtar “Oda Dibrane”

Festivali folklorik mbarëkombëtar “Oda Dibrane” mbylli mbrëmë siparin e edicionit të 26-të, kthyer në një traditë shumë të rëndësishme për kulturën dhe trashëgiminë folklorike.

Pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë, ky festival në ndryshim nga vitet e tjera ka pasur grupe më të reduktuara dhe gjithë edicioni është zhvilluar vetëm në Peshkopi dhe jo si çdo vit tjetër ku zhvillohej paralelisht edhe në Dibër të Madhe të Maqedonisë së Veriut.

Pjesëmarrja e 150 artistëve nga 7 grupe nga të gjitha trevat e ka përmbushur edhe këtë vit qëllimin, pavarësisht se më parë numri i pjesëmarrësve ka qenë shumë herë më i lartë.

Organizatorët shprehen se ky festival është zhvilluar brenda rregullave që na dikton realiteti dhe se është shumë i rëndësishëm që ky festival të zhvillohet pasi është i dyti për nga rëndësia në vend, pas atij të Gjirokastrës.

Në këtë festival mblidhen dhe më pas promovohen këngë dhe valle humoristike, alegoria dhe shumë elemente të tjera të rëndësishme të folklorit të popullit tonë. Në këtë festival ndahen edhe çmime ku këtë vit grupi i Librazhdit ka marrë çmimin më të rëndësishëm./ atsh/ KultPlus.com