“Open Cinema”, kinemaja shëtitëse në Maliq

Aktiviteti “Open Cinema” – Kinemaja shëtitëse në Shqipëri, u zhvillua në qytetin e Maliqit.

Nata e parë në Maliq mblodhi rreth ekranit grup-mosha të ndryshme të cilat ndoqën plot interes shfaqjen e radhës të kinemasë shëtitëse.

Të ftuar specialë në natën e parë ishin: regjisori i shquar Mevlan Shanaj, skenaristja dhe shkrimtarja Natasha Lako, si dhe këngëtarja Eranda Libohova.

“Open Cinema” mbështetet financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky aktivitet synon të promovojë, pa pagesë, për publikun e gjerë, vlerat më të mira të kinematografisë shqiptare dhe asaj botërore./atsh/KultPlus.com

“Open Cinema” nis nga qyteti i Gramshit

Aktiviteti i përvitshëm veror “Open Cinema”, këtë sezon do të nisë nga qyteti i Gramshit.

Aktiviteti do të vazhdojë për tri net rresht, 10, 11 dhe 12 korrik. Filma, muzikë, artistë dhe kineastë të ftuar do të jenë pjesë e edicionit të nëntë të “Open Cinema”.

Mbrëmja e parë do të çelet me praninë e regjisorit të mirënjohur Esat Musliu, si dhe të aktorit të dashur për publikun Ndriçim Xhepa. “Open Cinema” do të sjellë filma të njohur për publikun. Nën sloganin “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, aktiviteti vazhdon të jetë urë mes brezave dhe një homazh i gjallë për trashëgiminë filmike.

Mbrëmjet e kinemasë shëtitëse do të shoqërohen me muzikë live, përpara çdo projeksioni nga një grup artistësh të njohur si Irma dhe Eranda Libohova, Maya Aliçkaj, Megi Laska, Liljana Kondakçi etj. Ndërsa violinistja virtuoze Aiola Leska do të sjellë kolonat zanore më të ndjera nga kinematografia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare.

Fëmijët do të kenë gjithashtu hapësirën e tyre në këtë aktivitet, me animacionet shqiptare klasike dhe bashkëkohore që do të projektohen në ekranin e madh./atsh/KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse” në Berat

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit po vijon nismën për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror.

Pas shfaqjeve të suksesshme në Kukës, kinemaja shëtitëse nisi mbrëmjen e 21 qershorit, ndalesën 3-ditore në qytetin e Beratit, me shfaqjen e filmit “Vdekja e kalit”. Në shfaqjen e filmit ishin të pranishëm edhe një pjesë e krijuesve si dhe aktorëve protagonistë.

Të pranishmit mundën të dëgjonin edhe mbresat e kujtimet nga regjisori i filmit, Saimir Kumbaro, aktorët kryesorë Timo Flloko e Rajmonda Bulku, në praninë e drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria.

Edhe sot “Kinemaja shëtitëse” do të projektojë një tjetër film në Berat, për të vazhduar më tej, misionin e saj në të tjera qytete./atsh/ KultPlus.com