Drejtori i Microsoftit krahason inteligjencën artificiale me librin e Orwellit

Jetesa e përshkruar në librin “1984” të George Orwell “mund të ndodhë në 2024”, nëse ligjvënësit nuk e mbrojnë publikun nga inteligjenca artificiale, ka paralajmëruar udhëheqësi i Microsoftit, Brad Smith.

Ai thotë se zhvillimet teknologjike, sidomos në Kinë, mund të jenë kërcënuese të demokracisë pasi që mund të synohet monitorimi i vazhdueshëm i qytetarëve.

“Nëse nuk vendosim ligje që do të mbrojnë publikun në të ardhmen, do të shohim zhvillimin e teknologjisë dhe do jetë shumë e vështirë për t’u kontrolluar”, ka thënë ai për BBC.

“Më kujtohen vazhdimisht mësimet e George Orwell në librin e tij. Ju e dini historinë, ishte për një qeveri që mund të shihte dhe dëgjonte gjithçka që bënin të tjerët gjatë tërë kohës. Kjo nuk ndodhi në 1984, por nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të ndodhë në 2024”.

Sipas hulumtimit nga kompania Comparitech, 54 për qind apo 770 milionë kamera janë të vendosura në Kinë. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Ferma e kafshëve

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Libri i Orwellit, “Ferma e kafshëve” mbahet si një nga alegoritë më të mira politike të shkruara ndonjëherë. Shkrimi përmes alegorisë është shkrim edhe i këndshëm edhe sfidues, ngase kërkon shumë vëmendje gjatë leximit, e madje edhe gjurmim më të thellë të asaj që lexohet. Platoni shkruante në mënyrë alegorike tek “Alegoria e shpelles”, Kafka poashtu në mënyrë alegorike fliste tek “Metamorfoza”, e shumë alegori të tjera.

Por ku qëndron e veçanta e librit të Orwellit në krahasim me alegoritë ose metaforat e tjera? Gjuha e Orwellit është gjuhë e thjeshtë, tejet e kuptueshme, me një fjalë libër për të gjithë. Orwellin mund të e lexojnë dhe kuptojnë njerëz të profileve të ndryshme, të përgatitjes profesionale të ndryshme, të moshave të ndryshme. Kushdo që e lexon Orwellin e kupton se është alegori dhe nuk bëhet fjalë për fermë të kafshëve në kuptimin bukfal.

Në qendër të trajtimit të librit është pushteti, ushtrimi i tij, dhe mirëmbajtja e tij. Të flasësh thjeshtë për pushtetin nuk është aspak gjë e lehtë, në kuptimin e asaj që t’u ikim interpretimeve të komplikuara filozofike për fenomenin në fjalë.