“Jetojmë të gjithë në baltë, por disa prej nesh i kanë sytë të kthyer nga yjet”

Një burrë me inteligjencë të lartë dhe me batutën gjithmonë të gatshme. I votuar në kultin e të bukurës. Një joshës melankolik që thoshte: “Drama e madhe e jetës sime? Është që kam vënë gjeninë time në ekzistencën time; gjithçka që kam vënë në veprat e mia është talenti im”. Për të arti nuk qëndronte aq shumë tek librat, sesa tek vetë jeta. E nëse talenti e bëri të pavdekshëm falë romanit “Portreti i Dorian Greit” (jo rastësisht historia e “paktit me djallin”, e një esteti që bën të plaket një portret në vendin e tij), gjenia e tij ia transformoi ekzistencën në një vepër arti. Një ekzistencë me teprime, që e konsakroi si njeriun më të kërkuar në sallonet e Londrës gjatë gjysmës së dytë të viteve 18000, përpara se ta çonte drejt shkatërrimit.

Irlandezi “skandaloz” Oscar Wilde (kishte lindur në Dublin në 1854) jetoi në vitet ndoshta më moralistë të historisë angleze. Epoka kur, gjatë mbretërimit të mbretëreshës Viktoria (në fron që nga viti 1837), patriotizmit dhe prosperitetit të bazuar mbi pasuritë koloniale i korrespondonte një borgjezi e pasur, që shihte me tmerr teprimet dhe i dënonte homoseksualët fillimisht me burgim dhe më pas me varje. Dhe Wilde ishte ekscentrik dhe homoseksual.

Por, kjo gjë nuk i interesonte: për të e rëndësishme ishte të habiste, të befasonte, të joshte.

“E vuri menjëherë artin dhe fjalën e tij në shërbim të joshjes”, shpjegon Roberto Bertinetti, docent i letërsisë angleze në Universitetin e Triestes. “Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe që në moshën 13-vjeçare shfaqi cilësitë që do ta bënin të famshëm: batutën e menjëhershme, lojën gjeniale, ironinë. Fliste frëngjisht dhe anglisht dhe vdiste të skandalizonte të tjerët. E dinte se ishte ajo mënyra më e mirë për të mos u harruar, dhe për ta bërë nuk tërhiqej mbrapsht edhe nga përçmimi haptas i kanotazhit dhe kriketit, sportet më popullorë të kohës. Tani mund të jetë diçka që të bën të qeshësh, por për anglezët bëhej fjalë për një herezi”.

Duket se që atëherë Wilde kish vënë në veprim filozofinë që disa vite më vonë do ta përmblidhte në një prej aforizmave të tij më të famshëm, që ai e quante në frëngjisht bon motos: “Këto kohë, për të hyrë në botën e bukur, duhet të argëtosh ose të skandalizosh njerëzit”. Ai, në mesin e këtij dyshimi, zgjodhi që t’i bënte të dyja.

Oscar e përftoi artin e kënaqësisë që fëmijë. Për të lënë përshtypje tek nëna e tij poeteshë – e cila mburrej për një trashëgimi inekzistente nga vetë Dante – nisi të shkruajë poema në greqisht dhe latinisht. E ëma Jane Frances Elgee, e cila kërkonte të quhej Hope – Shpresa, ishte nga ana e saj një borgjeze ekscentrike që ndiqte aspirata artistike të çuditshme, dashuronte sallonet dhe në Dublin ishte e famshme për dhuntinë e saj si oratore. Ndërsa i ati, një okulist me famë, ishte një feminist i pafre, i dënuar për përdhunim. Një sfond që nuk mund të mos linte shenjën e tij.

Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Wilde fitoi një bursë studimesh të kolegjit Magdalen në Oksford, ku ra menjëherë në sy për mendjemprehtësinë e tij (por edhe për arrogancën). Ishte trampolina e tij. Nisi të udhëtojë nëpër Europë duke shpenzuar pa u përmbajtur dhe i rrethuar nga një luks që nuk mund ta përballonte.

Në vitin 1879 vendosi të transferohej në Londër në një shtëpi në 13 të Salisbury street, me mikun e tij piktor Frank Miles. Në shtëpinë mbi Tamiz, siç e kishte pagëzuar ai shtëpizën e vjetër, nisi legjenda e tij. U bë i njohur në të gjithë qytetin për aforizmat, me të cilët u jepte gjallëri bashkëbisedimeve të salloneve të kohës. Sallone ku dëshironte shumë që të binte në sy.

“Një herë u shfaq në një darkë me një gjarpër përreth fytit”, rrëfen Bertinetti. Pikërisht kështu u bë i famshëm, që përpara se të kishte botuar diçka. Ishte në gojën e të gjithëve.

Një rebel i pandreqshëm ndaj diktatit të modës, e bëri elegancën e tij një model për të gjithë ata që aspironin të bëheshin dandy si dhe një armë joshjeje. Të gjithë marroseshin pas tij: jo për hijeshinë, se sa për magnetizmin. Gra dhe burra.

Pati një marrëdhënie me Milesin, i detyruar nga i ati që të braktiste shtëpinë për të mos u akuzuar për homoseksualitet. Këtu ishte dallimi: Wilde nuk i interesonte gjykimi i të tjerëve. Tashmë i shndërruar në një profet të dandizmit, në vitin 1882 ai shkoi në Shtetet e Bashkuara për një seri konferencash të organizuara nga sipërmarrësi teatror Richard D’Oyly Carte. Wilde arriti që të bëjë për vete, me anë të oratorisë së tij, edhe një grup minatorësh nga Kolorado të cilëve u foli për vlerat e artit. Kaq e madhe ishte magjepsja prej tij.

Megjithatë, kur u rikthye në Londër, dashuria e tij për luksin e çoi në varfërim: “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve”, kishte thënë.

Dhe, tundimet kishin emrin e verërave dhe pijeve më të mira e më të kushtueshme, të sendeve antike dhe porcelanisë kineze, por edhe të glikanxos dhe opiumit. Pasuria e trashëguar nga babai u shndërrua shumë shpejt në një kujtim dhe homoseksualiteti rrezikonte të bëhej një problem.

“Një zgjidhje dukej se ishte martesa”, komenton Bertinetti. “Vëllai i tij, Uilli ishte sistemuar duke u martuar me një grua shumë të pasur, 30 vjet më e moshuar se ai, por Wilde vendosi që të lidhet me një vajzë që asnjëherë nuk do të arrinte t’i garantonte një jetë të pasur. Një provë që mes të dyve pati dashuri të vërtetë”, vazhdon Bertinetti.

Vajza në fjalë ishte dublinezja Constance Lloyd. Pas tre vitesh fejesë, në vitin 1884 të dy u martuan dhe në vijim patën dy fëmijë. Për ta, Wilde shkruajti në vitin 1888 ‘Princi i lumtur dhe përralla të tjera’, por kjo nuk mjaftoi për ta bërë një baba të mirë. Ekseset dhe burrat e shumtë shenjonin tashmë ditët e tij.

Joshte adoleshentët si Robert Rossin dhe përjetoi dashuri në vuajtje si ajo me John Grayn, që ndoshta i shërbeu si frymëzim për romanin “Portreti i Dorian Greit”. Por, mbi të gjithë ishte lord Alfred Douglas që, pasi kishte lexuar “Portreti i Dorian Greit” për “katërmbëdhjetë herë me radhë”, kërkoi që të njihte autorin. Në dukje, Bosie (kështu e quante Wilde), shfaqej si një prej të shumtëve. Por, ai takim i ndryshoi jetën: marrëdhëniet me bashkëshorten u bënë gjithnjë e më të tensionuara. Tamam si Henry, esteti që Dorian Grei në roman e dëgjon “i habitur, me sytë e shqyer”, edhe Wilde e shijonte tek bënte për vete një numër gjithnjë e më të madh burrash dhe grash. Përditshmëria e tij ishte e mbushur me takime me prostituta të reja në moshë, humbje parash, kërcënime dhe shantazhe. Por gjëja më e keqe ishte se joshja e fjalës, arma e tij më e mirë filloi që të humbasë magjinë e saj.

Marrëdhënia plot luhatje me Bosien shënoi edhe fillimin e fundit. Pasi kishte marrë një copë letër ku akuzohej se ishte një rrufjan dhe një sodomist, Wilde e paditi për shpifje dërguesin, i cili ishte Sir John Sholto Douglas, babai i të dashurit të tij. Shkrimtari e humbi çështjen dhe u dënua nga ana e tij për homoseksualizëm.

Ai proces poshtërues shënoi edhe hakmarrjen viktoriane ndaj joshësit të madh të salloneve. Akuza e vuri shumë herë në vështirësi. Me pyetje si kjo: “Përse ke çuar të rinj modestë në restorantet më të kushtueshëm?” Wilde u përgjigj: “Sepse janë të rinj dhe pafajësia e tyre më bën të çlodhem prej lodhjeve mondane”. Duke thyer me një frazë të vetme dy tabu: atë të homoseksualitetit dhe atë të ndarjes mes klasave sociale (në atë kohë një xhentëlmen nuk mund të ndante kohën dhe argëtimin me të rinj të klasave më të ulëta). E pyetën edhe nëse me të vërtetë, ashtu siç thuhej, ai kishte puthur një shërbëtor. Dhe Wilde, i skandalizuar, përgjigjej: “Por jo, aspak, ishte shumë i shëmtuar”. Por, kur e pyetën nëse kish qenë i dashur, nuk u përgjigj, por shpërtheu në lot. Ai që kish qenë mbret i fjalës, tashmë ishte tradhtuar pikërisht prej kultit për batutën e atypëratyshme.

U dënua me dy vite punë të detyruar. Punonte gjashtë orë në ditë në një mulli, me pak bukë dhe pak ujë, duke u katandisur në hijen e vetvetes. Douglas bëri publike letrat e tyre intime dhe Costanze kërkoi divorcin. Kur doli nga burgu në vitin 1897, të gjithë e shmangnin dhe marrëdhënia me Bosien përfundoi pak vite më vonë.

Nuk kish mbetur shumë nga i riu Dandy. E, megjithatë, për magjepsjen e tij në Evropë tashmë flitej me terma legjendarë (ashtu siç vazhdohet të bëhet edhe sot në të gjithë botën). Pa dhëmbë, i sëmurë me sifiliz dhe pa mundësinë as që të blinte veshje të përshtatshme, Wilde u vendos në Paris, ku vdiq në moshën 46-vjeçare. Aforizmi i tij i fundit melankolik ishte: “Jetojmë të gjithë në baltë, por disa prej nesh i kanë sytë të kthyer nga yjet”. /KultPlus.com

“Në fillim fëmijët i duan prindërit, pas njëfarë kohe i gjykojnë ata, rrallë në mos kurrë, i falin”

Sot 164 vjetori i lindjes së Oscar Wilde

Oskar Uajlld (Oscar Wilde) ishte një shkrimtar dhe poet irlandez. Ai u bë një nga dramaturgët më të shquar të Londrës në vitet 1890. Sot, ai kujtohet për epigramet e tij, romanin “Portreti i Dorian Greit”, dramat, rrethanat e burgosjes së tij dhe vdekjen e hershme. Në fund të shekullit të 20, ai u bë një ikonë e personave gej. Muaji tetor përkujton 160-vjetorin e lindjes së tij.

Ai u përball me disa gjyqe për preferencat e tij seksuale mashkullore, dhe u dënua me dy vjet punë të detyruar për këtë gjë. Wilde vdiq në Paris në moshën 46-vjeçare.

Shprehje nga Oscar Wilde:

Ruaj dashuri në zemrën tënde. Një jetë pa të, do të ishte si një kopsht ku nuk bie dielli e ku të gjitha lulet janë vyshkur.

Kur isha i ri, mendoja se paratë ishin gjëja më e rëndësishme në jetë; tani që jam plakur, e di që ato janë vërtet. Edukimi është diçka e admirueshme, por është mirë të kujtohet herë pas here se asgjë që ia vlen të dihet, nuk mund të mësohet. Si pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë që këmbëngul ta trajtojë atë sikur ajo është një qenie njerëzore perfekte dhe normale njëkohësisht?

Një ëndërrimtar është ai që e gjen rrugën e tij, vetëm nga drita e hënës dhe ndëshkimi i tij është se e sheh agimin përpara së gjithë botës. Femrat janë bërë për t’u dashuruar, jo për t’u kuptuar. Shoqëria ekziston vetëm si koncept mendor; në botën e vërtetë ka vetëm individë. Eksperienca është emri që u vëmë gabimeve tona. Arti është forma më e fortë e individualizmit që ka njohur bota.

Shoh burra të dashuruar me gra. Ata u japin atyre një pjesë të jetës. Ndërsa gratë u japin burrave gjithçka. Jam aq i zgjuar, saqë ndonjëherë nuk kuptoj asnjë fjalë nga ato që them. Miqtë e vërtetë ta ngulin thikën në kraharor, jo në shpinë. I vetmi ndryshim midis shenjtorit dhe mëkatarit, është se çdo shenjtor ka një të shkuar, dhe çdo mëkatar ka një të ardhme. Njeriu nuk është vetvetja kur flet në emër të personit të tij.

Jepi një maskë dhe ai do të tregojë të vërtetën. E qeshura nuk është një fillim i keq për një shoqëri dhe është mënyra më e mirë për të përmbyllur një të tillë. Një zotëri i vërtetë, është ai që kurrë nuk i lëndon ndjenjat e dikujt pa qëllim. Asnjë artist i madh nuk i sheh gjërat siç janë. Nëse do t’i shihte, do të reshte së qenë artist. Shumica e njerëzve janë si njerëzit e tjerë.

Mendimet e tyre janë opinionet e dikujt tjetër, ata jetojnë një imitim, pasionet e tyre janë një citat. Ambicia jonë duhet të jetë të sundojmë veten, mbretëria e vërtetë për secilin prej nesh dhe progresi i vërtetë është të dimë më shumë, të jemi më shumë dhe të bëjmë më shumë. Burrat gjithnjë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje, ndërsa gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.

Fali gjithnjë armiqtë e tu, asgjë nuk i zemëron më shumë se kjo. Unë kam shijet më të thjeshta. Kënaqem gjithnjë me më të mirën. Kujtesa… është ditari që ne të gjithë e mbajmë me vete. Duke na përcjellë mendimet e të paedukuarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit. Në fillim, fëmijët i duan prindërit, pas njëfarë kohe i gjykojnë ata, rrallë në mos kurrë, i falin.

Është absurde t’i ndash njerëzit në të mirë dhe në të këqij. Ata janë edhe kështu, edhe ashtu. Jeta nuk është kurrë e drejtë dhe ndoshta më mirë për shumicën prej nesh që nuk është kështu. Mënyra më e mirë për të hequr qafe tundimin, është t’i dorëzohesh atij. Mund t’i rezistoj gjithçkaje përpos tundimit. Jemi të gjithë në hendek, por disa prej nesh shohin nga yjet. E vërteta është rrallë e pastër dhe kurrë e thjeshtë. Morali është sjellja që mbajmë ndaj njerëzve që nuk pëlqejmë. Mes meshkujve dhe femrave, nuk mund të ketë miqësi. Mund të ketë pasion, armiqësi, dashuri, por jo miqësi./ KultPlus.com

“Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë”, 100 thënie brilante nga Oscar Wilde

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.
Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.
I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.
Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.
Në vitin 2007, Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.
Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij.
100 thënie nga Oscar Wilde
1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.
3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
12- Ai që s’di të mësojë, jep mend
13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.
14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.
15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.
16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.
17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.
18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.
19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.
20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.
21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.
22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.
23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.
24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë
25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.
27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.
28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.
29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.
30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.
31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme.
32- Unë jam aq i zgjuar sa nganjëherë nuk e kuptoj një fjalë të vetme të asaj që jam duke thënë.
33- Arsimi është një gjë e admirueshme, por është mirë të mbani mend nga koha në kohë që asgjë që vlen për ta ditur nuk mund të mësohet.
34- Midis burrave dhe grave nuk mund të ekzistojë ekziston miqësia. Ekzistojnë pasioni, armiqësia, adhurimi, dashuria, por jo miqësia.
35- Gratë janë bërë për t’u dashur, jo për t’u kuptuar.
36- Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
37- Njeriu është shumë pak vetvetja, kur ai flet për veten e tij. Jepini atij një maskë, dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën.
38- Unë shoh kur burrat i duan gratë. Ata iu japin atyre vetëm pak nga jeta e tyre. Por gratë, kur ato të duan, të japin gjithçka.
39- Egoizmi nuk është të jetosh si ke dëshirë për të jetuar, egoizmi është t’iu kërkosh të tjerëve të jetojnë si ke ti dëshirë për të jetuar.

40- Pasuritë e zakonshme mund t’i vjedhësh; pasuritë e vërteta kurrë nuk mund të vidhen. Në shpirtin tuaj janë pafundësisht gjëra të çmuara të cilat askush nuk mund t’jua marrë.
41- Është absurde t’i ndajnë njerëzit në të mirë dhe të këqij. Njerëzit janë ose simpatikë ose bajatë.
42- Unë kam shije të thjeshta. Unë jam i kënaqur gjithmonë me të mirën.
43- Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre janë një citat.
44- Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
45- Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
46- Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit.
47- Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre. Kjo është tragjedi e tyre. Asnjë burrë nuk bëhet i tillë. Kjo është tragjedia e tyre.
48- Pakëz sinqeritet është një gjë e rrezikshme, dhe shumë sinqeritet është absolutisht fatal.
49- Një njeri që nuk mendon për vete, nuk mendon fare.
50- Nëse dikush nuk mund të kënaqet duke lexuar një libër përsëri e përsëri, nuk ka kuptim ta lexojë atë fare.
51- Bigamia është të paturit e një gruaje më shumë. Monogamia është e njëjtë.
52- Burrat martohen sepse ata janë të lodhur, gratë, sepse ato janë kurioze, të dyja palët zhgënjhen.
53- Gjithçka popullore është e gabuar.
54 – E qeshura nuk është aspak një fillim i keq për një miqësi, dhe është tejet e mirë për t’i dhënë fund një miqësie.
55- Demokracia nënkupton thjesht kamzhikosje e popullit nga populli për popullin.
56- Jeta nuk është e drejtë, dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë për shumicën prej nesh që ajo nuk është e tillë.
57- Të mashtrosh të tjerët. Kjo është ajo që bota e quan një romancë.
58- Kur perënditë dëshirojnë të ndëshkojnë, ata iu përgjigjen lutjeve tona.
59 – Çfarë është një cinik? Një njeri që e njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.
60- Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet.
61- Jeta është aq gjë e rëndësishme sa nuk mund të flitet ndonjëherë seriozisht për të.
62- Moraliteti është thjesht qëndrimi që mbajmë ndaj njerëzve të cilët ne personalisht nuk i pëlqejmë.
63- Unë ndonjëherë mendoj se Zoti në krijimin e njeriut disi e mbivlerësoi aftësinë e tij.
64- Sa herë që njerëzit bien dakord me mua, unë gjithmonë ndjej se duhet të jem i gabuar.
65- Sa kohë që një grua mund të duket dhjetë vjet më e re se vajza e saj, ajo është tejet e kënaqur.
66- Kujtesa… Është ditari që ne të gjithë e mbajmë për veten tonë.
67- Ambicia është streha e fundit e dështimit.
68- Nuk ka asnjë mëkat përveç marrëzisë.
69- Shoqëria ekziston vetëm si një koncept mendor; në botën reale janë vetëm individët.
70- Bota është një skenë, por drama është luajtur keq.
71- Kur një burrë ka dashur dikur një grua, ai nuk do të bëjë asgjë për të, me përjashtim të vazhdojë dashurinë ndaj saj.
72- Gratë na duan për defektet tona. Në qoftë se ne kemi mjaft prej tyre, ato do të na falin gjithçka, edhe intelektin tonë gjigant.
73- Urrejtja është e verbër, si dashuria.
74- Gruaja fillon duke iu rezistuar vardisjeve të një burri dhe përfundon duke bllokuar tërheqjen e tij.
75- Pesimist: Njeriu që, kur ka për të zgjedhur mes dy të këqijave, i zgjedh të dyja.
76- Librat që bota i quan të pamoralshme janë libra që ia tregojnë botës turpin e vet.
77- Biseda rreth motit është streha e fundit e fantazisë.
78- Kam vënë të gjithë gjenialitetin tim në jetën time, kam vendosur vetëm talentin tim në veprat e mia.
79- Më pëlqejnë personat më shumë se parimet, dhe më pëlqejnë personat pa parime më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

80- Gratë nuk janë të çarmatosura nga komplimentet. Burrat gjithmonë janë. Ky është dallimi në mes gjinive.
81- Tallja është haraçi që mediokrit ia paguajnë gjeniut.
82- Nëse dikush luan muzikë të mirë, njerëzit nuk dëgjojnë dhe në qoftë se dikush luan muzikë të keqe njerëzit nuk flasin.
83- Njeriu është një kafshë racionale që gjithmonë humb durimin e tij, kur ai thirret për të vepruar në pajtim me diktatet e arsyes.
84- Pyetjet nuk janë të pamatura, përgjigjet nganjëherë janë.
85- Avantazhi i emocioneve është se ato na çojnë në humbje.
86- Të edukuarit mirë grinden me njerëzit e tjerë. Të mençurit grinden me vetveten.
87- Ka shumë gjëra që ne do t’i hidhnim tutje në qoftë se ne nuk do të kishim frikë se të tjerët mund t’i marrin ato.
88- Jeta e vërtetë është shumë shpesh jeta të cilën njeriun nuk e jeton.
89- Për të fituar popullaritet duhet të jesh mediokër.
90- Në moment që ju mendoni se e kuptoni një vepër të madhe arti, ajo është e vdekur për ju.
91 – Si e rrënon martesa një burrë! Ajo është demoralizuese sa cigaret, dhe shumë më e shtrenjtë.
92- Një nga mësimet e shumta që mëson në një burg është se gjërat janë ato që ata janë dhe do të jenë ato që do të jenë.
93- Është më mirë të kesh të ardhura të përhershme sesa të jesh interesant.
94- Njeriu mund të besoj të pamundurën, por njeriu kurrë nuk mund të besojë të pamundshmen.
95- Vetëm duke mos paguar faturat, mund të shpresojnë të jetojmë në kujtesën e klasave komerciale.
96- Bamirësia krijon një shumicë mëkatesh.
97- Detyra e parë në këtë jetë është të jemi sa më sipërfaqësorë që të mundemi. Se cila është detyra e dytë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë ende.
98- Bota është krijuar për burrat, jo për gratë.
99 -Nuk duhet t’i besojmë kurrë një gruaje që na tregon moshën e saj të vërtetë. Ajo që tregon moshën është gati të tregojë gjithçka.
100- Unë gjithmonë jap këshilla të mira. Është vetmja gjë që mund të bëj me to. Ato nuk kanë asnjë vlerë për mua.

Oscar Wilde: Dashuria e burrit është më e madhe se sa ajo e gruas

“Një burrë ideal”, është dramë komike të cilën Oscar Wilde, e kishte sjellë në vitin 1895 duke shtjelluar brenda vetës temën e nderit publik dhe privat. Filozofia.al ka sjellë paragraf të këtij libri, e cila flet për mënyrën se si gratë i idealizojnë burrat duke i parë si “idhuj”, dhe duke ua fshehur atyre dobësitë.

“Gabimi të cilin të gjitha gratë e bëjnë. Pse nuk mundeni ju gra, të na dashuroni neve, fajet tona dhe gjithçka tjetër? Pse na vendosni neve në piedestale të tmerrshme?

Të gjithë, si burrat ashtu e gratë, këmbët i kemi nga balta; por atëherë kur ne, burrat, i dashurojmë gratë, ne i dashurojmë duke ua njohur dobësitë, budallallëkun, papërkryeshmërinë, i duam gjithnjë e më shumë, ndoshta pikërisht për këto arsye.

Nuk është e përkryera, por e papërkryera, ajo që ka nevojë për dashuri. Atëherë kur ne jemi të plagosur nga duart tona, ose nga duart e të tjerëve, atëherë duhet të vijë dashuria për të na shëruar – përndryshe për çfarë tjetër do nevojitej ajo?

Të gjitha mëkatet, përveç mëkatit ndaj vetes, dashuria duhet t’i falë. Dashuria e burrit është e tillë. Është më e gjerë, me e madhe, më shumë se sa ajo e gruas.

Ajo çfarë ato po bëjnë me ne (burrat) janë idhuj të rremë. Ti e ke bërë një idhuj të rremë nga unë, dhe unë nuk e pata guximin të zbres poshtë, të t’i tregoj plagët, të t’i rrëfejë dobësitë e mia. Kisha frika se mund ta humbisja dashurinë tënde, kështu siç e humba tani”./ KultPlus.com