Familjarët, miqtë dhe fansat i japin lamtumirën legjendës së muzikës, Ozzy Osbourne

Të mërkurën, më 30 korrik, familjarët dhe miqtë e “princit të errësirës”, Ozzy Osbourne morën pjesë në lamtumirën e fundit të yllit të muzikës në qytetin Birmingham të Anglisë, ndërsa fansat mbushën rrugët e qytetit të tij të dashur për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Familjarët e të ndjerit vizituan “Broad Street”, ku ndodhen ura dhe stoli e Black Sabbath, të kthyera në një memorial publik për këngëtarin e “Crazy Train”, me lule, foto dhe mesazhe nga admiruesit.
Pjesë e funeralit madhështor ishte edhe një performancë live nga grupi lokal Bostin’ Brass, i cili interpretoi këngën “Iron Man”.
Arkëmorti i Ozzy-t ishte zbukuruar me lule të purpurta që krijonin emrin e tij, ndërsa fansat i hidhnin lule makinës së varrimit dhe brohorisnin “Ozzy, Ozzy”.

Makina e zezë e funeralit ndaloi më pas në urën e Black Sabbath, ku familja, përfshirë edhe nipërit dhe mbesat e Ozzy-t, zbriti për të parë homazhet për rreth 5 minuta, sipas pamjeve të transmetuara nga BBC.
Fansat bërtisnin “Të duam, Sharon”, ndërsa gruaja e pikëlluar e Ozzy-t, Sharon Osbourne, u shfaq zemërthyer, teksa ngushëllohej nga vajza e saj Kelly Osbourne, e cila e mbante për dore. Djemtë Jack Osbourne dhe Louis Osbourne, si dhe vajza Aimee Osbourne ishin gjithashtu pranë saj dhe dukeshin tejet të prekur teksa shikonin homazhet.

Familjarët, të gjithë të veshur me të zeza, bënë shenjën e paqes ndaj turmës që brohoriste, përpara se të kryenin homazhet e tyre.

Ozzy u të varros në një ceremoni private gjatë ditës së djeshme (30 korrik) në Buckinghamshire.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik dhe familja, me trishtim të thellë bëri me dije se i dashuri i tyre u nda nga jeta, i rrethuar nga dashuria.
Disa javë përpara vdekjes, Ozzy performoi në koncertin e fundit të Black Sabbath, duke shënuar ribashkimin e tij të parë me grupin pas 20 vitesh. Ai nuk mund të ecte për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.

Një burim tha për People në korrik se familja po planifikonte një “funeral të vogël dhe privat” për “princin e errësirës”, së bashku me një memorial publik dhe një koncert nderimi në të ardhmen.

“Ata janë shumë mirënjohës për kohën e veçantë familjare që patën së bashku përpara se Ozzy të ndërronte jetë. Po planifikojnë një funeral të vogël dhe privat që do të jetë një kremtim i jetës së tij,” tha burimi në atë kohë, duke shtuar: “Ozzy nuk do të donte kurrë një ceremoni të trishtuar.”/KultPlus.com