Pak dhembje zemra le ta ketë

“Pak dhembje zemra le ta ketë”, (Kujtimit të motrës), është njënga poezitë më të bukura nga autori shqiptar Petrit Ruka. I dedikohet dashurisë për motrën e humbur. Autori gjithë dhimbje, vajton në çdo varg për ndarjen nga jeta të motrës së tij. Dashuria e vëllait për motrën dhe motrës për vëllanë nuk mund tëpërshkruhet dot me fjalë, por autori mundohet që në vargje tëshprehë ndjenjat e tij dhe dhimbjen e madhe që ndjen për humbjen e motrës. Është një dhimbje që asgjë nuk mundet ta zbehë, as koha, edhe pse autori shprehet se dhimbja e tij ështëtretur e zbehur. Petrit Ruka i referohet si “Motra” me shkronjë tëmadhe, për t’i dhënë rëndësinë e veçantë që ka në jetën e tij.

“Pak dhembje zemra le ta ketë”

– kujtimit të Motrës –

Pa bie një mall më dredh në zemër,
Se paç një Motër që më iku,
Sa zë me të e luaj në ëndërr,
Më zë një vesë, laget qerpiku.

Si në një lojë me mbyllje sysh,
Diku u fsheh dhe me s’u gjet…
Oh, sa herë shoh shoqet e saj
Një dhembje çan si thikë e mprehtë.

Më mori malli, Motër xhani,
Ti ç’bën akoma, eja pak,
Të shoh se si çel mani,
Se si qershia u përflak.

Të shkojmë atje mes malesh tutje,
Ku ti më thoshje se është deti,
Ku është një peshk i madh, i kuq,
Sa një pallat i madh qyteti.

Ç’e doje detin aq shumë, Motër,
Ç’ia kishe kaltërsinë në sy,
Dhe unë sa herë tek deti shkoj
Pak det me vete marr për ty.

Po ti më ike, shoqe e bukur,
Moj leshraverdha, dritë e hënës,
Ti jetëshkurtra sa një flutur,
U bëre rrudhë në ballë të nënës.

Ka zënë kjo dhembja të më meket, –
Tretet, shuhet… po a ka fund,
Se malli ende trazon degët,
Si bli i gjelbër degët tund.

Po ndoshta unë vetë nuk dua…
Pak dhembje zemra le ta ketë,
Se pa atë, Motër moj,
Ç’do ishim vallë në këtë jetë?! /bota.al/ KultPlus.com