Paketa e Maleve, Bashkitë identifikojnë zonat prioritare për zhvillim ekonomik

Të gjithë bashkitë në vend janë angazhuar për të përcaktuar zonat malore që do të zhvillohen për investime.  Ndërsa është botuar në Fletoren Zyrtare, udhëzimi për përcaktimin e rregullave të hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore nga të gjitha bashkitë në vend.

Sipas procedurave të identifikimit të zonave të zhvillimit, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, kryetarët e bashkive do të urdhërojnë ngritjen e grupeve të punës për identifikimin dhe hartëzimin e zonës së zhvillimit brenda territorit të bashkisë.

Procesi do të realizohet në bashkëpunim me drejtorinë përkatëse vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të verifikuar statusin e pronës së poseduar nga pretenduesi për t’u njohur posedues jo pronarë në atë pjesë të territorit që synohet të shpallet zonë zhvillimore.

Sipas udhëzimit, kryetari i bashkisë do të paraqesë pranë ministrit përgjegjës për pushtetin vendor kërkesën për shpalljen e zonës zhvillimore në territorin e bashkisë.

Në dosje do të jenë të përfshira: raporti përmbledhës i procedurës së ndjekur nga bashkia, hartën e zonës së propozuar, dokumenti analizues mbi efektet e pritshme dhe se si shpallja e zonës së zhvillimit mund të kontribuojë në nxitjen dhe realizimin e potencialit për zhvillim ekonomik, industrial apo turistik të zonës.

Nga paketa e maleve qeveria pret një ofertë turistike edhe më të larmishme. Një pjesë e investimeve do të kenë formën agroturistike, një formë investimi që ka gjetur zbatim në vitet e fundit gjerësisht në vendin tonë.

Qeveria ka parashikuar që 500 aplikimet e para do të jenë pa taksa. Synohet që një pjesë e emigrantëve të kthehen në vend për të përfituar nga nisma./atsh/ KultPlus.com