Festivali i Bashtovës, muzikë, aventura në natyrë dhe panair artizanësh

Kalaja e Bashtovës mikpriti këtë fundjavë një festë të organizuar nga projekti EU4Culture i financuar nga Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Festivali i Bashtovës eksploroi kulturën e pasur të Kavajës dhe Rrogozhinës përmes performancave të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, aventurave në natyrë dhe një panairi artizanësh e prodhimesh vendase.

Festivali ishte mjaft i larmishëm, filloi me një ecje përgjatë Shtegut të Liqeneve, më pas, mbrëmja u gjallërua me një panair artizanal, me pikturat e Stefanaq Sotjës dhe fotot e Sulejman Qolit.

“Krenarë që mbështetëm Festivalin e Bashtovës përmes programit EU4Culture. Artistët krijuan një atmosferë fantastike me meloditë tradicionale, ato ndërkombëtare dhe kërcimet”, tha Misioni i BE-së në Shqipëri në një postim në rrjetet sociale ku ndau edhe pamje nga aktivitetet e organizuara.

Kalaja e Bashtovës ndodhet rreth 2 km larg fshatit Vilë-Bashtovë në afërsi të lumit Shkumbin. Kalaja u ndërtua në shekullin XV dhe shërbeu si një objekt tregtimi për tregtarët venecianë dhe si një fortesë për të larguar pushtuesit osmanë. Pozicioni i saj strategjik i lejoi luftëtarët mesjetarë të kontrollonin një zonë shumë të madhe të Adriatikut në perëndim dhe njëkohësisht, fushën në lindje./atsh/KultPlus.com

Libraria lundruese më e madhja në botë, mbërrin në Portin e Vlorës

Një anije shprese, mbushur me libra ka mbërritur në Portin e Vlorës.

Kjo është libraria më e madhe lundruese në botë e quajtur Logos Hope , që do të qëndrojë e ankoruar në Portin e Vlorës për dy ditë.

Një panair i gjallë, në një anije me gjatësi prej 132,5 m, që përmban 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë.

“Një mesazh dijeje, që udhëton në të gjithë botën, që prej viteve ’70, që ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë dhe sot ka prekur edhe brigjet tona”, ka shkruar ministrja Elva Margariti. / KultPlus.com

Festa e Mjaltit, panaire dhe aktivitete festive në Korçë

Në kuadër të Ditës Botërore të Bletës, u mbajt edhe Festa e Mjaltit e organizuar nga Bashkia e Korçës.

Kjo festë e veçantë ishte pjesë e Panairit të Pranverës ku u mbaj edhe koncert festiv dhe aktivitete për fëmijë në Zonën Këmbësore.

Edhe këtë vit bletërritësve nga Shqipëria u janë bashkuar edhe ata nga trevat mbarëshqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Greqisë.

Në vendin tonë janë afro 8200 familje që merren me rritjen e bletëve, ndër ta janë profesionistë të cilët e kanë biznes, por edhe individë që e zhvillojnë këtë aktivitet për pasion.

Vlera kapitale e gjithë sektorit llogaritet në afro 72 milionë euro, ndërsa subvencionet nga qeveria dhe programi IPARD në mbështetje të Bletarë po shtohen nga viti në vit./ atsh / KultPlus.com

Hapet Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2020”

Pandemia ka shkaktuar digjitalizimin e shumë organizimeve. Një ndër to është edhe Panairi Kombëtar i Librit “Fieri 2020”, i cili në edicionin e tij të 7-të erdhi në formatin online, shkruan KultPlus.

Hapja e këtij Panairi u bë nën praninë e personazheve të ndryshme të letërsisë, ndërkaq drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli e cila përshëndeti të pranishmit duke vënë theksin tek rëndësia e librit si prioritet kombëtar.

Këtë vit në agjendë të këtij organizimi ka konferenca shkencore, prezantime librash, tryeza diskutimesh dhe interpretime.

Panairi i Librit i cili filloj më 10 shtator do të zgjat deri me datën 13 dhe blerjet e librave do të kryhen online. /KultPlus.com

Panairi i librit në Prizren, prej 17 deri më 21 korrik

Dashamirës të librit, në datat 17-21 korrik të këtij viti hapet Panairi i librit në Prizren, shkruan KultPlus.

Panairi i sivjetëm do të mbahet te sheshi afër Shatërvanit.

Botuesit i ftojnë të gjithë lexuesit që të marrin pjesë dhe të lexojnë sa më shumë.

Sipas tyre “Evente të tilla që i bëjnë bashkë të gjithë lexuesit, janë evente të dijes.”/KultPlus.com