Panairi “Me zemër për diasporën” në Prishtinë: Gratë në biznes prezantojnë suksesin dhe kreativitetin e tyre

Në zemër të kryeqytetit po mbahet Panairi i Gruas “Me zemër për diasporën”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), si një nismë për të promovuar punën, kreativitetin dhe fuqizimin ekonomik të grave në biznes.

Panairi është një platformë që mbledh gra sipërmarrëse nga e gjithë Kosova për të prezantuar produktet dhe historitë e tyre të suksesit para qytetarëve dhe diasporës, në një atmosferë mbështetëse dhe bashkëpunuese.

Në hapje të panairit, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e quajtur “jo vetëm ekspozim produktesh, por dëshmi të sakrificës dhe suksesit të grave në biznes”.

“Fuqizimi i gruas është themeli i një ekonomie të fortë. Ky panair është një mundësi shumë e mirë për bashkëpunim dhe dëshmi e progresit që po bëjmë si shoqëri,” – tha Rafuna.

Në stendat e panairit ekspozohen produkte bujqësore si mjedra të freskëta, punime artizanale, veshje kombëtare, si dhe argjendari e produkte kreative, të cilat kanë zgjuar interes të madh te qytetarët dhe vizitorët nga diaspora./KultPlus.com