Panairi i Librit “Lajpcig 2025”, në stendën shqiptare panel diskutimi mbi një roman të Kadaresë

Nën moton “Fjalët lëvizin botën”, Panairi i Librit i Lajpcigut priti mijëra vizitorë në ditën e tij të parë.

Stenda e Shqipërisë u vizitua nga Ministri për Kulturë dhe Shoqëri të Lihtenshtajnit, Manuel Frick. Stenda, si edhe një vit më parë, gjendet në hapësirën e Tradukit, ku prezantohen botimet shqipe. Falë programeve tē përbashkëta me Traduki dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, letërsia shqipe është më e pranishme në gjuhën gjermane mes përkthimeve të ndryshme.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shkroi në faqen e saj online se, panaire të këtij lloji në Europë ku bëhen bashkë lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë, mbërrijnë edhe si formë komunikimi mes kulturave të ndryshme dhe si mundësi prezantimi për t’u përcjellë letërsia shqipe në disa gjuhë të botës.

Në ditën e parë të panairit, autorët shqiptarë Elvin Nuri, Flogerta Krypi dhe Mimoza Ahmeti u bënë pjesë e një takimi me temën “Fjalë, Fjalë, Fjalë”, i cili tërhoqi vëmendjen e lexuesve.

Ndërsa sot, në stendën e Shqipërisë do të jetë aktiviteti me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” mbi përkthimin në gjermanisht të romanit “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare. Në panel do të jenë Joachim Rohm, Adia Sakiqi, Mimoza Ahmeti si dhe përkthyesja Loreta Schillock.

Në këtë tryezë, do të diskutohet mbi vendin e Kadaresë në letërsinë botërore, mënyrën se si veprat e tij trajtojnë temat e pushtetit, historisë dhe lirisë, si dhe rolin e tij si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit./ KultPlus.com

Botimet shqiptare në Panairin e Librit të Lajpcigut 2025

Panairi i Librit në Lajpcig është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së librit dhe medias, i cili lidh lexuesit me autorë, botues dhe kompani mediatike nga e gjithë bota.

Edhe Shqipëria është e përfaqësuar në këtë panair nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila do të organizojë panele me shkrimtarë e botues, gjatë ditëve të panairit, prej sot e deri më 30 mars.

Të gjithë ata që vizitojnë Lajpcigun do të mund të përjetojnë një shumëllojshmëri të letërsisë, për të zbuluar risi dhe për të fituar perspektiva të reja.

Tema e panairit të këtij viti është “Fjalët lëvizin botët”. Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, falë bashkëpunimit me rrjetin “Traduki” dhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Këtë vit në panair një panel diskutimi do t’i kushtohet edhe shkrimtarit Ismail Kadare.

Në aktivitetin e sot “Fjalë, fjalë, fjalë”, do të jenë në panel Flogerta Krypi, Mimoza Ahmeti, Elvin Nuri, Klajd Thaçi, Blerina Gaxha Rrugova dhe përkthyesja Loreta Schillock.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të prezantojë në Lajpcig letërsinë e autorëve shqiptarë, nga letërsia e traditës dhe ajo bashkëkohore, duke promovuar kulturën shqiptare dhe krijimtarinë letrare shqiptare në një skenë ndërkombëtare. Ndërsa të premten paradite do të jetë aktiviteti me temë “Letërsia dhe gjeopolitika” mbi përkthimin në gjermanisht të romanit “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare, i përkthyer së fundmi në gjermanisht./ KultPlus.com