Organizohet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i Botimeve Akademike dhe Shkencore

Duke filluar nga data 23-25 prill në Tiranë do të mbahet Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor.

Ky Panair organizohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Komiteti organizativ i ngritur për këtë qëllim ka aprovuar programin e veprimtarive që do të bëjë bashkë 35 institucione të kërkimit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave.

Kështu ka njoftuar Qendra e Studimit të Arteve përmes një njoftimi në Facebook.

Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Ky panair, i kthyer tashmë në traditë (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, IAL-të, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.

Si një aktivitet me karakter promovues, konfirmues dhe manifestues, Panairi i 3-të i librit akademik dhe shkencor, Tiranë 2024, do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga e gjithë hapësira shqiptare, duke synuar lidhjen në një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute, për të lehtësuar jo vetëm marrjen e informacionit, por edhe mundësinë e shkëmbimeve shkencore, në liri të plotë komunikimi e ndërveprimi.

Panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.

Panairi i librit në Shqipëri, për herë të parë do ekspozohen botime të rralla 200 vjeçare

Për të gjithë lexuesit e apasionuar pas veprave të rralla, Panairi i librit të ri, të vjetër dhe të përdorur po bëhet gati.

Një buqetë e larmishme me tituj të rrallë, kopje të botuara edhe para 200 vitesh do të ekspozohen për lexuesin të enjten dhe të premten në këtë panair.

Adhuruesit e klasikëve, folozofisë, shkencës mund të gjejnë në edhe botime të tirazheve të pakta të kolosëve të letërsisë botërore dhe jo vetëm.

“Interes të veçantë kanë botimet para 1945 në shqip. Janë tema specifike që nuk i gjen dot në librari. Kam dhjatën e Kostandin Kristoforidhit që është botuar në 1872, Ungjillin 1886, kam gjëra të rralla shumë. Ka shumë të apasionuar shumë”- u shpreh Novi.

Por sa referohen librat e vjetër për tu blerë?

“Ka dhe shumë të apasionuar, ka koleksionistë të shumtë, ka njerëz që duan të blejnë një libër. Më së shumti janë koleksionist”-tha Orges Novi.

Nuk ka as moshë të përcaktuar se cili lexues është i orientuar drejt librit të përdorur e të vjetër.

“Targeti fillon që tek studenti deri në moshën 80-vjeç.”-tha ai./euronews.al/KultPlus.com

Kosova pjesëmarrëse në Panairin e Librit në Leipzig

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Kosova po merr pjesë në Panairin e Librit në Leipzig, ku po përfaqësohet nga Biblioteka Kombëtare, e cila prezanton në shtandin e saj botimet më të reja të vendin tonë.

Lajmin e ka bërë të ditur MKRS përmes një postimi në facebook.

“Shtandi i Kosovës në panair u vizitua nga përfaqësues të Panairit të Librit në Lajpcig, po ashtu nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, Adia Sakiq dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Berlin, Ylber Sela, kurse po vazhdon të vizitohet nga autorë, studiues e lexues të shumtë”, thuhet në shkrimin e MKRS.

Pjesëmarrja e Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Panairi do të jetë i hapur deri më 24 mars 2024./KultPlus.com

Shqipëria promovohet në panairin më të madh të turizmit në botë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka publikuar momente nga prezantimi i Shqipërisë turistike përgjatë një jave në panairin botëror të turizmit  ITB Berlin.

Kumbaro shprehet se “më e mira është përpara nën titullin vendi i nderit për vitin 2025 dhe me sloganin “Albania All Senses”.

Stenda jonë në panairin më të madh në botë të turizmit ITB Berlin ia doli më së miri të përcillte të gjitha shijet, ngjyrat e ndjesitë e Shqipërisë turistike duke u dhuruar një përvojë të mrekullueshme udhëtimi virtual të gjithë kureshtarëve që e vizituan dhe shprehën entuziazmin për ta eksploruar dhe ripërjetuar këtë vend duke nisur nga ky vit.

Gjatë eventit më të madh të turizmit botëror, n Panairin e Berlinit 2024 u prezantua brandimi i ri i Shqipërisë turistike me sloganin “Albania All Senses”.

Slogani është një ftesë për një përvojë turistike të pasur multishqisore që ngacmon dhe kënaq të gjitha ndjesitë dhe emocionet me bukuritë natyrore, tingujt e valëve në bregdet, erën dhe shijet e kuzhinës tradicionale, emocionet e historisë dhe kulturës së pasur, dhe prekjen e mjedisit dhe elementeve natyrore.

Në këtë  vit  kaq të rëndësishëm, një tjetër moment dhe hap i rëndësishëm për turizmin tonë, ishte shpallja e Shqipërisë si vend nderi të ITB në 2025, panairit më të madh në botë të turizmit, pas një pune të gjatë dhe angazhimi serioz për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës sonë turistike në eventet e promovimit ndërkombëtar.

Gjithashtu prezantuam dhe kalendarin e eventeve artistike TEA, i cili po pasurohet, duke u shndërruar në një guidë të plotë, ku turistët do të mund të gjejnë edhe rrjetin e hoteleve, restoranteve dhe çdo gjë që u nevojitet.

Supepromovimi i Shqipërisë në ITB-Berlin përkthehet në mënyrë të prekshme te kontratat e turoperatorëve të cilët konfirmojnë se po punojnë për vitin 2025, pasi rezervimet për 2024-ën janë mbyllur.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili nënshkruan në Berlin marrëveshjen zyrtare, që e bën Shqipërinë vendin pritës të Mbledhjes së Komisionit për Europën të ONWTO./atsh/KultPlus.com

Rama: Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin

Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, bashkë me qytete të tjera shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon prezantuese të “Qytetit të gurtë” në Panairin e Berlinit, ku për tre ditë me radhë Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025.

E njohur më shumë si “Qyteti i gurtë”, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj.

Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj./atsh/KultPlus.com

Kosova me pjesëmarrje të suksesshme në Panairin e Leipzigut

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e përkrahur nga MKRS dhe MPJ, nëpërmjet botimeve më të reja të botuesve të Kosovës, 3 ditë radhazi përfaqësoi Kosovën në Panairin e Leipzigut në Gjermani.

Kosova u prezantua nëpërmjet veprave letrare dhe joletrare, deri te romani grafik – veprave në gjuhën shqipe dhe veprave të përkthyera në gjuhë të huaj, të autorëve: Ag Apolloni, Shpëtim Selmani, Zuzana Finger, Janet Reineck, Elizabeth Gowing & Robert Wilton dhe Gani Jakupi.

Ag Apolloni me romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” u nderua me çmimin “Special Mention” nga European Union Prize for Literature. Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi, i mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, është një iniciativë për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë./21Media/KultPlus.com

11 prodhues shqiptarë prezantojnë produktet e tyre pranë tregjeve ndërkombëtare, në Panairin ‘Slow Food’ në Shtuttgart

11 prodhues shqiptarë të talentuar, që tashmë kanë krijuar markë me prodhimet e tyre autentike u prezantuan në Panairin “Slow Food” 2023, Stuttgart, të Gjermanisë si pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pvr promovimin e prodhuesve shqiptarë dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në tregjet të reja ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në panair me mbështetjen e MBZHR dhe nënkujdesin e veçantë të ministres së Bujqësisë Frida Krifca, ishte rast shumë i mirë për të parë zhvillimin e prodhimeve shqiptare që nuk janë thjesht vetëm bujqësore, blegtorale por vijnë të përpunuara si një cikël i plotë.

Ministrja Krifca publikoi fotogalerinë e pjesëmarrjes në panair, ku i pranishëm ishte edhe ministri Federal i Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir.

“Këto produkte ushqimi janë pasaportë e rëndësishme e traditës, cilësisë, shijes dhe ritualeve të territoreve më të thella të Shqipërisë nga jugu e deri në veri vendit. Janë pikërisht këto prodhime autentike që po zgjojnë vlerë të shtuar në agroturizmet lokale, po zgjerojnë kërkesën për eksporte dhe po inkurajojnë angazhmin e banorëve të këtyre zonave, për të shtuar prodhimin që është mjaft i kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj”, tha ministrja Krifca.

Prodhimet tipike me bazë gjeografike janë një shembull shumë i mirë sesi funksionon përparimi e mbështetja e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri.

Ministrja shprehu angazhimin për një mbështetje të vazhdueshme në këtë sektor, ku veçoi edhe përkrahjen e prodhuesve për promovimin e tyre në panairet ndërkombëtare.

“Panairi “Slow Food” 2023, Stuttgart, Gjermani, një tjetër mundësi që afroi prodhuesit tanë me tregjet ndërkombëtare më të sofistikuara, ku u prezantuan denjësisht përmes shijes, cilësisë, njerëzores”, tha ministrja. “Thjesht, ekselencës shqiptare”, theksoi ajo.

45 produkte të kultivuara, të vjelura apo të përpunuara në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, përgjatë bregdetit apo në vargmalet malore ishin pjesë e stendës shqiptare në Panairin “Slow Food” në Shtutgard.

Krifca ishte e pranishme me ftesë të posaçme të ministrit Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Ozdemir, në Panairin Slow Food 2023, Stuttgart, Gjermani, ku morën pjesë mbi 700 ekspozues nga e gjitha bota./atsh/KultPlus.com

75 etiketa vere shqiptare në Veronë, në panairin më të madh të verërave në botë

Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cila theksoi se “mes 4900 ekspozuesve, disa qindra njohësve profesionistë dhe dhjetëra mijëra dashamirës të verës, në stendën “Wine vision by Open Balkan”, do të promovojmë së bashku me prodhuesit tanë shijet, territorin, karakteristikat dhe autenticitetin e verës ekselente shqiptare”.

“Në këtë ekspozitë Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues”, tha Krifca.

Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë edhe rajonin si destinacion turistik.

Në stendën e Shqipërisë 20 prodhuesit më të mirë të verës, ekspozojnë verërat “Made in Albania” me etiketa tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku ekportojnë prej vitesh. Ata prezantohen në këtë event të rëndësishëm, me synimin për vendosjen e bashkëpunimeve të mundshme për hapjen e tregjeve të reja të eksportit të verës “Made in Albania”.

Vreshtaria dhe verëtaria mbeten në fokus të qeverisë shqiptare për të nxitur zhvillimin e sektorit. Nëpërmjet programeve të mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, kantinat vendase kanë përfituar financim për rikonstruksion dhe ngritje ambientesh për, linja dhe makineri për paketimin dhe standardizimin, investime të cilat kanë shërbyer në përmirësimin e cilësisë së verës./atsh/KultPlus.com

Prishtina organizon panairin më të madh për studime në universitetet më të mira në botë

Prishtina do të organizojë panairin më të madh për studime në universitetet më të mira në botë, shkruan KultPlus.

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në “Facebook”.

Ajo ka thënë se sa më shumë mundësi shkollimi, aq më tepër rini e përgatitur për Kosovën tonë.

“Ftoj vajzat e djemtë të interesuar për studime bachelor dhe master që të shfrytëzojnë mundësinë të takojnë përfaqësues nga shkollat më të mira vendore dhe të huaja dhe të marrin këshilla për përgatitje të aplikimeve në panairin më të madh të edukimit nga Wiseword Kosova. Ngjarja do të zhvillohet të hënën dhe të martën (3, 4 tetor) me fillim nga ora 10:00-19:00 në Hotel Sirius, Prishtinë.

Regjistrohuni, duke klikuar në këtë link, merreni pasaportën dhe listën e notave me vete për aplikim të shpejtë. /KultPlus.com

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor në Tiranë

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë,  Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit dhe do të zgjasë deri më 24 prill 2022. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.

Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre.

Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.

Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithashtu të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që I botojnë.

Studiuesit kanë nevojë të shkëmbejnë informacion shkencor për të njohur me shpejtësi veprat e njëri-tjetrit. Dhe rruga më e frytshme është njohja përmes veprimtarive të tilla si panairet, që shënjojnë manifestime publike për librin.

Libri shkencor që botohet në hapësirën shqiptare ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara evropiane e botërore.

Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.

Në ditët e panairit do të ketë promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare: monografi dhe periodikë shkencorë të institucioneve dhe qendrave kërkimore etj. Panairi i parë i librit akademik dhe shkencor, përveç ekspozimit të literaturës shkencore e informuese për veprimtarinë kërkimore shkencore në hapësirën shqiptare, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së disa botimeve të kërkuesve shkencorë, studiuesve, trupave pedagogjike, do të krijojë hapësira dhe mundësi diskutimi mbi çështje e tema specifike të dijeve shqiptare. Libri shkencor për herë të parë në këtë panair sjell pranë e bashkon në një eksperiencë të veçantë akademikët, kërkuesit, studiuesit, pedagogët, lexuesit e specializuar, duke ofruar mundësi më të drejtpërdrejta kontaktesh, duke krijuar hapësira bashkëpunimi dhe ndërveprimi të mendimit dhe kërkimit akademik universitar.

Promovimet do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur, me mundësi diskutimi. Në dispozicion të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse do të jenë tri salla: dy mjedise në Akademinë e Shkencave dhe një mjedis në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. /ATSH /KultPlus.com

Kosova prezantohet në panairin e turizmit në Izmir

Tetë ndërmarrje të vogla dhe të mesme të turizmit nga Kosova po marrin pjesë në Panairin e Turizmit në Izmir “Travel Turkey Izmir”.

Panairi ka mirëpritur këtë javë në Izmir të Turqisë dy hotele dhe gjashtë operatorë turistik nga Kosova.

Pjesëmarrja e këtyre kompanive ka ardhur si nismë e Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) dhe është përkrahur nga Swisscontact.

Takimet biznes me biznes (B2B) po zhvillohen midis operatorëve turistik vendas dhe operatorëve turistik turq, të ndihmuar nga një konsulent i vendit pritës. /KultPlus.com

Panairi i Librit 2021 tërheq lexues të shumtë

Panairi i 24-t i Librit tërhoqi këtë edicion lexues të shumtë në ditët e kësaj “feste” të të lexuarit dhe letërsisë, ndërsa shkon drejt fundit mbrëmjen e sotme.

Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit u çel në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ky panair erdhi pas një periudhe shumë të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për botuesit.

Çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 e mori shkrimtari Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.

Panairi i 24-t i Librit këtë vit u organizua me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit. / KultPlus.com

Hapet ‘Expo Trieshi 2020’, panairi i ushqimit dhe produkteve tradicionale

Për herë të parë, në Triesh të Tuzit, organizohet panairi i ushqimit dhe i produkteve tradicionale, përcjellë KultPlus.

Ky që njëherit është edhe edicioni i parë i këtij panairi, do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës ‘BESA’ në Triesh, këtë të diel duke filluar nga ora 10:00

Në këtë panair, siç thuhet në njoftimin e publikuar nga Nik Gjeloshaj, të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë me prodhimet e veta të përpunuara ose të përgatitura.

”Ju ftojmë të merrni pjesë në panairin e parë Expo-Trieshi 2020
Në këtë panair do të prezantohen dhe shiten prodhimet dhe ushqimet tradicionale të trevës.

Të interesuarit mund të marrin pjesë me prodhimet e veta të përpunuara ose të përgatitura.

Aktivitetet shtesë do të jenë: Vallet tradicionale, gjuajtja me shigjetë dhe muzikë argëtuese”, thuhet ndër të tjera në njoftim. / KultPlus.com

Gratë afariste prezantojnë produktet e tyre në panairin tregtar në Prishtinë

Në platon e Pallatit të Rinisë, sot ka filluar Panairi i tretë tregtar për gratë ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme, që organizohet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, që do të mbahet me datë 1 dhe 2 korrik, shkruan KultPlus.

Në vitin e tretë me radhë që organizohet panairi për gratë ndërmarrëse nga komunitet e ndryshme në Kosovë, ku ideja kryesore është që të sillen produktet e grave ndërmarrëse nga Kosova, që të stimulohet një bashkëpunim në mes komuniteteve, si dhe të ju jepet një mundësi që në tregun e Prishtinës të i sjellin dhe prezantojnë produktet e tyre. Në pamundësi që punimet artizanale të punuara në shtëpitë e tyre, të ekspozohen para blerësve të tjerë, ideja e panairit, me bashkëpunimin e misionit OSBE, ofrojnë këtë mundësi për zonjat, që të prezantohen sa më mirë me produktet e tyre.

 Edona Bajrami-Shala, zyrtare nacionale e programit për misionin OSBE për KultPlus ka treguar edhe numrin e grave ndwrmmarrwse nw kwtw panair.

 “Kemi rreth 100 gra ndërmarrëse, ku vijnë nga, kryesisht komuniteti shqiptar, serb, turk, boshnjak, ku në panair kanë sjellë punime dore artizanale, ushqime, dhe do të qëndrojnë nga ora 10:00 deri në ora 20:00, me datë 1 dhe 2 korrik”, ka thwnw ajo.

Shala tregon edhe për sfidën që kanë organizatorët në temperaturat e larta, ku ata po përpiqen që me klimatizimin e ambientit të panairit, të krijojnë sado pak kushte të mira për prezantimin e produkteve, e sidomos atyre ushqimore.

Mihrije Canolli nga Prishtina, në tendën e saj sot në panair prezantohet me punime artizanale të bizhuterive, ku Canolli falënderon misionin e OSBE-së për mundësinë që i ka dhuruar për prezantimin e punimeve, ndërsa Ganimete Byqmeti nga qyteti i Gjilanit, në pjesëmarrjen e saj të tretë më radhë në panair, ku prezantohet me ushqime tradicionale, si bakllavaja, kifle, mantia dhe reçel.

Në tendën e Afërdita Murati nga qyteti i Podujevës, prezantohet me lëngun e aronisë, një lëng shërues, lëngun e boronicës, mjaltin dhe shurupin e boronicës, ku si biznes, kryesisht merret me biznesin e mbledhjes së frutave të egra. Murati për lëngun e aronisë, tregon vlerat ushqyese dhe shëruese, pa aditiv, ku preferohet për personat me anemi, mungesë imuniteti, antikancerogjen, ku si produkt ja vlen që ta ketë çdo familje në shtëpinë e tyre. Gratë ndërmarrëse, për produktet e tyre shprehen se çmimet e produkteve janë më të lira sesa ato të importuara në Kosovë, ku në mbështetjen e OSBE-së, po përpiqen që ti fusin në treg produktet e tyre.  Visar Shabani/ KultPlus.com

Shqipëria zgjon interesin e vizitorëve në panairin e Turizmit në Helsinki

Në panairin e përvitshëm ndërkombëtar të Turizmit në Helsinki, më i madhi në këtë fushë në Skandinavi, ndër të 80 vendet pjesëmarrëse, sivjet ishte dhe Shqipëria me një stendë dinjitoze.

Ky ishte rezultat i bisedimeve dhe përpjekjeve më se 2-vjeçare të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Konsulles së Përgjithshme të Nderit të Shqipërisë në Finlandë, Liliana Verdha, me drejtuesit e këtij panairi të rëndësishëm ndërkombëtar.

Në “Matka 2019” nga data 17-20 janar përveç 3 përfaqësuesve të Bordit Kombëtar të Turizmit të Shqipërisë, ishin edhe 7 firma të tjera turistike me mbi 13 vetë gjithsej, të cilët patën dhe mbështetjen e shqiptarëve me banim në Finlandë.Interesi i vizitorëve të Panairit për Shqipërinë ishte mjaft i madh, aq sa edhe materialet e shtypura mbaruan në 2-3 ditë.

Në Panair Shqipëria u prezantua edhe nga kompania finlandeze e udhëtimeve turistike “Apollo”, si dhe nga kompania immobiliare finlandeze “Habitare” dhe ajo finlandeze-shqiptare “TripAID Albania”.Gjatë të katër ditëve të panairit në stendën shqiptare qëndroi edhe Konsullja e Shqipërisë, Lili Verdha, e cila ndihmoi në organizimin e takimeve me biznese finlandeze, si edhe me mjaft gazetarë finlandezë e të huaj që kanë shkruar dhe do të shkruajnë për Shqipërinë. /k.s/ KultPlus.com

Hapet panairi tradicional “Blej Shqip”

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, organizon për nder të ditës së flamurit, panairin tradicional “Blej Shqip” 2018.

Ky panair tashmë tradicional mbahet në qendër të qytetit dhe vizitohet nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë e të huaj dhe ka për synim promovimin e produkteve nga të gjitha trevat shqiptare.

Panairi do të mbahet më 27, 28 dhe 29 nëntor, në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 10:00 deri në ora 24:00./ KultPlus.com

I riu shqiptar bën shpikje mbresëlënëse në panairin e Gjermanisë

Në panairin e tij themelues, Universiteti Teknik (TU) i Darmstadtit u prezantua si një farkëtar idesh mbresëlënëse. Më shumë se 1000 vizitorë u informuan për idetë dhe kompanitë e biznesit

Stendat në Darmstadtium janë vendosur mirë dhe vizitorët lëvizin njëri pas tjetrit përgjatë rreshtave të tavolinave. Këtu, rreth 50 themelues paraqesin idetë e tyre të biznesit, shumica shpatull në shpatull, sepse hapësira është e vogël, informojnë mediat gjermane.

Për herë të katërt Universiteti Teknik (TU) Darmstadt kishte ftuar rreth një mijë vizitorë për manifestimin “Start-up & Innovation Day”, në mesin e të cilëve edhe investitorë, konsulentë themelues dhe klientë potencial, ndërsa rezonanca ishte më e madhe se asnjëherë më parë.

TU u prezantua në qendrën e kongresit Darmstadtium si një institut mendimtar mbresëlënës. Disa shpikje janë ende në fillimet e tyre, të tilla si një dorezë që mund të përdoret për kryer terapi tek pacientët me goditje në tru. Taulant Koka dhe kolegët e tij nga Departamenti i Elektroteknikës në TU, kanë zhvilluar të ashtuquajturën Soft Exosuit në një projekt të studentëve dhe të paraqesë para vizitorëve se si sistemi elektronik automatikisht lëviz gishtin në dorezë. Çdo vit rreth 270,000 njerëz në Gjermani vuajnë nga një goditje, “të cilat mund të sjellin deri në paraliza gjysmë të njëanshme”, thotë Taulanti, shkruan Albinfo.ch

Me këtë rast, doreza duhet të ndihmojë në përmirësimin e gatishmërisë së dorës së prekur, “për shembull, për të kapur një gotë ose diçka për të ngrënë”, shpjegon më tej Taulanti.

Në stendin tjetër fqinj, Tobias Pfuhl tregon një shpikje që është me madhësi vetëm disa centimetra: Një i ashtuquajtur sensor fashë, i cili mund të ngjitet në makina dhe të sigurojë informata në lidhje me gjendjen e tyre. “Në shumë kompani, kërkimi për problemet në prodhim kërkon kohë të gjatë”, thotë Pfuhl. Nga ana tjetër, kjo kushton shumë para. “Sensorët mund të vendosen mbi komponentët si një sipërfaqe inteligjente – pa kabllo dhe pajisje të shtrenjta”. Në rast të gabimeve, sensori do të tingëllojë si alarm. Kjo kursen kohë dhe para, është i bindur shpikësi.

Themeluesit, të cilët tashmë janë një hap përpara, paraqesin veten me të gjitha llojet e infomaterialeve, disa kanë bashkuar edhe prezantime multimediale, transmeton Albinfo.ch. Në këtë eveniment, për herë të parë ka marr pajesë edhe “Motorspindel-Manufaktur Carbon-Drive GmbH”, me produktet e fibrave të zinj të karbonit që sollën.

Sipas disa ekspertëve, ekziston edhe potenciali i madh i tregut për produktin “Magnotherm Solutions”. Ekipi zhvillon pajisje ftohëse bazuar në teknologjinë magnetike. “Ata janë të sigurt, ekologjikë, efikas dhe të qetë,” thotë bashkëthemeluesi Dimitri Benke.

“Compredict GmbH” ofron softuer për industrinë e automobilave dhe tashmë ishte i pranishëm në panairin e TU. Panairi i parë filloi në 2015 me 150 mysafirë. “Po që se ndokush do të më thoshte se do ta marrim me qira Darmstadtiumin për tre vite, nuk do ta kisha besuar”, thotë Prof. Dr. med. Peter Buxmann, kreu i qendrës së inovacionit në TU./ KultPlus.com