Pantera e zezë

Nga: Visar Zhiti

Është e trishtë dhe e rrezikshme gjëndja, kur e mendon përmirësimin jo nga drejtësia dhe dashuria, nga morali, ndërgjegjia kombëtare, etj, por nga vdekja dhe urrejtja, nga vdekja e dikatorit, e vejushës së tij, e bashkëpunëtorëve të së keqes, etj, kur diktatura mbetet, e copëzuar, në mendësi, në veprime, në biseda, në qeverisje deri dhe në të ngazëllyerit në nekromani, duke harruar frymën e së keqes, kutërbimin kalbëzues të gjendjes. Mos jemi popull me kujtesë të gjymtuar, që të paktën të lexonte? Jo thjeshtë libra, por të kaluarën e vet, përsëdytjen e historisë në të tashmen ndryshe… Me interes janë bisedat e të burgosurve, përsiatjet e tyre. Gjejmë rastin dhe sjell grimca të tilla nga dy burgologjitë e mia, “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të botuara 10-15 vjet më parë, për vejushën e diktatorit, për diktatorin dhe pasardhësin e tij, pra për vetë diktaturën e tyre, që pasi pllakosi mbi kryet dhe shpinat e një populli, pasi ra, u rrokullis dhe u shkri me gjithë aciditetin e saj në mendësinë kolektive, që siç thoshin në burg, nga P.P.SH. u bë ADN e së keqes.

1.
Ne dimë dhe ç’do të ndodhë, pse do të sundojë pas Enverit ai, Ramizi. Është dhe çështje grash. E shoqja e diktatorit, Nexhmija, e do Ramizin e ky patjetër duhej të mbetej vejan. Po Mehmet Shehu i tmerrshëm? Ai jo, kthen ai, ka kokë më vete, vjen ca si perëndimor. Po Enveri pse nuk do që ta vrasë Ramizin, për meritë të këtij të fundit, do të dijë ai të jetë dhelparak e ka për të mbijetuar, apo sepse është aq qullac sa s’ia vlen ta vrasësh? Të dyja. Që, duke mos pasur zotësinë e mjaftueshme për të sunduar, njerëzit do t’i marrë malli menjëherë për Enverin dhe do të kërkojnë hijen e tij, që t’i udhëheqë. Të shoqen? Panterën e zezë, siç e quajnë në burg? Të shohim, është ende shpejt.
2.
Rruga është e hapur për Ramiz Alinë. Që s’është i zoti për të qenë diktator. As liberal e reformator. Ky u duhet njerëzve të Enverit si pasardhës, që ta tërheqin prej hunde, e ndërkohë populli të zhuritet nga malli për madhështinë e Enverit. Gruaja e diktatorit, Pantera e Zezë, do të udhëheqë postmortum si tani. Enver Hoxha ka mbi 15 vjet që nuk është në gjendje. I sëmurë është dhe nga trutë. Dhe të burgosurit vazhdonin të rrëfenin se Mehmet Shehu vrau veten me 2–3 plumba kokës me revolen e Enver Hoxhës. Kanë arrestuar dhe të shoqen e kryeministrit, drejtoreshë e Shkollës së Partisë. Dhe dy djemtë ia kanë arrestuar, i treti vrau veten. Kush, më i vogli? Jo, jo. Jo ai shkrimtari. Do t’ia ndalojnë librin dhe atij. Nuk i sjellin këtu ata. Do t’i izolojnë, s’dihet se ku, e do t’i helmojnë.
3.
Rreshtat s’mbaronin, zgjateshin e zgjateshin si një gjarpër i madh, vinin nga të gjitha vendet, nga fabrikat dhe repartet ushtarake, nga universiteti, spitalet, çmendinat, akademia, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve, kooperativat bujqësore, i sillnin me autobusë, trena, me makina të rastit, zjarrfikëse, ambulanca, autoburg, më këmbë, me kuaj, me vig, nga shpellat, nga gërxhet, tunelet, llogoret, bunkerët, qanin me kuje, spikeri i televizionit, komandanti i burgut, kurajë, dhembjen ta kthejmë në forcë, siç porosiste Enveri. Partinë na e la të pastër dhe të fortë. Ngaqë iku vetë. Ta bëjmë Shqipërinë siç e donte Enveri. Foli dhe Pantera e Zezë, vejusha tashembrapa
e diktatorit, e mban veten, e zonja ajo, sa i shkon zia, po Ramiz Alia endet si zot shtëpie, kot e ka që e trash zërin, sa frikë ka nga arkëmorti, mortja atij, nuk shikon dot andej…
4.
– Po sikur dhe ju, edhe pse të burgosur, tanët jeni, – po na thoshte një uniformë oficeri, – t’i bëni një letër Enverit?
– Po ai s’është, – thanë ca nga ne.
– Jo, t’ia dërgoni vejushës së tij, Partisë, njerëzore është, njerëz jeni dhe ju, t’i shprehni ngushëllimet….
– Që jemi në burg, që po riedukohemi me mësimet e tij? Operativi, komisari, policë të tjerë po prisnin në këmbë miratimin. Rreshtat tanë heshtnin.
– Hë, fol ti. Ç’thua? – iu drejtuan më plakut.
– As dëgjoj nga veshët, – u tulat ai, – as shoh nga sytë. As në shtëpinë time nuk çoj më letra.
– Je apo s’je dakord?
– S’flas dot, s’kam dhëmbë të mitë, janë të shtetit e më kanë vrarë.
– Po ti ç’thua, – iu drejtua operativi një të gjati të zymtë.
– Kam 21 vjet që ha këtë gjellë burgu, – u përgjigj. – Po ti, i dënuar?…
– Jam i dënuar, s’di gjë.
– Po ti?
– Kur më vdiq baba, unë s’mora ngushëllime as nga Ramiz Alia as nga Komiteti Qendror, as nga Nexhmija e Enverit, prandaj s’kam si i prish zakonet, s’mund t’u çoj unë… S’jemi të një sëre. – Mjaft! Ju jeni armiq të pandreqshëm, s’keni ndjenja. Njëri thotë s’dëgjoj e s’flas dot, kur dëgjon ç’i thamë e përgjigjet… Kush qeshi? Shpejt në birucë! Këtu do të ngordhni, – ulëriu komisari
5.
Diktator është edhe ai, i vërtetë, tamam. I jep porosi Pantera e Zezë që të bëjë sikur diku po e zbut dhe diku tjetër, si gjakatar, ta forcojë. Ja, nuk po dënojnë më, hëpërhë ndoshta, për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit, por po i vrasin ata që kapin në kufi, kur me ligj s’po e quajnë më tradhti ndaj atdheut, por shkelje pa leje të kufirit. I tërheqin zvarrë.
6.
Dhe në vendin e tij sollën një atentator, që, sipas akuzës, donte të vriste Ramiz Alinë. “E sheh? – duan t’i thonë zëvendësdiktatorit. – Armiku i brendshëm, i lidhur me atë të jashtmin, vepron.” Dhe Pantera e Zezë ia mpreh dhëmbë e kthetra e thonj bashkëluftëtarit të Enverit. Absolutisht të mos zbutet gjendja – Ke të drejtë. Ramiz Alia kërkon t’i mbushë mendjen Ramiz Alisë se Shqipëria ka nevojë prapë për diktator e diktaturë. Dhe burgjet të hapen, jo për të nxjerrë, por për të futur. /KultPlus.com