Kardinalët katolikë nisin sot votimet për Papën e ri

Kardinalët katolikë nga e gjithë bota nisin këtë të mërkurë (7 maj) procesin e votimit për një papë të ri, nën afreskun e famshëm të Michelangelo-s, “Gjykimi i Fundit”, në Kapelën Sistine.

Ky është një konklav i veçantë dhe ndoshta më i paparashikueshëm që ka ndodhur ndonjëherë, pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare.

Një nga trashëgimitë kryesore të Papa Françeskut ishte krijimi i një kolegji kardinalësh të larmishëm dhe shpesh të përçarë, me disa që mbështesin vizionin progresiv të tij dhe të tjerë që dëshirojnë të rihapin diskutimin mbi shumë nga ndryshimet që ai solli në Kishën Katolike.

Termi Konklav rrjedh nga latinishtja “cum clavis”, do të thotë “vend i mbyllur me çelës” ku kardinajtë takohen për të zgjedhur Papën e ri, pasardhësin e 267-të të Pjetrit, në fshehtësi dhe pa asnjë mundësi për të kontaktuar me botën e jashtme. Strehimi është vendosur në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Mbeten vetëm pak ditë deri në fillimin e Konklavit, ndaj pritja për Papën e ri po shtohet. “Populli i Zotit” do ta njohë emrin e tij falë tymit të bardhë dalë nga oxhaku i Kapelës Sikstine.

Papa Albani: Më shkruani në varr që rrjedh nga gjaku shqiptar

Dëshirën për t’u identifikuar shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.

Kishte lindur në Romë më 23 korrik 1649, ku edhe u nda nga jeta më 19 mars 1721, si pinjoll i një familjeje të njohur me lidhje të forta si me vendin e të parëve, ashtu edhe me Vatikanin.

Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar, “si një Papë me “origjinë shqiptare,” si “Papa që ka thirrur Kuvendin e Arbrit”, dhe për plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Të gjithë autorët e huaj që kanë shkruar për të, nuk kanë mundur ta shpërfillin prejardhjen e tij shqiptare, duke theksuar edhe krenarinë me të cilën ai identifikohej si shqiptar. Me 25 prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër të Papa Gjon Palit të dytë dhe në intervistat që i paraprinë kësaj vizite, disa here e ka përmendur emrin e Papa Klementit XI Albani, duke theksuar lidhjet e tij, madje edhe në formë të ngushtë, në mes të Vatikanit dhe Shqipërisë.

Biografi francez i Klementit XI- Albani, M. Reoule shkruan: “Gjon Francesk Albani, që kishte prejardhje shqiptare, u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me nismën e tij u mblodh Kuvendi i Ipeshkvinjëve katolikë të Ballkanit (14-15 janar 1703). Kjo ishte një fitore e madhe për kulturën dhe kombësinë shqiptare, pasi klerikët ishin të parët, që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe dhe të krijonin përmendoret e para të letërsisë shqipe.”/ KultPlus.com\