OKB jep alarmin: Njerëzimi rrezikon zhdukjen nga ngrohja globale

Ngrohja globale mbi nivelin e përcaktuar nga marrëveshja e Parisit për klimën do të ketë “pasoja të pakthyeshme mbi njerëzimin”.

Me 2 gradë më shumë në vend të 1,5, gati 420 milionë persona do të përballeshin me “valë të nxehtit ekstrem”, dhe 80 milionë të tjerë do të kërcënoheshin nga uria. Draft-raporti i grupit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike pranë Kombeve të Bashkuara është alarmues.

Ai flet për mungesa uji, eksode të mëdha, kequshqyerje e deri dhe zhdukje të specieve: jeta në Tokë siç e njohim ne do të transformohet në mënyrë të pashmangshme nga ndryshimi i klimës kur fëmijët e lindur në 2021-shin të kenë mbushur 30 vjeç, e ndoshta edhe më përpara, paralajmërojnë ekspertët.

Cilido qoftë niveli i reduktimit të gazeve shkaktare të efektit serë, ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale mbi natyrën dhe njerëzimin do të shpejtohet, thuhet në raport, dhe do të bëhet i prekshëm që përpara 2050-tës.

“Jeta në Tokë mund ta marrë veten nga ndryshimet drastike të klimës duke evoluar përmes specieve të reja e duke krijuar të tjera ekosisteme, por njerëzimi jo”, vazhdon drafti.

Raporti prej 4000 faqesh, është shumë më shqetësues se ai i mëparshmi i 2014-tës dhe synon të ndikojë mbi vendimet e ardhshme politike me shpresën të ketë hapa konkretë. / Gazeta Express / KultPlus.com

Paralajmërimi i OKB-së, “Bota mund të bëhet ferr i pabanueshëm”

Ka pasur një rritje të madhe të katastrofave natyrore gjatë 20 vjetëve të shkuara dhe për këtë fajësohet kriza e klimës, deklarojnë Kombet e Bashkuara.

Kërkuesit drejtojnë gishtin nga liderët politikë dhe ata të biznesit që, sipas tyre, kanë dështuar të veprojnë për të minimizuar pasojat e ndryshimeve klimaterike dhe për të evituar që planeti të shndërrohet në një ferr të pabanueshëm për miliona njerëz.

“Ndërkohë, pandemia e koronavirusit, që ka vrarë më shumë se 1 milion njerëz dhe ka prekur mbi 37 milionë të tjerë, ka nxjerrë në pah dështimin e thuajse të gjitha vendeve për të parandaluar një valë vdekjesh dhe vuajtjesh, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të ekspertëve”, thuhet në raport, transmeton Shqip.

Nga viti 2000 deri në 2019, ka pasur 7348 katastrofa të mëdha natyrore, përfshirë këtu tërmete, cunam dhe uraganë, që kanë marrë 1.23 milionë jetë njerëzish, kanë prekur 4.2 miliardë njerëz dhe kanë shkaktuar 2.97 trilionë dollarë humbje ekonomike në shkallë globale, përllogarit zyra e kombeve të bashkuara për reduktimin e rreziqeve nga katastrofat UNDRR.

Kjo është thuajse dyfishi i 4212 katastrofave të regjistruara nga 1980-1999 tha OKB në raportin e saj të fundit, kostoja njerëzore e katastrofave 2000-2019. / KultPlus.com