Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga një ditë e zakonshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, ku duket se vizitorët janë të shumtë në numër.
PAA është nga sitet tona kulturore më të vizituara. Çdo ditë janë me qindra vizitorët vendas dhe të kombësive të ndryshme që shijojnë ato çka ofron ky park arkeologjik. Sipas statistikave, nga të huajt kryesojnë vizitorët nga Evropa Perëndimore.
Apolonia është një ndër parqet arkeologjike që pret një numër relativisht të lartë vizitorësh gjatë një viti. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti në PAA u tejkalua shifra prej 58 mijë vizitorësh.
Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj./atsh/
