Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps

Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.

Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.

Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.

Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.

Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.

Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.

Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.

Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë./atsh/KultPlus.com