Talia e Pashko Vasës, frymëzimi vjershëtor i tij
Parë jashtë domenit ideologjik të kohës, rilindasit shqiptarë, përpos krijimit të një letërsie fund e krye misionare, binin pre edhe të ndjenjave të brishta njerëzore. Qenia e tyre, krahas një strukturimi jashtëzakonisht kombëtar e politik, preket edhe prej ndjenjës së dashurisë, si një ndër ndjenjat më sublime si te njeriu, njëlloj edhe te krijimet letrare.
Pashko Vasa, i njohur si një ndër figurat kyçe të romantizmit shqiptar, krahas krijimeve letrare me karakter plotësisht patriotik, gjithëherë me idealin për zgjimin e vetëdijes kombëtare, la pas edhe krijimtari poetike jashtë kontekstit idealist kombëtar.
Në veprën “Trëndafila e gjemba” (Rose e Spine), qysh në nisje hasim dedikimin e dashuruar të poetit.
Njihemi me një Tali, një Ajo e shkrirë në poezi e vargje, një Ajo që lë në hije atdheun, popullin, idealin për të hedhur dritë kah njeriu, kah ndjenja. Talia e Pashko Vasës e krijon poetin, e formon atë, i zgjon veten tjetër, atë poetike. Një ndërdije që është më e lartësuar se vetëdija, një Unë i dytë që kërkon me patjetër një shkas për të Qenë. E te Vasa, shkasi, Ajo, është Talia, muza e frymëzimeve rinore, krijuesja e ëndrrave të munguara, e një bote krejtësisht jashtë të zakonshmes.
Talisë
Ty, o Muzë, po ta kushtoj këtë grumbull vjershash, fryt i zgjimeve të mia rinore dhe jehonë e vuajtjeve të shpirtit tim. Dhe në të vërtetë ty ta kisha borxh këtë tribut mirënjohjeje, sepse me frymëzimet e tua ti me mua bëre një mrekulli të tillë, që ishte marrëzi ta shpresoja; ti më dhe një kurajë krejt të re, e cila më mungonte.
Duke t’i blatuar këto vargje, unë nuk synoj të parashtroj diçka që në realitet t’ia vlejë, apo që të jetë e denjë për ty; desha që ky libërth të dilte në dritë vetëm e vetëm, sepse, pajisur me emrin tënd të bukur, të ma kujtonte rininë time të kaluar dhe ato ditë të lumtura, në të cilat jeta është plot me ëndërrime të ëmbla dhe me shpresa të këndshme; desha që ndokush, duke e lexuar, të mund të thoshte: “Ky paska qenë me të vërtetë i ri kur i ka shkruar këto vjersha”.
Stamboll, 2 janar 1873/ KultPlus.com