Ritmet e Anymas dhe Peggy Gou elektrizojnë Sunny Hill-in në përmbyllje të edicionit të pestë

Vjollca Duraku

Festivali më i rëndësishëm në rajon, Sunny Hill, mbrëmë ka mbyllur edicionin e pestë me radhë nën ritmet e artistit italo-amerikan Matteo Milleri i njohur si “Anyma” dhe artistes koreane, Peggy Gou. Ndryshe nga netët paraprake, mbrëmja e tretë e festivalit i ishte dedikuar DJ-ve të njohur ndërkombëtar dhe ritmeve të tyre elektronike, që rrëmbenin zemrat e një audience aktive që pulsonte fuqishëm pas secilit ‘beat’.

Nata e tretë e festivalit të njohur tashmë edhe në Evropë ishte një nga ato mbrëmjet me bazë në ritmet techno, që përmes valëve elektronike integronte në trup energji drithëruese nga kozmosi. I vendosur në hapësirat e Bërnicës së Poshtme të Prishtinës festivali në natën përmbyllëse ka qenë nikoqir i DJ-ve të njohur që sollën një frymë të re nga skenat më të njohura botërore, deri në orët e hershme të mëngjesit.

Elektrizuese ka qenë edhe performanca e MYGAL- një producent dhe DJ spanjoll dhe jeton në Madrid, qysh në fillim të mbrëmjes. Një teknologji e avancuar me ekrane LED gjigandë dhe ndriçim brilant koordinohej në mënyrë perfekte me lëvizjet e duarve duke nxitur një atmosferë që shkarkonte çdo tension të mundshëm trupor. Ndërsa, STRYV- një producent dhe kantautor me bazë në Los Angeles ka mbajtur ritmin në vazhdimësi deri në paraqitjen e artistit kryesor të mbrëmjes, Anima.

Me një brohorimë të fuqishme ka nisur perfomanca e artistit Matteo Milleri, e cila është përsëritur disa herë deri në mesnatë. Melodic techno, melodic house dhe progressive house kanë qenë zhanret që janë emetuar para një audience masive, që nga ritmet e fuqishme, dritat dhe fishekzjarret zgjonte dinamikë e fuqi. Në një atmosferë të tillë, ka kulmuar edhe performanca kryesore e mbrëmjes së fundit të edicionit të pestë të Sunny Hill, për tu zhvendosur më pas në skenën “C4” për DJ britanik, Tommy Gold.

Flakë e zjarr mori skena “C4” kur iu bashkangjit DJ dhe producentja koreane, Peggy Gou. Përmes ritmeve të saj elektronike, deep house, tech house e minimal trance artistja Gou ka arritur të pushtojë skenën dhe audiencën edhe përkundër lodhjes së tyre në pjesën përmbyllëse të festivalit, i cili edhe këtë vit ka arritur të tërheqë audiencë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës.

Festivali ka përfunduar në orët e hershme të mëngjesit, duke plotësuar në tërësi mozaikun e zhanreve të këndimit, pjesë përbërëse e të cilit ishte edhe vetë themeluesja Dua Lipa, performanca e së cilës ka lënë shije të jashtëzakonshme. Në këtë koncert i cili ka ngërthyer rreth 30 mijë spektator, artistja me famë botërore është ngjitur në skenë me babain e saj, për të risjellë këngën “Era” të grupit “Gjurmët”.

Mbrëmjet pasuese kanë shkëlqyer nën tinguj dhe ritmet e artistëve: Shawn Mendes, Artssassin, Bookie, Pint, Tayna, Kida, Era Istrefi, Ledri Vula, Yanina, Lluni, Fatboy Slim, Sainte, Mochakk, TSHA, Skream, Sugar Rush dhe Sienna Spiro.

Sunny Hill Festival i themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Dua Lipa, i cili menaxhohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa, edhe këtë vit i ka dhënë jehonë ndërkombëtare vendit, duke e vendosur Kosovën në zemër të hartës kulturore globale./ KultPlus.com

Peggy Gou, emri i parë zyrtar i Sunny Hill Festival 2025 

Sunny Hill Festival zbulon artisten e parë të nivelit botëror që do të ngjitet në platformën e re gjigante të skenës së muzikës elektronike: Peggy Gou!  

Peggy Gou, ikona botërore e muzikës elektronike, e njohur për setet e saj energjike dhe hitet që pushtojnë skenat dhe festivalet më të mëdha nëpër botë, do të jetë një nga emrat kryesorë që do të elektrizojë mijëra adhurues të muzikës elektronike në edicionin e ri të Sunny Hill Festival, i cili këtë vit fillon nga 1 deri më 3 gusht. 

Sunny Hill Festival ka njoftuar zyrtarisht se Peggy Gou është  artistja e parë nga gjashtë artistë kryesorë të këtij viti. Emrat e performuesve të tjerë do të zbulohen në ditët në vijim. 

“Përveç yjeve ndërkombëtarë, edicioni i vitit 2025 do të sjellë një numër madh të artistëve, me rreth 60 emra vendorë dhe të huaj që këtë vit do të performojnë në Sunny Hill Festival. Po ashtu këtë vit,  skenat janë disa herë më të mëdha se ato të edicionit të kalur duke premtuar kështu një eksperiencë vizuale shumë më  të veçantë”, kanë bërë të ditur organizatorët.

Me origjinë nga Koreja e Jugut, Peggy Gou është bërë një nga emrat më të dashur të skenës globale të muzikës elektronike, falë stilit të saj të veçantë që ndërthur kulturën aziatike me ritmet bashkëkohore të house dhe techno. 

Superhiti i saj “(It Goes Like) Nanana” pushtoi skenën muzikore gjatë verës së kaluar, duke dominuar top-listat muzikore dhe skenat më të mëdha të festivaleve në mbarë botën. Me këngë si “It Makes You Forget (Itgehane)” dhe “Starry Night”, ajo ka krijuar një identitet unik që i flet një audience globale. 

Rritja e saj nga një sensacion në TikTok në një ikonë të vërtetë të muzikës elektronike ka qenë spektakolare – dhe tani, ajo vjen në skenën e Sunny Hill Festival 2025 për të sjellë një natë të paharrueshme, plot energji pozitive. 

Ajo është artistja e parë që zbulohet, nga lista e performuesve në skenën C4. Është fjala për skenën që Festivali inaguroi vitin e kaluar, me titull që vjen si nderim për hyrjen e ndërtesës në Ulpianë, Prishtinë ku familja Lipa ka jetuar më herët. Skenë kjo që këtë vit vjen me pamje të re dhe më përmasa shumë me të mëdha se vitin e kaluar. 

Performanca e Peggy Gou pritet të jetë një nga momentet kulmore të edicionit të sivjetmë, duke i dhënë festivalit një tjetër dimension ndërkombëtar dhe duke forcuar më tej statusin e Sunny Hill si një nga festivalet më të rëndësishme në rajon. 

Shitja e biletave “Early Bird” tashmë ka filluar, ndaj sigurohuni të mos e humbisni mundësinë për të qenë pjesë e këtij edicioni: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025 / KultPlus.com