Përkujtohet poeti Azem Shkreli, Demaku: Nuk ka magji që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se vargjet e tij

Era Berisha

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u përkujtua figura e poetit e kritikut letrar shqiptar, Azem Shkreli, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, siç është projekti “Ora e Shkrimtarit 2”. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të krijimtarisë shqipe, të ftuar në panel ishin ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu, poetja Naime Beqiraj, nën udhëheqjen e shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berishës, të cilët me analizat e kujtimet personale të tyre, shpalosën figurën e paharrueshme të një shkrimtari të mirënjohur siç është Azem Shkreli, shkruan KultPlus.

Për Shkrelin, i cili dikur ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit, diskutimin e nisi moderatori Ibrahim Berisha i cili fillimisht foli për jetën e autorit e më pas edhe për nderin e krenarinë që ky shkrimtar ia dhuron shqiptarëve.

“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit ”, thotë Berisha.

Sipas tij, Azemi ka qenë shumë i lidhur me Kosovë, Rugovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e krijimtarisë së Shkrelit, foli ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu.

“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, thotë Spahiu.

Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.

“Vdekja e hershme dhe e papritur e poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, edhe mbi intelektualët dhe inteligjencien, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin”, thotë ai.

Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.

“Azem Shkreli ishte si një zjarr që vlon, një harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, një intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Si intelektual nuk besonte në varësinë esenciale të botës materiale ndaj mendimit dhe ndjenjës dhe çonte një jetë si gjithë të tjerët, në shoqëri me intelektualët e kohës që përpëliteshin në përpjekjet e saj. Edhe ai si poet ishte i detyruar të kënaqej me mënyrën civile dhe të konformuar dhe të shkruante poezi në një ekuidistancë të sigurt me përvojën e vet jetësore”, përfundon Spahiu.

Tutje, poetja Naime Beqiraj foli rreth poezisë së Shkrelit, duke e cilësuar atë si një liri pa hijezime.

“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqirja.

Sipas saj, poezia e Shkrelit është liri, e liria nuk ka hijezime.

“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngritet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundon Beqiraj.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që poezia e Shkrelit të jehojë në muret e KultPlus Caffe Gallery, e njëkohësisht duke hyrë thellë brenda shpirtit të pranishëm e kapluar vëmendjen e tyre me magjinë e poezive të papërsëritshme.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për vargjet poetike të Shkrelit, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin njerëzor.

“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve. Unë jetoj në dy vargje të tij dhe në ato vargje shihet mënyra se si oqeani shndërrohet në pikë vese: ‘Kur përmallimet në këtë mall, m’harro bukur dhe thuaj u takuan n’prrallë’. Nuk ka magji e mençuri që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se këto vargje”, thotë ai.

Sipas tij, vargu ‘Kur t’vish, rrugën merre me veti që të mos ketë kthim’, krejt ajo që quhet pendim, pikëllim, dridhje e shpirtit, është shndërruar në atë varg.

“Azem Shkreli është margaritar në përmasa botërore që nuk e njohim as ne. Ne e kemi për detyrë, jo që ta shpjegojmë e interpretojmë por thjesht e shkurt; ta përjetojmë poezinë e Shkrelit”, përfundon Demaku.

Pastaj, nën atmosferën e ngrohtë e poetike, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të veçanta e krejtësisht origjinale nga jeta e Shkrelit, poeti i cili do të qëndrojë gjatë në zemrat e tona e ndoshta do të na shoqërojë neve edhe deri në momentet e fundit të jetës njerëzore.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot përkujton shkrimtarin Azem Shkreli

Sot, më 2 nëntor, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë Azem Shkreli. 

Për veprën jetësore të Shkrelit do të flasin Avni Spahiu dhe Naime Beqiraj.

Aktiviteti fillon në orën 17:00, ku edhe ftoheni të merrni pjesë. 

Ky aktivitet është i treti me radhë në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.  

Më parë janë përkujtuar Latif Berisha dhe Enver Gjerqeku./ KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit 2’ me mbrëmje letrare përkujton poetin e njohur, Enver Gjerqeku

Era Berisha

Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e  veprimtarisë së tij.

“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.

“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.

“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.

Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.

“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.

Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.

“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.

Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.

“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.

Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.

“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.

Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.

Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

Përkujtohet Rifat Kukaj, shkrimtari pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e letërsisë për fëmijë

Suada Qorraj

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e shkrimtarit të shquar, Rifat Kukaj, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin, miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Dije Demiri Frangu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari të madh si Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.

“Me 11 shtator të vitit 2005, në rërën e bregdetit të Ulqinit nga sulmi në zemër mbeti i vdekur Rifat Kukaj, duke pasur afër ‘Pshurranin e gjyshit’, nipin e tij të dashur të cilit ia kushtoi një libër të tërë”, filloi kështu fjalimin e tij Ibrahim Kadriu.

Ibrahim Kadriu ka shtuar se Kukaj ngrinte lartë nivelin e manifestimit me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sipas tij ishte pikërisht sharmi i tij i veçantë që bënte të pranishmit të kërkonin më tepër nga ai.

“Rifat Kukaj ishte ai që ia ngrinte nivelin manifestimit me paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me recitime, humor e aktrim. Sharmi i tij ishte i veçantë, i kapshëm për të pranishmit të cilët me duartrokitje në vazhdimësi kërkonin që sa më shumë të qëndronte përpara tyre”, tha Kadriu i cili tutje shprehu keqardhje që shumë nga paraqitjet e Rifat Kukaj nuk janë xhiruar me kamerë, sepse sipas tij shkrimtari ishte një humorist i lindur, që kishte dhënë shumë spektakle origjinale.

“Rifat Kukaj ishte një humorist i lindur i cili arrinte që rastet ti shoqëronte me mahitë shumë origjinale. Kur kihen parasysh ato prezantime të tij, që lirisht mund të thuhet spektakle shumë origjinale, të vjen keq që nuk janë xhiruar për të mbetur vlera të pa kapërcyera”, shtoi Kadriu.

Ndërkaq, nata e mbrëmshme e kthej pas në kohë studiuesen Demiri Frangu dhe e dërgoi pikërisht aty ku ajo kishte marrë hapat e saj të parë dhe kishte botuar librin e parë me poezi “Buzëqeshja s’është larg”, redaktor i së cilës ishte Rifat Kukaj. Dije Demiri ka shtuar se shkrimtari Rifat Kukaj posedonte një kreativitet të atillë që u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura. Sipas saj ai nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi.

Tutje Demiri ka thënë se “Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”.

Për Demirin, Rifat Kukaj mbante në vete intuitën e lindur prej krijuesi. Ajo ka shtuar se historia e letërsisë për fëmijë, por edhe antologjia e poezisë nuk mund të shkruhen e të bëhen një, nëse mungon Rifat Kukaj të cilën e cilësoi si një nga mësuesit tanë të letërsisë, që kishte lindur në një shoqëri analfabete.

“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka pohuar Demiri.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe dy mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Mensur Raifi dhe Mirko Gashi. Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, mbahet nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

PEN Qendra përkujton Hasan Mekulin, Gashi: Ai ishte një shpirt i madh

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Hasan Mekulit, një intelektual i shquar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqipe. Kjo mbrëmje që i dedikohej këtij kritiku të madh, për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës.

Për të nderuar Mekulin, në panel të ftuar ishin Sali Bashota e Osman Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Mekuli dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.

Mbrëmjen e hapi Ibrahim Berisha, i cili Mekulin e konsideronte një intelektual të jashtëzakonshëm. ‘Ishte një intelektual i tejguximshëm, i panënshtrueshëm. Këtë e ka treguar edhe në vitet e 80-ta kur fillon fushata shtetërore e Serbisë, po në fakt e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve’, potencoi Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.

Sali Bashota e kujtonte me shumë emocion e nostalgji Mekulin, pasi ky i fundit kishte qenë edhe profesor i tij. Ai tregoi para të pranishmëve se profesorin, për të cilin edhe ishin mbledhur, e kujtonte gjithmonë me çantën e zezë në dorë e me plot libra, duke potencuar se kishte mësuar shumë nga Mekuli, pasi sipas Bashotës, ai ishte një enciklopedi.

Veprimtaria e Hasan Mekulit fokusohet kryesisht në kritikën letrare, për të cilën vlerësohet shumë lart nga pasuesit e tij. Bashota e kosnideron largëpamës gjykimin e tij, të drejtë, parimor e të formësuar estetikisht. Ndër të tjera, potencon se gjykimi i Mekulit ishte i veçantë dhe i pajisur me kulturë të gjerë teorike e shkencore.

”Pa dyshim, Hasan Mekuli është njëri ndër mjeshtrit e rrallë të mendimit kritik shqiptar. Ai gjithnjë prej tekstit poetik nxirrte nuanca të imëta kuptimore duke i shkokëluar veçoritë esencuale të vëprave në dritën e fakteve dhe argumenteve të qëndrueshme letrare. Gjithnjë, Mekuli dallohej për përgatitjen e gjerë e të thellë, në radhë të parë, teorike, letrare, metodologjike, me stilin e veçantë, shprehjen e guximshme, vlerësim-gjykimin e pavarur, origjinalitetin e theksuar. Kritik i qartë. Me ide të forta. Me dije të pashtershme kreative”, përfundoi Sali Bashota.

Osman Gashi, i cili kishte qenë edhe asistent i Mekulit e kujtonte atë me një respekt të pashoq, duke u shprehur se të gjithë ata që kanë pasur rastin ta kenë profesor kanë qenë shumë me fat, ndërsa pjesa tjetër që nuk ka pasur rastin ta njohë Mekulin apo së paku të ketë pasur një herë kontakt me të, sipas Gashit, atyre ju mungon diçka në jetën e tyre.

‘Ka qenë një shpirt i madh edhe pse shpesh thojnë që ka qenë i ashpër. E vërtetë, ka qenë shumë i ashpër, deri në pikën ku studenti e shihte se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij’, theksoi Gashi.

‘Pa dyshim se sot tek ne ekzistojnë përgjithësisht botëkuptime të tjera mbi letërsinë, qasje të tjera, konepte e preferenca të tjera leximesh, por vendi i kritikut letrar Hasan Meuli, mbetet krejtësisht i veçantë. Bota e tij e ideve, gjerësia dhe thelësia e këndvështrimeve nuk është e largët as sot’, përfundoi Gashi.

Përkujtimi për Hasan Mekulin ishte mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.

PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot mban mbrëmje letrare për Ibrahim Rugovën

Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë vazhdon përkujtimi i shkrimtareve të ndjerë të Kosovës.

Përkujtimi i radhës i kushtohet Ibrahim Rugovës, ish-presidentit të vendit, shkrimtar dhe kritik letrar.

Aktiviteti në kujtim të Rugovës zhvillohet sot, më 23 tetor, me fillim në orën 17.00 dhe atë e organizon PEN Qendra e Kosovës.

Për veprën e Rugovës do të flasin Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu. Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projektin e PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit” e përkrah Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com