Heqja e përmendores së luftëtarit të të drejtave shqiptare, Isuf Celaj, ka nxitur reagime të forta nga komuniteti shqiptar. Në një deklaratë publike, nipi i tij, Gzim Celaj, e ka cilësuar këtë akt si një goditje ndaj historisë dhe dinjitetit të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Me indinjatë të thellë dhe shqetësim të madh, dënojmë aktin e paprecedentë të heqjes së përmendores së Isuf Celajt. Ky veprim përfaqëson një goditje të rëndë ndaj kujtesës historike, dinjitetit të komunitetit shqiptar dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike,” tha ai.
Gzim Celaj theksoi se Isuf Celaj nuk ishte figurë që nxit ndasi, por një mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve dhe një zë i drejtësisë që ka treguar guxim e humanizëm edhe për qytetarë të etnive të tjera.
Ai shtoi se familja dhe komuniteti nuk do të heshtin përballë këtij provokimi dhe do të ndërmarrin çdo hap ligjor e demokratik për të mbrojtur figurën dhe trashëgiminë e tij.
Në fund të reagimit, ai bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut që të dënojnë këtë akt dhe të mbështesin përpjekjet për respektimin e historisë shqiptare në Mal të Zi.
“Përmendorja mund të hiqet, por ideali i tij nuk shuhet,” përfundoi ai./KultPlus.com