Vazhdojnë përçarjet në ShKA Agimi

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” nga Prizreni, është përçarë keq mes veti. Ata sot përmes një komunikatë për medie, kanë paraqitur disa “sulme” “Kryesia e ShKA Agimit”. Krejt kjo duket se po bëhet për koncertin i cili vjen më datën 26 nëntor, dhe kjo shoqëri tashmë është ndarë në dy grupe.

Sjellim komunikatën e plotë të ShKA Agimi:

Dëshirojmë të informojmë publikun e gjerë për sulmin e radhës të të ashtuquajturës “Kryesi e ShKA Agimit”, e cila doli nga Kuvendi klandestin në të cilin nuk u ftuan pjesa dërmuese e anëtarësisë së Shoqërisë. Ky grup i njerëzve në krye me Z. Xhemal Kabashin, i vetëshpallur Kryetar i ShKA Agimit, që vazhdon të mbajë të zaptuar ndërtesën dhe pasurinë e Shoqërisë, duke i përjashtuar anëtarët pa procedurë legjitime, sot ka publikuar një komunikatë me shumë të pavërteta.

Ashtu siç kemi njoftuar publikun edhe para disa ditësh, koncerti për nder të Ditës së Flamurit i ShKA Agimit do të mbahet më 26 Nëntor 2017, duke filluar nga ora 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Organizatorë të këtij koncerti nuk janë disa “ish anëtarë” të Agimit siç pretendon komunikata e këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, por afër 200 anëtarë të Shoqërisë, të cilët në mënyrë transparente kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor të datës 20 Maj 2017, ku i kanë zgjedhur organet legjitime të Shoqërisë. Gjithashtu, bartës artistik të koncertit të 26 Nëntorit janë emrat më të njohur që ka sot ShKA Agimi, përfshi Fikrim Emrën, Besim Berishën, Kastriot Markun, Xhevdet Doden, Luljeta Brahën dhe shumë të tjerë. Mbi të gjitha, koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve.

Duke marrë shkas nga ky rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve të këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm, të cilët e kanë degraduar Agimin viteve të fundit, duke e tjetërsuar dhe keqpërdorur pronën dhe ndërtesën e Shoqërisë dhe duke shmangur transparencën financiare dhe obligimet tatimore ndaj autoriteteve të shtetit. Të gjitha dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh. Në të njëjtën kohë, si rezultat i angazhimit tonë, ndërtesa e Agimit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa individë nga ky grup i vogël kanë tentuar të manipulojnë opinionin duke pretenduar rrjeshëm se kjo arritje ishte rezultat i punës së tyre.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe për vëmendjen tuaj të shtuar ndaj manipulimeve dhe dashakeqësisë së këtij grupi të vogël të individëve të papërgjegjshëm që kanë zaptuar ndërtesën, pasurinë dhe emrin e Agimit. Përpjekjet tona, që tashmë gëzojnë mbështetjen e qindra anëtarëve dhe mijëra qytetarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë, nuk do të ndalen derisa të shpëtojmë Agimin nga duart e këtij grupi dhe t’ia kthejmë të gjithëve.

U takofshim në koncertin për Ditën e Flamurit këtë të diel, më 26 Nëntor 2017 në orën 19.30 në Shtëpinë e Kulturës në Prizren./ KultPlus.com