Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi u përurua sot në vendlindjen e saj, në Pejë.

Përurimin e shtatores e bëri presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten.

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë. / KultPlus.com

90 vjet nga vrasja e Atë Shtjefën Gjeçovit, përurohet rastaurimi i varrit të tij

Në 90 vjetorin e vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit, këtë të shtunë, u mbajt manifestimi “Takimet e Gjeçovit”, në Zym të Hasit.

Të pranishmit fillimisht vizituan varrin e Shtjefën Gjeçovit në Shën Gjergj, restaurimi i të cilit u përurua.

I pranishëm ishte edhe lideri i LVV, Albin Kurti. Me këtë rast ai u shpreh se Atë Shtjefën Gjeçovi ka bërë studime të kulturës shqiptare dhe kishte grumbulluar thesarin e traditës sonë, ndërsa duke përkujtuar atë vendi ynë mund të ecë sigurt para. / KultPlus.com

Shtatorja e Idriz Seferit në përfundim e sipër, përurohet më 28 nëntor (FOTO)

Shtatorja e Idriz Seferit, tashmë është duke u skalitur në bronz, shkruan KultPlus.

Për këtë ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili ka treguar se kjo shtatore është në gjatësi prej 3.8 metra.

“Më 28 Nëntor kolosin e Karadakut do ta vendosim përballë Agim Ramadanit dhe do të jetë festë e dyfishtë për gjilanasit dhe shqiptarët kudo. Krenar! LH”, ka shkruar tutje, Haziri./ KultPlus.com