Botohet libri ‘Përvojë dhe Thagmë’ i autorit Arben Idrizi

Shtëpia botuese Bard Books ka botuar librin më të ri të shkrimtarit Arben Idrizi, me titullin “Përvojë dhe Thagmë”.

Librin “Përvojë dhe thagmë” shkrimtari dhe kritiku Ag Apolloni e ka vlerësuar si një libër të veçantë, duke thënë se: “Përvojë dhe thagmë është diçka mes eksperiencës dhe epifanisë. Këtu, nëpërmjet formave të ndryshme poetike, kemi përjetime dhe reflektime të thella. Duke e përdorur fokusin e fjalëve, Arben Idrizi, si subjekt vrojtues dhe përjetues, i afron gjërat me një zoom poetik, apo, siç thuhet, i bën gjërat me thagmë, për ta çuditur lexuesin edhe kur flet për gjërat e rëndomta. E, dihet se ç’rëndomtësimi është proces poetik për ta kthyer përvojën në art. Përvojë dhe thagmë na tregon sa i bukur është arti dhe sa e brishtë është jeta”.

Arben Idrizi, i njohur si poet, prozator dhe përkthyes, deri tani ka botuar përmbledhjet poetike: Heqakeq (Prishtinë, 2003), Libri i të qenit (Prishtinë, 2009), Zveri vole utadžbinu (Beograd, 2013), Fletore poezish ‘10-’15 (Prishtinë, 2016), Poezi, 2016 (Tiranë, 2017), Poezi, ’17-’18 (Prishtinë, 2019), Libri i dhunës (Tiranë, 2019), Poezi, ‘19-’20 (Prishtinë, 2021). Gjithashtu, ka përkthyer librat: “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.

Librin e gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë./ KultPlus.com