MKRS pezullon ndërhyrjet e planifikuara në Çarshinë e Madhe të Gjakovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ndërhyrjet e planifikuara në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, janë pezulluar në mënyrë që të bëhet një rivlerësim, përcjell KultPlus.

MKRS po ashtu ka sqaruar se ky pezullim nuk nënkupton që kjo e fundit kundërshton zhvillimet, pasi që siç theksohet tutje në njoftim, MKRS është e përkushtuar që zhvillimet në zonat historike të ngrisin kualitetin jetësor të qytetarëve.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të MKRS-së.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si institucion përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, ka për detyrë që të sigurohet që ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore kontribuojnë në ruajtjen e autenticitetit dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore.

MKRS përmes institucione vartëse dhe në bashkëpunim me institucionet e nivelit lokal duhet të sigurohemi që zhvillimi i zonave historike të jetë i balancuar dhe të mos cënoj autenticitetin dhe integritetin e materialeve të përdorura, formave dhe teknikave ndërtimore të aplikuara.

Ndërhyrjet e planifikuara në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, pas shqetësimeve të ngritura nga profesionistë e qytetarë, janë pezulluar në mënyrë që të bëhet një rivlerësim.

Ky pezullim nuk nënkupton që MKRS kundërshton zhvillimet. Përkundrazi ne jemi të përkushtuar që zhvillimet e zonave historike, të ngrisin kualitetin jetësor të qytetarëve duke rritur potencialin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes promovimit të identitetit kulturor.

I ftojmë të gjithë akterët dhe institucionet përgjegjëse që ndërhyrjet e planifikuara për zhvillim të zonave të mbrojtura historike, të bëhen me një kujdes dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. / KultPlus.com