Legjenda e muzikës botërore, Phil Collins, ndodhet aktualisht në spital për një ndërhyrje kirurgjikale në gju, duke mohuar zërat spekulativë që qarkulluan ditët e fundit mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe trajtimin në kujdes paliativ.
Zëdhënësi i artistit konfirmoi për The Standard se Collins është në repartin mjekësor për operim, dhe jo në ndonjë formë trajtimi për fundin e jetës, siç ishte raportuar në mënyrë të pasaktë në disa media.
Këngëtari i njohur për hite si “Another Day in Paradise”, është përballur me probleme të shumta shëndetësore gjatë viteve të fundit, përfshirë dëmtime nervore, pankreatit akut dhe vështirësi në ecje, të cilat kanë ndikuar që ai të performojë i ulur në karrocë në koncertet e tij të fundit, transmeton KultPlus.
Pavarësisht sfidave, Collins vazhdon të jetë një figurë e dashur dhe e respektuar në skenën muzikore botërore, ndërsa fansat në mbarë botën i kanë shprehur mbështetje dhe urime për rikuperim të shpejtë./KultPlus.com
